Gjatë një forumi të organizuar në Bruksel nga “German Marshall Fund”, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, përsëriti tezën e tij të mëhershme se në rastin e Kosovës Serbia na qenka pala që ka humbur gjithçka dhe se kjo nuk na qenka e drejtë. Prandaj, për këtë çështje - pra për ndarjen territoriale në mes të shqiptarëve dhe serbëve - sipas tij u dashka të bisedojnë Serbia dhe Shqipëria!
Së pari, nuk është vërtetë se në rastin e Kosovës Serbia ka humbur gjithçka! Është e kundërta: përgjatë 100 vjetëve Serbia i ka shkaktuar Kosovës humbje dhe vuajtje të mëdha, duke e mbajtur atë të pushtuar. Ndërsa edhe tani Serbia mban ende territore të Kosovës, të banuara edhe historikisht, edhe aktualisht me shqiptarë: Preshevën, Bujanocin e Medvegjën dhe duke i manipuluar një pjesë të serbëve të Kosovës ajo e mban nën kontroll edhe pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Atë çka ka humbur Serbia në Kosovë është pozita e saj prej kolonizatori.
Së dyti, duke kërkuar bisedime me Tiranën për çështjen e Kosovës, Tadiqi po përpiqet ta anashkalojë faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe po përpiqet që çështjen ta kthejë para vitit 1999, në mënyrë që pastaj të vijë në shprehje një ndarje e Kosovës në mes të Serbisë dhe Republikës së Shqipërisë! Në këtë rast Tadiqi duhet ta dijë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe mbi këtë të vërtetë nuk mund të kalojë askush.
Lëvizja për Bashkim deklaron se Kosova dhe Serbia kanë çka të bisedojnë dhe duhet të bisedojnë. Edhe Kosova, edhe Serbia, nëse vërtetë duan një zhvillim dhe mirëqenie ekonomike dhe nëse duan integrime ndërkombëtare, duhet t’i rreken seriozisht zgjidhjes së problemeve të mbetura pas luftës në Kosovë dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo në mes të shqiptarëve dhe serbëve kanë mbetur të zgjidhen vetëm edhe Presheva, Bujanoci e Medvegja, si Kosovë Lindore dhe Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku, si veriu i Kosovës. Pas zgjidhjes së plotë të çështjes shqiptaro-serbe, Kosovës i hapet mundësia për ta shtruar çështjen e saj më të rëndësishme: bashkimin me Republikën e Shqipërisë.
Prishtinë
30.3.2011