Kosova ballafaqohet me një ndotje dhe degradim të lartë të mjedisit. Kjo, si rezultat i trashëgimit të një industrie të vjetër, e cila është ndërtuar dhe ka vepruar pa marrë për bazë ndonjë kriter mjedisor, në eksploatimin e resurseve natyrore. Gjithashtu, edhe lirimi i ndotësve në mjedis si rezultat i proceseve teknologjike ka qenë jashtë çdo kontrolli e kriteri mjedisor. Si degradimi i resurseve natyrore nga eksploatimi edhe degradimi nga mbetjet teknologjike kanë vazhduar për dekada, duke bërë të pamundur rikuperimin mjedisor. Një faktor tjetër i rritjes së ndotjes në përgjithësi është dyndja e shpejtë e popullsisë në zonat urbane. Industria e ndërtimit ka shënuar një rritje enorme, si e tillë nuk i është nënshtruar kritereve mjedisore të ndërtimit. Kjo ka çuar në shkatërrimin e brezit të gjelbër në periferi të qyteteve, është pamundësuar menaxhimi i mbeturinave, sidomos atyre inerte, dhe është neglizhuar gjelbërimi i sipërfaqeve në zonat urbane ku është e mundur të bëhet. Aplikimi i standardeve të përmendura më lart ka çuar në krijimin e një ambienti me ndotje të përhershme. Kjo ndotje rëndohet së tepërmi në periudha të caktuar kohore dhe në zonat ku kushtet klimatike, pozita gjeografike, mbipopullimi dhe shfrytëzimi pa kriter i lëndëve djegëse e bëjnë ambientin jetësor të rrezikshëm për jetën e banorëve. Lëvizja për Bashkim konsideron se vendi ka nevojë për një strategji kombëtare të mbrojtjes së mjedisit dhe nën qeverisjen e saj do të hartohet një e tillë. Kjo strategji do të duhej të parashihte këto masa të veprimit, të ndara në pesë fushë-veprime: 1. Aplikimi i masave të përkohshme në zona urbane në periudhat kur rrezikohet shëndeti; 2. Përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore, energjisë dhe menaxhimit të mbeturinave; 3. Aplikimi i kritereve mjedisore në industri dhe në planifikim urban; 4. Rehabilitimi i pasojave të shfrytëzimit pa kriter të resurseve natyrore; 5. Zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe përshtatjen. Objektivat kryesore të kësaj strategjie kombëtare për mbrojtjen e mjedisit do të duhej të ishin: - Fillimi i përmirësimit të menjëhershëm të mjedisit jetësor, me qëllimin që niveli i ndotjes të futet gradualisht nën kontroll; - Niveli i ndotjes të mos jetë më i lartë se kapaciteti absorbues; - Kriteret mjedisore të mos jenë pengesë për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Strategjia do të ishte një udhërrëfyes për bashkërendimin e veprimeve të popullatës, komunitetit të biznesit, industrisë, politikbërësve dhe aktorëve të tjerë, për të dhënë të gjithë nga pak e për të shfrytëzuar shumë nga ajri, uji e toka jonë, si resurse të përbashkëta jetësore.
Përmes kësaj strategjie do të parashihej plani i veprimit i cili do të realizohej hap pas hapi deri ne vitin 2030.