“Kosova ka shumë të rinj entuziastë e shumë profesionistë, të cilët e kanë një të përbashkët shumë të rëndësishme: ata, vërtet ia duan të mirën këtij vendi. Kosova ka një diasporë e cila vazhdon të ketë gatishmërinë për të ndihmuar vendin. Secili prej tyre e meriton një vlerësim më të madh e një hapësirë më të madhe veprimi në këtë shoqëri. E meriton, sepse vendi ynë e meriton një të ardhme më të mirë, të cilën mund ta ndërtojmë vetëm duke i bashkuar dijet dhe shkathtësitë tona. Vizioni im është që, së bashku me bashkëpunëtorët e mi në Lëvizjen për Bashkim, të përpiqem që ky potencial i pafund të mobilizohet për të mirën e vendit. Do të angazhohem që t’iu dëgjohet zëri atyre njerëzve që deri më sot kanë pasur shumë për të thënë e të cilëve u është mohuar mundësia për të folur; atyre njerëzve që kanë pasur shumë për të bërë e të cilëve u është mohuar mundësia për të vepruar. Të bëhemi bashkë sa më parë, në mënyrë që ta shpejtojmë ardhjen e ditëve më të mira! Së bashku, jemi e vetmja shpresë!”
Valoni, prej vitit 2005 deri në vitin 2014, ka qenë drejtor i Qendrës për të Drejtat e Njeriut të Universitetit të Prishtinës. Ka qenë dhe është aktiv në aktivitete të shoqërisë civile. Gjatë periudhës 2008-2010 ka qenë anëtarë i Këshillit të Forumit 2015. Ka qenë anëtar i bordit të Klubit për Politikë të Jashtme në Prishtinë, si dhe anëtar i jashtëm i Institutit të Sociologjisë në Tiranë. Në vitin 2010 ka qenë ndër udhëheqësit e Këshillit Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit, me ç’rast u patën mbledhur rreth 100.000 nënshkrime në një peticion publik kundër këtij procesi gjyqësor. Ligjëron lëndët Mbrojtja Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut dhe e Mendimin Juridik dhe Politik në Kolegjin Universitar AAB. Ka botuar shkrime me karakter akademik brenda dhe jashtë Kosovës në lëmin e të drejtave të njeriut, konflikteve etnike, çështjeve të identitetit, globalizmit etj. Ka marrë pjesë në shumë projekte, konferenca dhe seminare të mbajtura në Kosovë dhe jashtë saj.
Në vitin 1993, si 18 vjeçar, Valoni angazhohet në mënyrë të organizuar në politikë. Bëhet pjesë e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), që në atë kohë vepronte kundër pushtuesit serb. Për shkak të këtij aktiviteti, në vitin 1997, edhe u ndoq nga ai. Gjatë veprimtarisë së tij politike ka shërbyer në funksione të ndryshme. Ka qenë kryeredaktor i gazetës “Çlirimi”, organ i LKÇK-së, gjatë viteve 1998-1999 si dhe kryetar i LKÇK-së gjatë periudhës janar - gusht 1999. Ka marrë pjesë aktivisht në organizimin e luftës çlirimtare në shumë pjesë të Kosovës. Pas marrëveshjes së majit të vitit 1998 midis LKÇK-së dhe UÇK-së, ka pasur role të ndryshme edhe në UÇK. Kështu, ai ka udhëhequr sektorin për moral e politikë në Zonën Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe së bashku me Agim Kuletën kanë përgatitur materialin për radhët e brendshme të UÇK-së Lufta Speciale, si dhe materiale të tjera që kishin të bënin me ngritjen e moralit dhe përgatitjes politike të luftëtarëve të UÇK-së. Prej vitit 1995 ka botuar analiza politike në revistat dhe gazetat ditore në Prishtinë, Tiranë e Shkup.
Gjatë vitit 2014-2017 ka qenë Ministër i Diasporës në Qeverinë e Kosovës.
Në vitin 2007 ishte ndër themeluesit e Lëvizjes për Bashkim (LB). Prej vitit 2014 është kryetar i saj.
Me Norën jam njoftuar më 28 korrik 1999. Ajo e sapo ardhur nga SHBA-të, unë i sapo dal nga lufta. Ka qenë ditëlindja e Anne-Sophie Ducreux, e cila asokohe ishte zyrtare e lartë e OSBE-së për partitë politike. Ne, të dyve, na njihte nga puna dhe aktiviteti. Me Norën kishte punuar bashkë gjatë misionit të OSBE-së në kohën e luftës, ndërsa, përderisa unë isha kryetar i LKÇK-së, ishim njohur përmes takimeve të shpeshta të punës. Që në fillim, para se të kthehej Nora nga SHBA, ajo më fliste për të. Njëjtë, kur erdhi Nora, kuptova se edhe asaj i kishte folur për mua. Dhe ishte shumë e lumtur që na njoftoi në ditëlindjen e saj. Aty filloi njohja jonë, për t’u kthyer më vonë në një lidhje dashurie e më pas martese, deri në ditët e sotme. Pas martesës, menjëherë kemi shkuar së bashku në një program masteri në fushën e të drejtave të njeriut, program i Universitetit të Sarajevës dhe Bolonjës. Kemi studiuar diku rreth tetë muaj në Sarajevë dhe një muaj e gjysmë në Itali. Nga ky shkollim nuk i kemi vetëm diplomat, por e kemi edhe Olsën, vajzën tonë të parë, e cila lindi pak pasi mbaruam masterin më 23 dhjetor 2004. Nora donte që Olsa të kishte një motër, dhe dy vite më pas jeta jonë u pasurua edhe me Andën, e cila u lind më 17 dhjetor 2006.
I lindur në Prishtinë në vitin 1975, Valoni edhe shkollën fillore dhe gjimnazin “Sami Frashëri” i mbaroi në kryeqytet. Në vitin 2002 diplomoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës me temën Kosova dhe Bashkimi Evropian: Investimet e BE-së në Kosovë 1999-2002. Në vitin 2004 përfundoi studimet post-diplomike në ‘European Regional Master Programe in Democracy and Human Rights’ në Universitetin e Sarajevës dhe të Bolonjës dhe mbrojti temën Varfëria dhe zhvillimi: Mundësitë dhe Pengesat në Realizimin e të Drejtave Ekonomike, Sociale dhe Kulturore. Aktualisht, është duke ndjekur studimet e doktoratës në shkenca politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.