×

Programi

PROGRAMI POLITIK I LËVIZJES PËR BASHKIM (LB)

Lëvizja për Bashkim (LB) është subjekt politik i cili përpiqet për zgjidhjen e çështjes së pazgjidhur shqiptare dhe për mirëqenie të qytetarit.

QËLLIMET DHE DETYRAT

Gjatë gjithë veprimtarisë së vet LB do të angazhohet:

  • për zgjidhjen e çështjeve të mbetura në mes të Kosovës dhe Serbisë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës;
  • për ndryshime rrënjësore të Kushtetutës së Kosovës, veçanërisht të pjesëve ku cungohet e drejta e popullit shqiptar të Kosovës për të vendosur vetë për fatin e vet;
  • për mbajtjen e referendumit për bashkimin e Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë;
  • për integrime kombëtare të popullit shqiptar, e veçanërisht për integrimet në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë;
  • për integrime ndërkombëtare të Republikës së Kosovës;
  • për zhvillim ekonomik, për hapje të vendeve të reja të punës dhe për mirëqenie të qytetarëve;
  • për luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar;
  • për shtet ligjor dhe demokratik;
  • për arsim e shëndetësi sa më të përparuar dhe në përputhje me kërkesat e nevojat e kohës;
  • për ngritje të cilësisë në kulturë dhe sport;
  • për ambient të pastër e të shëndetshëm.

LB do t’i mbështesë pa rezervë:

  • përpjekjet e popullit shqiptar në Kosovën Lindore për të drejta politike deri në vetëvendosje;
  • përpjekjet e popullit shqiptar në Maqedoni e në Mal të Zi për të drejta të barabarta deri në vetëvendosje.

Duke qenë se bashkimi i popullit shqiptar:

  • rrit sigurinë kombëtare;
  • nxit dhe ndihmon zhvillimin ekonomik të mbarë kombit;
  • ndihmon procesin e integrimeve ndërkombëtare të popullit shqiptar;
  • shtendos raportet e tensionuara në rajonin ballkanik;
  • rrit dhe forcon sigurinë dhe paqen rajonale dhe evropiane. Lëvizja për Bashkim qëllim final ka bashkimin e popullit shqiptar në një shtet të vetëm, të lirë e demokratik

MJETET DHE METODAT

  • LB-ja, në përputhje me rrethanat e reja, zgjidhjen e çështjes shqiptare nuk e konsideron si një akt të vetëm, por si një proces.
  • LB-ja qëllimet e veta do t’i realizojë në mënyrë institucionale, por nuk i përjashton as format e tjera demokratike.
  • LB-ja marrjen e pushtetit nuk e konsideron si qëllim në vetvete, por mjet për realizimin e qëllimeve të veta.
  • Për realizimin e programit të vet politik, LB-ja do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet shtetërore dhe subjektet politike brenda dhe jashtë vendit.
  • LB-ja e konsideron dialogun politik si rrugën më të mirë për zgjidhjen e problemeve ndërmjet shteteve.
  • LB-ja konsideron se parimi i reciprocitetit ndihmon zgjidhjen e drejtë të problemeve ndërmjet shteteve.