×

​A duhet të synohet kthimi i sovranitetit në veri?

07.01.2009 · Driton Avdiu



Ngjarjet e fundit të ditëve të fundit të v. 2008 dhe të ditëve të para të v. 2009 e vendosën edhe një herë me tërë forcën e vet në qendër të vëmendjes së opinionit tonë çështjen e veriut të Kosovës në përgjithësi dhe atë të Mitrovicës në veçanti. Përleshjet dhe trazirat në veri ishin kryefjala dhe kryelajmi i të gjitha lajmeve që vinin nga Mitrovica në këtë acar të ashpër dimri, kurse gjendja aty vazhdon të jetë akoma mjaft e nderë me mundësi të shkallëzimit në çdo çast.

Togfjalëshi që dominon në diskursin e fjalorit të politikanëve në përgjigje ndaj kësaj situate dhe kur flasin për rrugëzgjidhjen e këtij problemi, qofshin në pushtet, në opozitë apo nga radhët e organizatave joqeveritare është “kthimi i sovranitetit dhe ruajtja e integritetit territorial” të Kosovës apo “respektimi i Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve që dalin nga pakoja e presidentit Ahtisari” (kjo e fundit del më shpesh nga goja e politikanëve të pozitës dhe opozitës). Tani së fundi më së largu me propozimet e veta në këtë drejtim shkoi kreu i AAK-së i cili u shpreh për formimin e disa nënstacioneve të reja policore të Policisë së Kosovës në veri të vendit me qëllim “për ta shtrirë sovranitetin e shtetit të Kosovës” edhe në këtë pjesë të territorit.

Para se të futemi më thellë në përpjekje për t’i zbërthyer më tej këto deklarata të politikanëve të Kosovës është shumë e logjikshme t’i shtrojmë disa pyetje të thjeshta.

Kur politikanët thonë “kthim i sovranitetit në veri” duhet t’i pyesim që të na e përkujtojnë se a thua në cilën periudhë kohore institucionet e Kosovës paskan ushtruar sovranitet në këtë pjesë të Kosovës në mënyrë që ta kthejnë edhe një herë këtë sovranitet? Me sa e kujton cilido qytetar i Kosovës që e ka të ruajtur kujtesën që nga mesi i v. 1999 e këtej (pra që nga ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë) Prishtina zyrtare asnjëherë nuk e ka pasur mundësinë ta ushtrojë autoritetin e vet sovran në veri të Kosovës, bile në masë të madhe e ka pasur të kufizuar këtë sovranitet (dhe për shumë fusha që janë të përkufizuara në pakon e Ahtisarit do ta ketë edhe në të ardhmen kufizimin e ushtrimit të sovranitetit) e as sot nuk e ka mundësinë ta ushtrojë sovranitetin normal as në tërë pjesën tjetër të territorit të Kosovës, me theks të veçantë në enklavat e banuara me pakicë serbe. Pra, gabimi themelor qëndron në shtruarjen për zgjidhje të problemit të veriut në baza të gabuara. Nuk mund ta kthesh sovranitetin aty ku nuk ke e pasur atë asnjëherë, përveç në rast se në atë pjesë të territorit hyn me aparate të dhunës shtetërore, që me fjalë të tjera praktikisht do të ishte pushtim i tij.

Kjo është vetëm ana logjike e problemit. Tani të vazhdojmë me anën politike, por edhe njerëzore të këtij problemi të mprehtë në marrëdhëniet akoma të pazgjidhura shqiptaro-serbe. Është absurde që problemi i veriut të shikohet i shkëputur nga tërësia e çështjes akoma të pazgjidhur të Kosovës dhe të marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Bile veriu i Kosovës (gjithmonë pa qytetin e Mitrovicës) dhe Kosova Lindore janë nyja nevralgjike dhe çelësi i zgjidhjes së këtyre marrëdhënieve.

Pyetja tjetër që shtrohet në këtë trajtim të “ushtrimit të sovranitetit” e që lidhet me të parën është: a kemi të drejtë të pretendojmë ta shtrijmë sovranitetin në ato pjesë të Kosovës të cilat as historikisht, as etnikisht, as ekonomikisht, e as aktualisht nuk i takojnë trungut kombëtar shqiptar. Përkundrazi, ato kanë qenë dhe janë në të gjitha elementet e lartpërmendura pjesë të trungut kombëtar të popullit serb dhe prandaj duhet të trajtohen si pjesë e kombit serb me të gjitha të drejtat që i takojnë një kombi deri në të drejtën për vetëvendosje. Pra, këtu mendohet për tri komunat veriore që aktualisht figurojnë në hartën administrative të Kosovës (apo, më saktë, për pjesën më të madhe të këtyre komunave): Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Ndёrsa, sa i pёrket qytetit tё Mitrovicës, çёshtja qëndron krejt ndryshe. Pjesa veriore e këtij qyteti, edhe pse aktualisht qeveriset nga serbët, gjatë gjithë historisë ka qenë e banuar me shumicë shqiptare. Kjo strukturë ka ndryshuar dhunshëm vetëm pas luftës së fundit (1999). Prandaj Mitrovica paraqet pjesë të interesit kombëtar shqiptar dhe kthimi i njerëzve në pronat e veta dhe ushtrimi i sovranitetit të Kosovës mbi këtë pjesë është i domosdoshëm.

