×

Arsimi

Shkalla e arsimit dhe edukimit të një shoqërie është një ndër treguesit më të rëndësishëm të nivelit të lirisë dhe standardit jetësor të saj. Derisa krijimi i një alfabeti unik ishte kushti i rëndësishëm i fillimit të krijimit tonë si komb dhe gjuha e njësuar shfaqi shkallën e konsiderueshme të formimit tonë kombëtar, ndërtimi i një sistemi të mirëfilltë edukativ – arsimor, i cili do të ishte kritik dhe kërkues, është parakushti i përparimit tonë kombëtar, i ecjes krahpërkrah kombeve të përparuara.

LB-ja angazhohet për ndërtim të një sistemi arsimor që: kultivon lirinë dhe pajisë njeriun me dije të aplikueshme në dobi të begatimit të gjithanshëm të jetës; ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës; ofron arsimim gjatë gjithë jetës; është kompatibil me rrjedhat bashkëkohore të arsimit dhe me nevojat e tregut; dhe ka për synim unifikimin e sistemit arsimor të të gjithë shqiptarëve.

ARSIMI PARAUNIVERSITAR

Katër sfidat kryesore të arsimit parauniversitar në Kosovë me të cilat do të merret LB-ja janë: - zbatimi i ligjit; - mungesat buxhetore për implementim të plotë të ligjit për arsimin parauniversitar; - reformimi i fakulteteve të edukimit dhe i fakulteteve të tjera që ndërtojnë edukatorët dhe mësimdhënësit e niveleve parauniversitare; - reformimi dhe fuqizimi i sektorit të arsimit profesional, i cili duhet të jetë kompatibil me nevojat e tregut të punës.

ARSIMI UNIVERSITAR

LB-ja do të angazhohet në këto segmente të arsimit universitar: - respektimi rigoroz i ligjit dhe statuteve të institucioneve të arsimit të lartë dhe të instituteve shkencore; - numri i studentëve nëpër universitetet e Kosovës nuk duhet të rritet artificialisht; - rritjen e cilësisë duke kryer detyra dhe obligime të përditshme në përputhje me ligjin, statutet, rregulloret dhe planet e parashtruara; - zhvillimin e skemave për mbështetjen e studentëve për studime në vend dhe jashtë; - mësimi në universitete të fillojë të jetë i natyrës kërkimore, trajtimit të problemeve konkrete me të cilat ndeshet vendi, sidomos në tezat e masterit dhe të doktoratës; - ndërtimi i një plani të përhershëm për mbajtje të ligjëratave të mësimdhënësve universitarë dhe hulumtuesve shkencorë para kolegëve ku punojnë.

HULUMTIMI SHKENCOR

Gjithsesi mjetet materiale janë të nevojshme për hulumtime shkencore, mirëpo, në Kosovë, para mjeteve materiale mungon organizimi i potencialit shkencor, mungon plotësisht orientimi i këtij potenciali, gjë të cilën LB-ja e ka synim ta bëjë. Pas këtij organizimi dhe orientimi të potencialit shkencor, LB-ja pret nga shkenca projekte konkrete, të zbatueshme dhe dobiprurëse për jetën e qytetarit.

ARSIMI PRIVAT

LB-ja angazhohet që arsimi privat të integrohet plotësisht në sistemin arsimor; të gëzojë të gjitha të drejtat ligjore, por edhe t’u përgjigjet të gjitha ligjeve dhe kërkesave të vendit dhe të tregut për arsim cilësor. Vetëm me këtë synim, arsimi privat largon njollën e përfituesit të madh, në kurriz të cilësisë së arsimit.