×

Arrestimet - vetëm njëri nga treguesit e gabimeve politike

05.01.2017 ·



Serbia vazhdon që përmes urdhërarresteve ndërkombëtare, të cilat i riaktualizon herë pas here, të ndikojë që shtete të ndryshme të ndalojnë dhe arrestojnë ish-ushtarët dhe komandantët e UÇK-së. Kështu ndodhi edhe me z.Ramush Haradinaj kryetar i AAK-së, i cili u ndalua dje nga autoritetet franceze.

Në thelb të këtyre veprimeve të Serbisë qëndron mohimi i shtetit të Kosovës dhe trajtimi i luftëtarëve të UÇK-së jo si ushtarë që kanë luftuar për një të drejtë siç është çlirimi nga pushtimi e që ka rezultuar me këtë shtet por si kriminel që janë rebeluar kundër pushtetit. Pra, këtu më tepër se një veprim juridik kemi të bëjmë me një luftë politike të Serbisë kundër shtetit të Kosovës.
Duke u nisur nga kjo, për Lëvizjen për Bashkim është e qartë se këto përpjekje të Serbisë nuk janë të izoluara e sporadike por janë pjesë e strategjisë së saj për ta defunksionalizuar dhe delegjitimuar shtetin e Kosovës. Kjo situatë, padyshim, është pasojë e vazhdimit të moszgjidhjes së çështjes shqiptaro-serbe, si rezultat i qasjes së gabuar të forcave politike shqiptare, qoftë përmes bisedimeve pa platformë, qoftë përmes refuzimit të bisedimeve në tërësi. Lëvizja për Bashkim, ashtu siç e ka deklaruar që në Platformën për Zgjidhjen e Çështjes Shqiptaro-Serbe të publikuar në vitin 2010 dhe ka kërkuar vazhdimisht nëpër institucionet më të larta të vendit, konsideron se rruga e vetme të cilën duhet ta ndjekë Kosova në raport me Serbinë janë bisedimet politike në të cilat do të shtroheshin çështjet e pazgjidhura në mes të dy vendeve dhe popujve, duke përdorur parimin e reciprocitetit në zgjidhjen e tyre, e sidomos duke e vendosur në qendër të reciprocitetit pozitën e serbëve në tri komunat veriore të Kosovës me tri komunat shqiptare Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sa i përket rastit më të fundit, arrestimit të z.Haradinaj, Lëvizja për Bashkim i bënë thirrje të gjitha institucioneve të vendit, që të bëjnë çdo gjë që është në përgjegjësinë e tyre, përfshirë komunikimin diplomatik me Brukselin dhe Parisin zyrtar, që z.Haradinaj të lirohet sa më shpejt. Në anën tjetër, e konsiderojmë domosdoshmëri që qeveria dhe të gjitha institucionet e tjera të marrin të gjitha masat që në bashkëpunim me shtetet aleate të punohet që të anulohen këto urdhërarreste ndëkombëtare të lëshuara nga Serbia. Në këtë aspekt duhet të veprohet në dy drejtime: e para të intensifikohen përpjekjet për anëtarësimin e plotë të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar, e në këtë rast edhe në INTERPOL, dhe e dyta, të merret vendim nga Qeveria e Kosovës që të mos lejohet hyrja e asnjë zyrtari shtetëror serb në Kosovë pa u tërhequr të gjitha fletarrestet ndërkombëtare për ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prishtinë
5.1.2017

Lëvizja për Bashkim