Mirëpo të gjitha këto kushte të lartpërmendura për tri komunat me shumicë dërrmuese serbe në veri të Kosovës i plotësojnë në pjesën më të madhe edhe tri komunat me shumicë shqiptare që sot për sot janë nën Serbi: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Edhe këto komuna në pjesën më të madhe të tyre janë pjesë e vazhdimësisë së pandërprerë të trungut kombëtar shqiptar, qoftë nga aspekti historik, ai demografik, ekonomik dhe i formimit shpirtëror. Dhe banorët shqiptarë të këtyre komunave i përmbushin kriteret që të trajtohen si komb me të gjitha të drejtat që u takojnë kombeve deri në të drejtën për vetëvendosje. Natyrisht se këto shkallë të drejtash nuk mund t’i gëzojnë serbët në brendi të Kosovës (p.sh. në Graçanicë apo Shtërpcë) apo shqiptarët në brendi të Serbisë (p.sh. në Beograd apo në Novi Sad), por vetëm të drejtat e pakicave kombëtare në bazë të të gjitha konventave ndërkombëtare.

Është e padrejtë edhe nga ana njerëzore të përpiqesh për të ushtruar sovranitet mbi njerëzit që nuk e duan dhe nuk e pranojnë sovranitetin tënd, pra të përpiqesh të ushtrosh sovranitet vetëm me anë të aparatit të dhunës. Përveç që është i padrejtë, ky lloj sovraniteti është edhe i paqëndrueshëm, sepse shtyllë mbajtëse e ka vetëm aparatin represiv të shtetit, sado i fortë qoftë ai. Nuk kemi nevojë të mendojmë më gjatë në këtë drejtim dhe të na kujtohet mënyra e ushtrimit të sovranitetit të Serbisë ndaj nesh deri në qershor 1999.

Ajo që i bën mjaft qesharake deklaratat “e forta” të politikanëve të Kosovës në lidhje me vullnetin e tyre për shtrirjen e sovranitetit është edhe fakti se asnjëherë kur kanë qenë në pozitë për ta ushtruar edhe atë pak sovranitet që ua japin dokumentet që vetë i kanë votuar (siç është Kushtetuta e Kosovës), nuk e kanë zbatuar këtë mundësi të paktën në ato pjesë të Kosovës ku realisht ka potencial për të treguar shenja sovraniteti nga ana e autoriteteve të Kosovës, siç është rasti i vizitave të panumërta në shumë pjesë të Kosovës të delegacioneve qeveritare serbe që nga niveli më i lartë politik, sidomos pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Të gjitha këto vizita të qeveritarëve serbë që janë kryer pa asnjë telashe kanë pasur në epiqendër të qëllimeve të tyre dëshmimin para opinionit të brendshëm serb, para pjesëtarëve të pakicës serbe në Kosovë dhe para faktorit ndërkombëtar se shteti serb akoma është gjallë dhe i fortë jo vetëm në veri, por edhe në ato pjesë në thellësi të Kosovës që popullohen nga pjesëtarë tё kësaj pakice. Dëshmi më të fortë dhe më të qartë se hapja e degës së Postës dhe Telekomit të Serbisë pak kilometra larg Prishtinës, në Graçanicë, pak ditë më parë nuk mund të ketë.

Pra, autoritet e Kosovës (nëse gjykojmë me mënyrën e sjelljes politike të këtyre autoriteteve deri tani) kanë rënë në provim, jo një herë, por dhjetëra herë deri më tash dhe janë të gjithë treguesit se njësoj do të bien në provim edhe në të ardhmen nga sprovat e “shtrirjes së sovranitetit të Kosovës” para të cilave është duke i vënë Serbia në vazhdimësi edhe në ato pjesë të Kosovës ku nuk guxojmë assesi të lejojmë kurrfarë pranie as simbolike, e aq më pak faktike të shtetit serb.

Kështu deri më tani Serbisë është duke iu dhënë “drita jeshile” për ta vazhduar projektin e vet të ndarjes funksionale në mes të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, projekt ky që e ka gjetur edhe mbështetjen e heshtur të të gjithë faktorëve relevantë ndërkombëtarë, nëpërmjet të aprovimit të gjashtë pikave të propozuara nga Serbia në KS të OKB-së, ndarje kjo që hap mundësinë për një ndarje edhe faktike dhe përfundimtare të Kosovës nesër. Sa më e përgjumur të tregohet sot shoqëria shqiptare ndaj këtyre zhvillimeve të rrezikshme për të, aq më të mëdha janë gjasat që pasojat e këtyre zhvillimeve të jenë më të rënda nesër.

Prishtinë, 7.1.2009