27.07.2018 · Valon Murati
Çka fitojmë me reciprocitetin deri në ridefinim të kufijve sot dhe çka humbim me asociacionin që do të çojë në ndarje nesër?
Kosova në të gjitha fazat e dialogut me Serbinë, që prej vitit 2011, është futur në to e papërgatitur, e përçarë dhe pa një platformë të qartë. Institucionet tona kanë pranuar të futen në dialog në të cilin është folur vetëm për Kosovën dhe vetëm për pozitën e serbëve në Kosovë. Bisedimet në vend se të shërbejnë për zgjidhjen e problemit shqiptaro-serb, i kanë shërbyer hapjes së rrugës për integrim më të shpejtë të Serbisë në BE, por pa prekur asnjëherë thelbin e problemeve që ekzistojnë në mes të dy vendeve dhe popujve. Rrjedhimisht, të drejtat dhe fati i shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, është injoruar tërësisht. Në këtë drejtim, shumë pak kanë dalluar PDK, LDK dhe AAK. Në anën tjetër, opozita, kryesisht e përfaqësuar nga VV, ka bërë dëmin e saj, duke refuzuar tërësisht bisedimet me Serbinë për një kohë të gjatë, duke lënë kështu qeverinë që e vetme dhe e papërgjegjshme të vazhdojë t’i udhëheqë bisedimet, pa një koncept të qartë. Kohët e fundit, ndonëse kemi një ndryshim qëndrimesh të subjekteve politike, ajo që nuk dallon është se ato janë të paafta për të ndërtuar një platformë politike dhe debatin e kanë përqendruar se kush do t’i udhëheqë ato bisedime. Pozita është e paaftë të prodhojë konsensus politik, jo vetëm me të tjerët, por as në mes vete, gjë që u dëshmua nga skenat groteske të javës së kaluar ku të gjithë përfaqësuesit e saj shkuan në Bruksel. LDK tash, e frikësuar nga rezultati i bisedimeve dhe duke mos qenë unike nga brenda, refuzon të jetë pjesë e bisedimeve, me arsyetimin e refuzimit të udhëheqjes së bisedimeve nga presidenti, por, në të vërtetë, më shumë për shkak të frikës se si do të reagojë elektorati dhe për shkak të mundësisë që VV të fitojë vota me politikën e refuzimit të bisedimeve dhe rezultateve të tyre. Në anën tjetër, VV, duke e pasur të qartë mundësinë e fitoreve elektorale nga mosprania në bisedime dhe mospranimi i rezultateve të tyre, vendos çdoherë kushte të ndryshme qoftë për Serbinë, qoftë për partitë e tjera dhe institucionet e Kosovës për të qenë pjesë e bisedimeve. E rëndësishme është që asnjëra palë nuk e shtron seriozisht çështjen e ndërtimit të një platforme të përbashkët.
Në këtë zallahi politike shfaqet si gogol nate, e frikshme e tmerruese, mundësia e ndarjes së Kosovës, apo edhe e shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës e Serbisë, si pjesë e një marrëveshjeje finale. Deri më tani shumica e shteteve kryesore aleate kanë qenë kundër kësaj ideje. Shfaqja e disa dyshimeve nga politika e SHBA-së kohëve të fundit e rindezi këtë temë edhe një herë. Përkundër që kjo temë është shtruar deri më tani jozyrtarisht, unë jam goxha i bindur se është më shumë një mekanizëm frike për të përgatitur terrenin për variantin më të keq të marrëveshjes për Kosovën: implementimin e asociacionit me kompetenca shtesë ekzekutive. Sigurisht që ky variant do të mund të quhej përfundimtar vetëm në këtë fazë të zhvillimeve të raporteve të Kosovës me Serbinë, por, në të vërtetë, nuk do të zgjidhte asgjë në këto raporte. Serbia, më së shumti, do ta hiqte Kosovën nga kushtetuta, duke ia hapur vetes rrugën për integrime në BE, por nuk do të detyrohej ta njihte Kosovën. Ne, më së shumti, ndonëse edhe për këtë jam jashtëzakonisht skeptik, do të mund të pranoheshim në OKB, por entuziazmi i pranimit aty shpejt do të zëvendësohej me vuajtjen nga mosfunksionaliteti i shtetit tonë. Të mos harrojmë se pjesë të OKB-së janë edhe shtetet jofunksionale si Bosnja e Hercegovina, Sudani Jugor etj. Ndërsa, një shteti funksional si Zvicra, asgjë nuk i ka penguar të jetë ashtu si është, efikas e i zhvilluar, model për të tjerët, edhe pa qenë anëtare e OKB-së deri në vitin 2006.
