×

CILIT DOKUMENT PO I THEMI JO?

17.11.2008 · Osman Shahini



Çështja kryesore që këto ditë është bërë temë bisede, politike e mediale, shoqërore e familjare, është propozimi gjashtëpikësh i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun.

Kjo temë u kthye në Kosovë pasi Serbia dhe Bani arritën marrëveshje që të shtrohet në OKB vendosja e EULEX-it nën urdhrat e OKB-së. Marrëveshja me Serbinë u arrit mbi propozimet e ish-ministrit serb Sllobodan Samarxhiq, për ndarjen funksionale të pushtetit në Kosovë. Kjo nismë serbe u mor në janarin e v. 2008 dhe në Kosovë kaloi si shumë propozime serbe me komentin se në Kosovë ka një realitet të ri dhe se për Kosovën nuk duhet të pyetet Serbia.

Kur në qershor 2008 Ban Ki Mun u dërgoi letra Tadiçit dhe Sejdiut, letër kjo e hartuar mbi propozimet e Samarxhiqit, Bani mori një letër falënderimi nga Kryetari i Kosovës. Kjo do të thoshte se gjithçka është në rregull.

Tani kur janë pranuar edhe tri kushtet e reja të Serbisë: neutraliteti i EULEX-it, mosnjohja e Pakos së Ahtisarit dhe futja e këtij të fundit nën ombrellën e (kupto juridiksionin) e OKB-së, përnjëherë doli se gjërat nuk paskan qenë në rregull.

Serbisë i duheshin këto tri kushte, sepse përmes tyre kalonte rruga për ta realizuar Planin gashtëpikësh.

Pozita dhe opozita në Kosovë si rrallë ndonjëherë ka pasur qëndrim të njëjtë për një çështje sa këtë radhë.

Po për çfarë janë bashkuar pozita dhe opozita – këtë zor se mund të na e thotë ndokush. Arsyeja për këtë qëndron në faktin se askush nga opozita, madje as pjesa dërrmuese e strukturave udhëheqëse të pozitës, nuk e di se çfarë përmban në të vërtetë plani gjashtëpikësh. E lëre më strukturat tjera të shoqërisë... Përveç ndonjë fjalie tejet të përgjithësuar, ky plan nuk u bë publik asnjëherë, duke u mbajtur sekret jo vetëm nga populli, por edhe nga forcat politike që janë në parlament. Madje edhe një nënkryetar parlamenti deklaron hapur se ndonëse e ka kundërshtuar Planin e Ban Ki Mun-it dhe e ka përkrahur Sejdiun dhe Thaqin në qëndrimet e tyre, ai kurrë nuk e ka parë atë.

Pra, pyetja që shtrohet në mënyrë të logjikshme në këtë situatë është: cilit dokument po i thuhet JO! ?

Mbajtja e planeve të tilla larg popullit, me bindjen se kështu do të kalojnë më lehtë, ka qenë praktikë e këtyre viteve të fundit. Edhe kur shkohej në bisedime me Serbinë në Vjenë, asnjë fjalë nuk i thuhej popullit në emër të të cilit flisnin. Madje shumë më të hapura ishin delegacionet tona me Beogradin, sesa me Atë në emër të të cilit flisnin.

Tani, përderisa akoma nuk e dimë se çfarë është biseduar në Vjenë, a mund t’i pyesim politikanët tanë se mos plani gjashtëpikësh është rezultat i atyre bisedimeve dhe lëshimeve të bëra atje? Mos rastësisht ky plan duhet ta realizojë decentralizimin e premtuar, ruajtjen e kulturës "serbe" në Kosovë, apo t’i plotësojë standardet e premtuara për pakicat jashtë çdo konvente ndërkombëtare? Mos duhet që ky plan ta legjitimojë ndarjen e Kosovës në kurriz të popullit shqiptar? , ndarje që politikanët e pozitës dhe të opozitës asnjëherë me asnjë hap të vetëm konkret nuk e kanë kundërshtuar.

Manipulimi me atë se çfarë fshihet pas planit bën të mundur lojën me ndjenjat e popullit, mistifikon politikën dhe ngre mbi baza të dyshimta autoritetin e udhëheqjeve tona politike.

JO! në radhë të parë duhet t’i thuhet kësaj mënyre të bërjes së politikës, në mënyrë që çdonjëri nën këtë qiell ta ketë mundësinë ta japë kontributin e tij për të ardhmen e vendit.

JO! duhet ti thuhet çdo plani që cenon interesat e popullit dhe përfundimisht duhet t’i thuhet PO! një plani që zgjidh përgjithmonë konfliktin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Kjo do të arrihej që duke i thënë JO! një plani, të ofrosh në tavolinën e bisedimeve dhe para popullit që përfaqëson ofertën tënde që buron nga vullneti i popullit.

Prishtinë

17.11.2008