Për shkak të gjendjes së rëndë në sektorin e shëndetësisë dhe abuzimit të gjatë që qeverisjet në mënyrë të vazhdueshme i kanë bërë këtij sektori, sektori i shëndetësisë do të jetë një ndër sektorët që do të trajtohet me prioritet nga ne. Kjo nënkupton që, duke udhëhequr me këtë dikaster, do të bëjmë përpjekje që buxheti për shëndetësi të jetë i përafërt me atë të vendeve të rajonit. Objektivat kryesorë të LB-së për zhvillimin e shëndetësisë në vend do të përqendrohen në këto pika:
a) Fuqizimi i sektorit publik në vend, i cili është duke përjetuar degradim të rëndë;
b) Implementimi i sistemit informativ shëndetësor unik dhe i sigurimeve shëndetësore;
c) Ngritja e nivelit të shkollimit/edukimit të kuadrove shëndetësore;
d) Lufta e rreptë kundër dukurive korruptive në sistemin shëndetësor;
e) Krijimi i politikave të përbashkëta në fushën e shëndetësisë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Gjendja e përgjithshme sociale, ku një pjesë e konsiderueshme e popullsisë jeton në varfëri, papunësia e lartë por edhe nevoja për një shoqëri më të barabartë e bën domosdoshmëri fuqizimin e sektorit publik shëndetësor. Në anën tjetër, ne do të krijojmë të gjitha kushtet që edhe institucionet shëndetësore private të funksionojnë bazuar në konkurrencën luajale dhe sipas parimeve të ekonomisë së lirë të tregut. Pjesa dërmuese e popullatës nuk është e mbuluar me sigurime shëndetësore. Edhe pse infrastruktura ligjore ekziston tash e sa vite, ka ngecje të mëdha në implementimin e saj. Prandaj, ne e konsiderojmë urgjencë dhe domosdoshmëri implementimin, fillimisht, të sistemit informativ shëndetësor unik, si parakusht për funksionimin e sigurimeve shëndetësore dhe si hap i shpejtë pasues në implementimin e sigurimeve shëndetësore në vend.
Indikatorët tregojnë se arsimi në vend është në nivel të ulët, përfshirë këtu edhe gjendjen e arsimit në shkencat mjekësore. Si rrjedhojë, Lëvizja për Bashkim do t’i kushtojë rëndësi të veçantë arsimimit që nga shkollimi i mesëm, universitar, pasuniversitar, specialistik/subspecialistik, me theks të veçantë në sigurimin e literaturës bashkëkohore dhe fuqizimin e punës praktike.
Ne mëtojmë për paga dinjitoze të punëtorëve shëndetësorë, mirëpo në anën tjetër do të bëjmë luftë të pakompromis ndaj dukurive korruptive, si në sistemin publik ashtu edhe privat të shëndetësisë. Në këtë drejtim, do të fuqizojmë sektorin e inspektoratit shëndetësor. Për më tepër, në kuadër të luftës kundër korrupsionit do të aplikojmë mekanizma, në bazë të të cilëve, përzgjedhja e kuadrove do të bëhet në bazë të kritereve profesionale e jo në bazë të ndikimeve politike/partiake/familjare etj.
Në raportet Kosovë-Shqipëri, në fushën e politikave shëndetësore, Lëvizja për Bashkim do të angazhohet që të ketë trajtim të ndërsjellë të pacientëve duke gëzuar lehtësimet si vendas. Gjithashtu, do të punojmë në krijimin e Qendrave Referente për lëmenj të caktuar. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, rëndësi do të ketë edhe edukimi i përbashkët i kuadrove.