×

​Jo Kosova, por qeveria e saj është e varur nga Serbia

12.09.2013 · Agim Kuleta



Z. Kryetar i Kuvendit,

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Shumica e çështjeve të brendshme të Kosovës, të pazgjidhura e të rëndësishme, janë çështje për të cilat nuk vendoset dot pa Serbinë. Dhe atë, jo në kuptimin e bashkimit të mendjeve për të arritur zgjidhje më të mira, por në kuptimin e ballafaqimit të interesave në funksion të arritjes së kompromiseve. Megjithatë, edhe pse mund të duket, kjo nuk është e mjaftueshme për të dëshmuar mungesë pavarësie për Kosovën. Kjo dëshmon diçka tjetër. Dëshmon se Kosova, në fakt, është e pavarur nga Serbia, por kemi një qeveri të varur tmerrësisht nga ajo.

Dhe kjo u dëshmua jo më larg se para katër ditësh kur u arrit marrëveshja për telekomunikacionin. Aq e madhe u tregua etja për ta negociuar me Serbinë edhe këtë çështje të brendshme, sa për ta arritur këtë u shkel pa asnjë hezitim edhe mbi një dokument të Kuvendit të Kosovës, siç është rezoluta, dhe mbi një dokument ndërqeveritar të kësaj fushe, siç është memorandumi i bashkëpunimit midis ministrive përkatëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Prandaj, me këtë rast, unë dua ta denoncojë para jush të nderuar deputetë, këtë shpërfillje që ekzekutivi i bën vendimit të organit, pjesë e të cilit jemi të gjithë ne.

Po ashtu, këtë marrëveshje do ta denoncojë edhe për një çështje tjetër. Për legjitimimin e veprimit ilegal të derisotëm të operatorëve serbë në Kosovë dhe vazhdimit të lejes për operim të mëtutjeshëm. Dhe kjo nuk është çfarëdo shkelje. Kjo është shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht, nenit 119 (2) ku thuhet: “Republika e Kosovës siguron të drejta ligjore të barabarta për të gjithë investitorët dhe të gjitha ndërmarrjet vendore dhe të jashtme”.

Ndërsa, sa i përket përmbajtjes së saj, sipas asnjërit kriter, pra, politik apo ekonomik, kjo marrëveshje nuk është më pozitive se sa respektimi i rezolutës për kodin +355.

Në aspektin politik, pra atë të shkëputjes së Kosovës nga Serbia edhe në këtë fushë, nuk mund të themi se kemi ndryshim të situatës. Thirrjet midis Kosovës e Serbisë do të konsiderohen si thirrje lokale, ndërsa kufiri midis palëve konsiderohet administrativ.

Në aspektin ekonomik, shikuar nga dy perspektiva, zgjidhja e bërë është më e papërshtatshme se sa shfrytëzimi i kodit +355. Sipas perspektivës afatshkurtër humbjet do të vazhdojnë deri sa të ndahet kodi për të cilin janë marrë vesh palët, e kjo do shumë kohë. Dhe sipas perspektivës afatgjate, lëvizja e madhe e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë në vendet përkatëse bën që një kod i përbashkët të jetë më i leverdishëm.

Duke pasur parasysh këto rrethana, në vend se të vazhdohet pa humbur kohë në zbatimin e memorandumit të bashkëpunimit ku parashihet shfrytëzimi i kodit +355 nga Kosova, Qeveria e Kosovës e përfshinë, pa kurrfarë nevoje, edhe këtë çështje të brendshme në negociata me Serbinë, ku dihet që bazë e marrëveshjes midis palëve është kompromisi. Dhe pyetja e pashmangshme këtu është: çfarë arsye kishte Kosova për një kompromis të tillë me Serbinë kur e kishte të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Republikën e Shqipërisë? Kjo, është vërtetë paradoksale.

Faleminderit!

Prishtinë, 12.9.2013

Agim Kuleta, Deputet i LB-së në Kuvendin e Kosovës