04.03.2010 · Avni Klinaku
(Millosheviqi vërtet ka vdekur në Hagë, por hijet e tije e të parardhësve të tij po vazhdojnë të na ndjekin pas! Në Serbi ai ka lënë mjetet dhe metodat e tij, ndërsa në Kosovë fjalorin e tij! Deri sa qeveritarët e liderët serbë vazhdojnë t’i përdorin me mjeshtri këto mjete dhe metoda dhe po krijojnë situata e realtete të reja konfliktuoze, qeveritarët dhe liderët shqiptarët po “vringëllijnë” shpatat e tyer prej letre dhe po vazhdojnë t’i mbajnë këto konflikte të ngrira. Në të dyja rastet, qytetarët janë të vetmit që i vuajnë pasojat.)
Thonë se historia përsëritet. Dhe kur ajo përsëritet, përsëritet në formë tragji-komike.
Rasti tipik kësaj përsëritjeje është edhe deklarata e parë dhe e vetme e Kuvendit të Kosovës për veriun e Kosovës. “Ustavni poredak”, “Državni integritet i suverenitet”, “Celovitost naše države”, që do të thotë ”Rend kushtetues”, “Integritet dhe sovranitet shtetëror”, “Tërësi (territoriale) e shtetit tonë” janë këta magaritarë të pluhërosur e të zverdhur, të nxjerrë nga sirtari millosheviqian e të cilat i përvetësoi Kuvendi i Kosovës dhe i sanksioi në Deklaratën për veriun të datës 3.3.2010. Në të kaluarën, deklaratat e tilla nuk sollën asgjë të mirë në Ballkan, përveç luftërave e konflikteve të vazhdueshme. Kjo është ana tragjike e përsëritjes së historisë në ditët tona. Kjo përsëritje ka edhe anën komike të saj. Donkishotët tanë, të pajisur me fjalorin agresiv millosheviqian, nuk e kanë as dëshirën, as vullnetin, as mundësinë e as të drejtën ta zbatojnë atë që e thonë, prandaj, duke mbetur të veshur me pajisje luftarake dhe duke mos guxuar ta bëjnë asnjë hap në këtë drejtim ata bëhen qesharak dhe anakronik në sy të publikut të gjerë.
Qeveritarët dhe liderët tanë në vend që së paku t’i thonë dy fjalë për dhjetëra mijëra shqiptarë të dëbuar nga trojet e veta në veri të Mitrovicës dhe fshatrave përreth, çështje e cila ka arritur buzë mbylljes përfundimtare ata janë “të prekupuar dhe të angazhuar” për kthimin e rendit dhe ligji në Leposaviq!!! Qeveritarët dhe liderët tanë në vend se ta aktualizojnë dhe ta problematizojnë çështjen e pazgjidhur të popullit shqiptar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, çështje e cila ka arritur buzë mbylljes përfundimtare, ata janë “të prekupuar dhe të angazhuar” se si ta kthejnë Zveqanin nën itegritetin territorial të Kosovës!!! Qeveritarët dhe liderët tanë në vend se të përpiqen e ta atualizojnë çështjen e së drejtës së mohuar të popullit shqiptar për vetëvendosje e bashkim kombëtar, çështje të cilën po përpiqen ta çojnë drejt mbylljes përfundimtare (kujto këtu kombin kosovar, flamurin, himnin, etj.) ata janë “të prekupuar dhe të angazhuar” se si ta ruajnë integritetin territorial të Kosovës!!! Pra, në vend se të përpiqen për interesin real të popullit shqiptar e të qytetarit të Kosovës, ata përpiqen për diçka që as nuk arrihet e as nuk është e drejtë!
Për interes të kujt e bëjnë ata këtë? Për ineres të qytetarit të Kosovës e të popullit shqiptar?! Në asnjë mënyrë! Qytetari i Kosovës dhe populli shqiptar nga një politikë e tillë ka pasur e do të vazhdojë të ketë vetëm shqetësime, vuajtje e varfëri.
Vazhdimi i kësaj gjendjeje do të prodhojë në vazhdimësi jostabilitet, ngrirje të problemeve të pazgjidhura kombëtare, shkatërrim ekonomik e varfëri të vazhdueshme të qytetarit, në njërën anë, dhe shpërngulje të shqiptarëve nga trojet e veta në veri të Mitrovicës e fshtrave përreth, në Preshevë, në Bujanoc e në Medvegjë, pra tkurrje të vazhdueshme të hapësirës territorial të popullit shqiptar, në anën tjetër.
Kjo po na ndodhë sot për sot, ndërsa, me këtë politikë të qeveritarëve dhe liderëve tanë, me këtë politikë të fqinjëve tanë, me këtë poltikë të bashkësisë ndërkombëtare të implikuar në Ballkan po mbillet fara e luftërave të reja shqiptoro-serbe e shqiptaro-maqedonase e madje edhe më gjerë.
Prishtinë, 4.3.2010