Lëvizja për Bashkim, që me platformën e vitit 2010, e përmes deklaratave edhe më herët, ka theksuar se nuk ka rrugë tjetër për zgjidhjen e problemeve të mbetura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përveç dialogut politik. Ne kemi kërkuar që ai dialog të zhvillohet duke u bazuar në parimin e reciprocitetit. Atë që kërkojnë serbët në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan t’u jepet edhe shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ky parim do të duhej të shkonte deri në ridefinimin e kufijve duke u bazuar në parimin e vetëvendosjes së popujve. Lëvizja për Bashkim, në kuadër të platformës së saj, ka theksuar se në këto bisedime nuk duhet të përfshihet pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës, sepse nga aty janë dëbuar mbi 12.000 shqiptarë me dhunë. Kemi kërkuar atëherë, siç kërkojmë edhe sot, që urgjentisht të hartohen politika për kthimin e shqiptarëve në pronat e veta në veri të Mitrovicës. Më vonë, kemi theksuar se nëse parimi i reciprocitetit shtrihet jashtë tri komunave të veriut të Kosovës dhe tri komunave shqiptare të Kosovës Lindore, atëherë reciprociteti mund të shtrihet duke barazuar të drejtat e shqiptarëve në Serbi me ato të serbëve në Kosovë. Kjo do të duhej të shkonte deri aty, sa shqiptarët të kenë vende të garantuara në Kuvendin e Serbisë, të kenë fuqinë e zbatimit të votës së dyfishtë për ndryshimet kushtetuese, të kenë një fond të veçantë për zhvillim i cili ndahet nga grumbullimi i të hyrave nga doganat, si dhe të kenë të drejta të tjera që kanë serbët në Kosovë.Në situatën në të cilën gjendemi, hartimi i një platforme që do të vendoste parimin e reciprocitetit në bisedimet me Serbinë do të ishte jetike për Kosovën.
Çka do të sillte sot një politikë e reciprocitetit në të drejta, e që do të përfundonte në ridefinim të kufijve:
Çka do të sillte një politikë e pritjes, e krijimit të asociacionit dhe me mundësi që më vonë, në rrethana më të favorshme për Serbinë, të bëhej ridefinimi i kufijve, e që realisht do t’i ngjante kryesisht ndarjes së Kosovës:
Në këtë situatë nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të gjitha forcat politike shqiptare në Kosovë të ulen dhe të hartojnë një platformë unike për bisedimet me Serbinë. Është jetike të mos mbesim peng i parimeve se si është ndërtuar shteti i Kosovës, pra i parimeve ahtisariane. Këto parime, për fat të keq, të bëra si një kompromis i madh me Serbinë, jo vetëm që nuk e zbutën Serbinë, por i dhanë dorë asaj që ta destabilizojë Kosovën në vazhdimësi. Atëherë kur do të çlirohemi nga zinxhirët mendorë të këtyre parimeve, menjëherë do ta kuptojmë se e vetmja rrugë është vendosja e parimit të reciprocitetit me Serbinë në një platformë të ardhshme, të menjëhershme. Rrjedhimisht, ky parim do të duhej të përfshinte të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe të serbëve në Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok, ose të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Serbi me ato të serbëve në Kosovë. Finalja e një qasjeje të tillë do të mund të dërgonte në një marrëveshje drejt ridefinimit të kufijve duke respektuar vullnetin e popujve përkatës. Këtu nuk ka asgjë frikësuese. Për më tepër, do t’i jepte fund një konflikti më shumë se njëshekullor dhe do të hapte rrugë të reja për zhvillimin e të dy vendeve e popujve. Të rrezikshme e frikësuese janë “zgjidhjet” e imponuara të cilat herëdokur mund të shpërthejnë!
(Autori është Kryetar i Lëvizjes për Bashkim)