×

​Fjalimi i deputetit të LB-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës lidhur me murin në veriun e Mitrovicës.

24.12.2016 ·



Të nderuar kolegë deputetë,

E nderuara ministre e pranishme,

Muri për të cilin po diskutojmë sot, i ndërtuar në dalje të urës që e lidh pjesën jugore me atë veriore të qytetit të Mitrovicës, nuk është thjesht një mur nga betoni e çeliku! Ai është një mur i cili në themelet e veta i ka zgjidhjet e gabuara politike që janë bërë në bisedimet dhe marrëveshjet e Vjenës e të Brukselit. Këto zgjidhje politike i kanë dëmtuar rëndë interesat e popullatës shumicë shqiptare, por edhe të komuniteteve joshumicë në Kosovë. Duket paradoksale, por këto zgjidhje e kanë dëmtuar edhe vetë pakicën serbe në Kosovë.
Të gjithë e dimë se ndarja e Mitrovicës dhe spastrimi etnik i pjesës veriore të qytetit, dëbimi i popullsisë joserbe nga ajo pjesë të Kosovës, janë procese që kanë filluar menjëherë pas luftës dhe po vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Zgjidhjet e gabuara politike që kanë dalë si rezultat i bisedimeve dhe marrëveshjeve të Vjenës e të Brukselit, e kanë konfirmuar këtë spastrim dhe këtë ndarje dhe kanë prodhuar marrëveshje të tilla, të cilat do të prodhojnë në vazhdimësi tensione, mure e pengesa të ndryshme.

Muri i tanishëm në Mitrovicë nuk e ka për qëllim vetëm pengimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve, por shumë më tepër! Serbët e veriut të Kosovës me anë të këtij muri duan t’i mbrojnë rezultatet e veprimeve të tyre kriminale! Ata me këtë mur po na e bëjnë me dije se nuk besojnë as në zgjidhjet e arritura në Vjenë e në Bruksel, të cilat janë skajshmërisht të favorshme për ta, e tepër të dëmshme për shqiptarët! Dhe s’kanë se si të besojnë! Uzurpatorë e kriminelë serbë në veriun e Mitrovicës kanë vrarë, kanë dëbuar e i kanë përvetësuar tokat, banesat e pasuritë e shqiptarëve, prandaj çfarëdo zgjidhjeje që u mundëson shqiptarëve qasje në pronat e veta dhe çfarëdo zgjidhjeje që do të ofronte drejtësia për ta trajtuar veriun e Kosovës, - çfarëdo zgjidhjeje e tillë i rrezikon seriozisht uzurpatorët e kriminelët serbë.

Të nderuar deputetë,

T’i quajmë gjërat me emrin e vet të vërtetë!, ashtu siç janë. Bisedimet dhe marrëveshjet në Vjenë e në Bruksel ua kanë dhënë një pakice minore të drejtën kushtetuese që ta bllokojnë Kuvendin e Kosovës pothuajse kur të duan; e kanë legjitimuar ndarjen e qytetit të Mitrovicës në Komunë Jugore dhe Veriore, respektivisht në Mitrovicë shqiptare dhe Mitrovicë serbe; kanë formuar komuna serbe; do të formojnë asociacion të komunave serbe etj. Të gjitha këto lëshime nuk e kanë kënaqur dhe nuk do ta kënaqin komunitetin serb, sepse ata nuk e njohin dhe nuk e pranojnë shtetin e Kosovës! Ata kanë frikë nga e kaluara, nga e tashmja dhe nga e ardhmja! Prandaj, natyrshëm, do të kemi herë tela me gjemba, herë park për ndarje, herë roje të urës, herë mure e herë ndonjë pengesë tjetër.

Të nderuar deputetë,

Zgjidhjet që nuk janë zgjidhje domosdo prodhojnë tensione, mure e pengesa të ndryshme!
Kosova duhet të lirohet nga këto zgjidhje, nëse dëshiron të bëhet vërtet sovrane dhe nëse dëshiron t’ia hapë vetes rrugën e përparimit e të zhvillimit!