×

Mirëqenia

Lëvizja për Bashkim do të angazhohet që përmes politikave të mirëqenies sociale të zbus efektet anësore që i krijon ekonomia e tregut. Duke qenë se një sërë efektesh të tilla ndikojnë në rritjen e varfërisë, dukurive asociale, dhe dëmtimin e familjes, LB konsideron se përveç politikave të duhura ekonomike dhe arsimore edhe përmes politikave të mirëqenies sociale mund të arrihet një barazi më e madhe në shoqëri. Në këtë funksion LB në fushën e këtyre politikave do të ketë këto prioritete:

a) Zvogëlimin e numrit të personave dhe familjeve që janë pjesë e skemës së asistencës së ndihmave sociale përmes politikave aktive të punësimit dhe të zbatimit rigoroz të ligjit. Njëkohësisht, do të punohet që të rritet shuma e asistencës sociale për personat dhe familjet që janë vërtetë në nevojë, përfshirë personat me aftësi të kufizuar dhe pensionistët;

b) Realizimin e politikave aktive të punësimit, përmes punës në aftësimin profesional për personat e aftë për punë e që janë pjesë e skemës së asistencës sociale. Në këtë drejtim do të punohet ngushtë edhe me institucionet e tjera publike, kompanitë private dhe bizneset nga diaspora. Një rëndësi e veçantë në këtë drejtim do t’i kushtohet rritjes së kapaciteteve të qendrave për aftësim profesional dhe lidhjes së shërbimeve që ato ofrojnë me nevojat e tregut;

c) Krijimin e qendrave për qëndrim ditor dhe rezidencial për më të moshuarit. Në realizimin e këtij projekti do të përfshihen edhe komunat, qendrat për punë sociale si dhe OJQ-të e specializuara në ofrimin e shërbimeve të tilla. Do të shikohen mundësitë që të tilla projekte të realizohen me partneritet publiko-privat;

d) Do të punohet në programet parandaluese për dukuritë asociale në sistemin e mbrojtjes sociale si: braktisja e fëmijëve, dhuna në familje, trafikimi, keqtrajtimi i fëmijëve, lëmoshë- kërkimi, të miturit në konflikt me ligjin etj.;

e) Do të promovohen programet e banimit social për shtresat më në nevojë dhe kategoritë e rrezikuara si nënat vetushqyese, viktimat e dhunës në familje dhe familjet në gjendje të rënduar shëndetësore;

f) Do të punohet në ngritjen e kapaciteteve të qendrave për punë sociale përmes rritjes së stafit me kapacitete profesionale dhe humane si dhe rritjen e profesionalizmit të tyre përmes rritjes së gamës së shërbimeve në realizimin e politikave të mirëqenies sociale;

g) Krijimin e një sistemi unik të raportimit lidhur me aspektin social, duke përfshirë të dhënat nga gjitha institucionet relevante në një vend dhe duke ofruar qasje në të dhëna për institucionet e mandatuara për politikat sociale;