Pas gjendjes dymbëdhjetëvjeçare në veri të Kosovës, pas dëbimit të popullatës shqiptare nga kjo pjesë, pas rezistencës së popullatës serbe ndaj institucioneve të Kosovës, pas neglizhencës dhe heshtjes së këtyre institucioneve dhe atyre ndërkombëtare, sidomos ndaj spastrimit etnik të veriut të Mitrovicës, serbët lokalë dhe Serbia kanë dalë hapur për ndarjen e kësaj pjese dhe bashkëngjitjen e saj Serbisë. Kjo fillimisht në formë të një autonomie, e pastaj me shkëputje të plotë.
Qeveria e Kosovës dhe të gjitha subjektet politike shqiptare duhet të mos heshtin përballë kësaj situate, por të jenë aktivë dhe ta ofrojmë alternativën tonë rreth kësaj çështjeje që ka mbetur e hapur. Në radhë të parë, Qeveria e Kosovës duhet t’ia bëjë të qartë edhe faktorit ndërkombëtar, edhe serbëve e Serbisë se çfarëdo zgjidhjeje që parashihet të merret në konsideratë për veriun e Kosovës, një krijesë e tillë nuk mund ta përfshijë veriun e qytetit të Mitrovicës dhe fshatrat shqiptare përreth. Dhe, së dyti, e njëjta zgjidhje duhet të vlejë edhe për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën.
Po u pranua si fakt i kryer ndryshimi i strukturës etnike me anë të spastrimit etnik në veriun e Mitrovicës dhe po nuk u ofruan të drejta për popullatën shqiptare të Kosovës Lindore në po atë masë sa për serbët e veriut të Kosovës, situata mund të shpërthejë.
Lëvizja për Bashkim e konsideron të gabuar strategjinë e injorimit të problemit që po ndiqet nga Qeveria dhe spektri politik shqiptar. Duke mos u marrë me problemin, ne nuk mund t’i shmangim pasojat që sjell ai. Ne urgjentisht duhet të heqim dorë nga ky pasivitet dhe më në fund të fillojmë të sillemi si shtet dhe t’i mbrojmë interesat tona kombëtare. Aq sa ka të drejtë Serbia të interesohet për të drejtat e bashkëkombësve të vet brenda kufijve të Kosovës, po aq të drejtë ka edhe Kosova të interesohet për të drejtat e bashkëkombësve tanë brenda kufijve të Serbisë. Kjo duhet të jetë baza e çdo qasjeje të Kosovës ndaj këtij problemi.
LËVIZJA PËR BASHKIM
Prishtinë,
8.2.2012