×

Ekonomia

Përkundër rritjes pozitive ekonomike Kosova mbetet ndër vendet më të varfra në Evropë dhe vazhdon të ballafaqohet me papunësi të lartë dhe nivel të ulët të mirëqenies së qytetarëve. Përderisa Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, është pikërisht rinia e Kosovës ajo që preket më së shumti nga niveli i lartë i papunësisë dhe kështu humbet mundësia e shfrytëzimit të një prej resurseve tona më të çmuara si shoqëri. Situata politike në vend dhe niveli i lartë i mos-besimit në institucionet e shtetit e pamundëson tërheqjen e investimeve serioze dhe zhvillimin e sektorit privat. Duke qenë të vetëdijshëm se ekonomia e tregut i ka ligjet e veta dhe se shteti në një ekonomi të zhvilluar shërben si rregullator, LB konsideron se në rrethanat e Kosovës, detyra kryesore e shtetit është që të krijojë ambient të sigurt për zhvillimin e biznesit, të sigurojë konkurrencën luajale por edhe të dizajnojë makro-politikat ekonomike në mënyrë që vendit t’i jap një zhvillim me ritëm më të shpejtë.

Prandaj, LB një fokus të veçantë në qeverisjen e saj, por edhe në aktivitetin e saj politik opozitar, do ta ketë luftimin e korrupsionit dhe sundimin e ligjit me theks të posaçëm rritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor. Në anën tjetër, LB në qeverisje, me politikat e veta fiskale dhe ekonomike do të shtrojë rrugën për zhvillimin e sektorëve që i konsideron se Kosova ka përparësi krahasuese.

Politikat ekonomike të LB-së do të përqendrohen në pikat në vijim:

a. Shfrytëzimin efiçient të burimeve natyrore: Hapja e rrugës për shfrytëzimin e potencialeve industriale dhe energjetike të vendit duke marrë parasysh ndikimin si në rritjen ekonomike ashtu edhe në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë.

b. Fuqizimin e sektorit të shërbimeve: Potenciali i rinisë sonë e cila ballafaqohet me papunësi të lartë duhet të kthehet në motor të zhvillimit. Kjo mund të arrihet përmes politikave të cilat do të mundësojnë fuqizimin e mëtutjeshëm të sektorit të shërbimeve, me fokus të veçantë në teknologjinë informative. Hapi i parë në këtë drejtim janë reformat në arsim dhe ndërlidhja e arsimit me kërkesat e tregut të punës.

c. Modernizimin e bujqësisë: Avancimi i sektorit të bujqësisë duke mbështetur zhvillimin dhe koordinimin e zinxhirit të vlerave brenda kësaj industrie do të rriste kontributin e saj si për prodhuesit ashtu edhe për GDP-në e vendit. Pjesë e rëndësishme në këtë proces është ndërlidhja e bujqësisë me industrinë ushqimore.

d. Zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme: Orientimi në grupimin e sektorëve të ndryshëm të prodhimit me orientim në eksport. Shembull që duhet ndjekur në këtë rast është industria e drurit; si dhe krijimi i kushteve dhe përparësive për ndërmarrësit e rinj.

e. Krijimin e politikave të përbashkëta ekonomike me Republikën e Shqipërisë: Krijimi i një tregu të përbashkët, realizimi i projekteve të përbashkëta ekonomike si dhe krijimi i kushteve për një ekonomi të përbashkët kombëtare.

f. Përqendrimin e politikave ekonomike në një ministri të vetme: Ministria e Ekonomisë do të jetë përgjegjëse për të gjitha politikat ekonomike e njëkohësisht KIESA do të vendoset pranë Zyrës së Kryeministrit e me lidhje organike me Ministrinë e Ekonomisë.

g. Vendosjen e diasporës në qendër të projektit ekonomik: Përfshirja aktive e potencialit financiar, profesional, politik e intelektual e diasporës shqiptare në realizimin e objektivave ekonomike të qeverisë.