×

Gjashtë pikat e propozuara nga Serbia për serbët e Kosovës

10.11.2008 ·



Zhvillimet më të reja politike në Kosovë në lidhje me propozimin serb për gjashtë pikat e njohura për opinionin do të kenë pasoja të rënda e afatgjate për Kosovën dhe popullin e saj, si dhe për popullin shqiptar nën pushtimin serb në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Me lojën politike e mediatike që po luajnë institucionet e Kosovës, në radhë të parë presidenca dhe kryeministria, me popullin e vet, duke u fshehur prapa kundërshtimit pa mbulesë dhe pa asnjë efekt, po e fusin Kosovën në një rrugë të verbër dhe me rreziqe.

Të gjashtë pikat e propozuara nga Serbia për serbët e Kosovës të cilat shpijnë pashmangshëm në konfederalizimin e Kosovës sot dhe në ndarje të favorshme për Serbinë nesër, do të aprovohen nga OKB-ja dhe do të zbatohen nga EULEKS-i. Kjo tanimë është e qartë për të gjithë.

Kundërshtimi i institucioneve të Kosovës, së pari i bisedimeve, e pastaj edhe i planit në fjalë, pa nxjerrë në tavolinë rrugëzgjidhjen e Kosovës si ballafaqim, ka vetëm kuptimin e pastrimit para popullit dhe ruajtjen e “patriotizmit” të tyre.

Populli shqiptar duhet t’i thotë JO edhe politikës së papërgjegjshme dhe mashtruese të këtyre liderëve edhe marrëveshjes OKB-Serbi në lidhje me Kosovën!

Nëse duhet të konfederalizohet veriu i Kosovës, atëherë edhe Presheva, Bujanoci e Medvegja duhet të bëhen njësi konfederale.

Rrugë tjetër nuk ka.



Prishtinë

10.11.2008