×

Çështja e veriut të Kosovës zgjidhet në Preshevë

03.08.2008 · Avni Klinaku



Që nga përfundimi i luftës kanë kaluar gati dhjetë vjet e politikës shqiptare të Kosovës as në horizont nuk i duket plani për zgjidhjen e problemit mjaft të mprehtë të veriut të Kosovës.

Serbët e veriut të Kosovës nuk bëjnë pjesë më në jetën politike të Kosovës. Ata madje pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës i kanë mbajtur edhe zgjedhjet qendrore dhe lokale sipas ligjit zgjedhor të Serbisë dhe po i ndërtojnë të gjitha strukturat shtetërore po sipas ligjeve të Serbisë. Ata, për ta bërë planin e vetë më të plotë, kanë asgjësuar edhe pikat doganore të Kosovës dhe e kanë bërë fakt të kryer bashkimin me Serbinë.

Shteti i Kosovës në këtë territor nuk funksionon në asnjë segment. Në anën tjetër, shteti i Serbisë përveç që e ka shtrirë pothuajse tërë autoritetin e tij në krejt territorin e veriut të Kosovës, me hapa të përshpejtuar dhe para syve të të gjithëve po kryen spastrimin etnik edhe të pjesës së Mitrovicës së veriut. Pasi që i ka dëbuar me dhunë gati të gjithë shqiptarët nga pjesa veriore e qytetit, tani ai po nxiton që pronat e mbetura t’i përvetësojë edhe ligjërisht dhe kështu ta bëjë fakt të kryer ndarjen etnike edhe të qytetit të Mitrovicës.

Shteti i Kosovës nuk ka zgjidhje as për kolonizimin modern të qytetit të Mitrovicës!

Shteti i Serbisë i ka kryer pothuajse të gjitha punët për ta bashkuar veriun e Kosovës me Serbinë, por nuk po ngutet ta shpallë këtë bashkim sepse apetitet serbomëdha shkojnë akoma më tutje: ata po përpiqen që të njëjtën punë ta kryejnë edhe në Kosovën qendrore. Shkëputja eventuale e veriut do të ndikonte te serbët në brendësi të Kosovës dhe do të mund të nxiste një shpërngulje masive të tyre qoftë drejt veriut të Kosovës, qoftë drejt vetë Serbisë. Kjo do t’i prishte përfundimisht planet e Serbisë në raport me Kosovën.

Në anë tjetër të Kosovës gjendet sërish “Kosova e pushtuar” – Presheva, Bujanoci e Medvegja. Ky territor i quajtur edhe si Lugina e Preshevës i tëri i banuar me shumicë shqiptare, i është ndarë Kosovës në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore. Që nga ajo kohë shqiptarët të qeverisur nga ligjet serbe i janë nënshtruar vazhdimisht një dhune e terrori të madh. Si pasojë ka vazhduar e po vazhdon edhe sot, para syve të të gjithëve, shpërngulja e popullsisë nga kjo trevë, sidomos nga Bujanoci e nga Medvegja.

Shteti i Kosovës, për çudi, për këtë çështje ka qëndrim: shqiptarëve të Luginës së Preshevës u sugjeron të marrin pjesë në jetë politike e në institucionet e shtetit serb! Serbomëdhenjtë ndahen plotësisht të kënaqur. Ata e dinë fare mirë se e vetmja pikë ku do të mund të prisheshin planet e Serbisë në raport me veriun e Kosovës është Presheva, Bujanoci e Medvegja, por ja që shqiptarët nuk po e shfrytëzojnë këtë.

Shteti i Kosovës i mbërthyer nga ingranazhi i Pakos së Ahisarit çështjen e Luginës së Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe banorëve të saj e lë në mëshirën e të pamëshirshmëve!

E dimë të gjithë se institucionet e Kosovës të ndodhura përballë pengesave të faktorit ndërkombëtar dhe agresivitetit të serbëve të veriut dhe shtetit serb janë të pafuqishëm në veriun e Kosovës, por është e pafalshme politika inerte e madje edhe disiplinuese e Qeverisë së Kosovës në raport me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kjo është e vetmja pikë të cilën mund ta sfidojmë politikën serbe ndaj veriut të Kosovës dhe t’u ofrojmë politikën mbështetës vëllezërve tanë që padrejtësisht mbahen nën thundrën serbe në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

3.8.2008

Prishtinë