×

Kultura

Lëvizja për Bashkim konsideron se duhet të krijohen kushtet e duhura institucionale për promovimin e kulturës dhe të artistëve që veprojnë në Kosovë. Roli i saj duhet të jetë i shumanshëm, duke u nisur prej përfshirjes së të rinjve e deri tek promovimi i Kosovës dhe kulturës shqiptare përmes aktiviteteve kulturore. Gjithashtu, kultura duhet të jetë një pikë që bashkon të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë.

Andaj Lëvizja për Bashkim do të punojë që:

  • Komuniteti artistik në Kosovë të jetë i përfshirë drejtpërdrejtë në krijimin e bazës ligjore, përmes debatit të gjerë dhe përfshirjes së tij edhe në proceset e politikbërjes;
  • Të stimulohet krijimi i shoqatave të profesionalizuara artistike, si partnere dhe mbikëqyrëse të realizimit të projekteve kulturore të institucioneve;
  • Kultura të lidhet me procesin arsimor në mënyrë që, që në moshën e re të ndikohet në kulturën artistike të gjeneratave të reja;
  • Të vendoset një proces transparent në subvencionimin shtetëror të aktiviteteve kulturore;
  • Biznesi të jetë partner aktiv i prodhuesve artistik;
  • Kultura të shfrytëzohet për zhvillimin edhe të turizmit, diplomacisë dhe mjedisit;
  • Trajtimi i krijuesve artistik të jetë maksimalisht i barabartë.

Njëkohësisht, Lëvizja për Bashkim angazhohet për një hapësirë unike ndërshqiptare në fushën e kulturës. Në funksion të kësaj ne do të punojmë që:

  • Kalendari kulturor në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë të rimodelohet dhe të dinamizohet, në mënyrë që të ketë efekt real në jetën kulturore dhe publike të të dyja shteteve tona;
  • Kalendari kulturor të përfshijë edhe institucionet kulturore të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovën Lindore;
  • Diaspora shqiptare të jetë pjesë aktive e kalendarit kulturor, në njërën anë, dhe të funksionalizohen marrëveshjet në mes të Republikës së Kosovës, Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë për aktivitetet kulturore në diasporë si dhe hapjen e qendrave të përbashkëta kulturore atje, në anën tjetër.