×

​Fjala e deputetit të LB-së në Kuvendin e Kosovës, z. Agim Kuleta, e mbajtur në tryezën e organizuar nga Grupi i Ekspertëve E15, rreth bisedimeve politike me Serbinë.

29.10.2012 · Agim Kuleta



Problemet midis Kosovës dhe Serbisë - politike

Pa dyshim që problemi kryesor politik me të cilin është ballafaquar vendi ynë që nga paslufta, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë, është problemi i veriut të vendit. Në këtë ballafaqim janë vërejtur shumë dobësi të palës sonë, të cilat pastaj kanë reflektuar fuqishëm në ndërtimin e politikës sonë në raport me këtë problem. Këto dobësi kanë rrjedhur si pasojë e një perceptimi të gabuar të realitetit. Një perceptimi më tepër emocional sesa logjik. Kësaj radhe unë do t’i veçoja vetëm dy prej këtyre dobësive, por që konsideroj se janë më thelbësoret. Për më tepër, janë gabime që vazhdojnë të mbijetojnë edhe më tutje, pra, edhe në këtë fazë shumë kritike për vendin.

  • Gabimi i parë - është klasifikimi i gabuar i këtij problemi si problem i sigurisë. Gabim ky i cili buroi nga një frikë irracionale për ta quajtur atë me emrin e vërtetë të tij, pra: problem politik, dhe
  • Gabimi i dytë – është perceptimi gjysmak i problemit. Pra, trajtimi si problem vetëm pozicioni i serbëve në veri të vendit, e jo në të njëjtën kohë edhe i shqiptarëve në Kosovën Lindore. Ky gabim ka prodhuar pastaj edhe një pasojë tjetër: ka bërë që zgjidhja të kërkohet në raportet midis institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të pabindur serbë të veriut, ndërkohë që, duke qenë problem politik, adresa është krejtësisht tjetër.

Prandaj, për të kërkuar model të përshtatshëm dhe realist për zgjidhjen e këtij problemi, konsideroj se së pari duhet të nxirret një konstatim i drejtë mbi gjendjen. Unë konsideroj që konstatimi i drejtë është ky:

  • së pari, ky është PROBLEM POLITIK, dhe,
  • së dyti, ky është problem shqiptaro-serb, pra, problem MIDIS DY SHTETEVE.

VERIU I VENDIT - PROBLEM POLITIK

Këtu konsideroj se tashmë nuk ka nevojë të argumentohet fare. Është realiteti ai që argumenton më së miri. Krejt ky proces nëpër të cilin kemi kaluar, në kërkim të zgjidhjes së problemit, ka qenë i bazuar në trajtimin e këtij problemi si problem të sigurisë. Dhe duke qenë se si proces dështoi, pra, nuk arriti ta sigurojë shtrirjen e autoritetit në veri dhe integrimin e serbëve të veriut në institucionet e vendit, sot zgjidhja po kërkohet në një nivel krejt tjetër, pra, në atë politik. Deri diku ky gabim tash është i tejkaluar. Megjithëse nuk mund të themi se janë të tejkaluara edhe pasojat e këtij gabimi.

PROBLEM MIDIS DY SHTETEVE

Realiteti çdo ditë e më tepër, me kokëfortësi, po e argumenton se Kosova nuk ka problem me serbët e veriut për veriun e Kosovës, por ka problem me Serbinë për veriun e Kosovës dhe për Kosovën Lindore. Pra, ky nuk është një problem i thjeshtë, teknik dhe i sigurisë, por është një problem i thellë politik. Prandaj edhe do qasje dhe zgjidhje të tillë. Dhe kjo na sjell në përfundimin tjetër se ky është një problem më i gjerë, pra, është problem midis dy shteteve.

Në konstatimin e mësipërm, megjithatë, ka një problem. Kur është fjala për Kosovën Lindore, ka një stepje nga institucionet e vendit dhe nga një pjesë e mirë e shoqërisë në përgjithësi. Pra, institucionet dhe partitë politike, përgjithësisht, e kanë ndjekur një politikë izolacioniste ndaj kësaj pjese të banuar me shqiptarë.

Nëse flasim për arsyeshmërinë e kësaj frike për t’iu qasur kësaj pjese të çështjes së pazgjidhur shqiptaro-serbe deri në pavarësimin edhe juridik të Kosovës, hezitimi për ta trajtuar edhe atë si problem është i kuptueshëm. Po ashtu është e kuptueshme edhe frika për ta klasifikuar problemin si problem politik. Sepse, përderisa nuk ka qenë i definuar statusi i Kosovës, rreziku që temë e bisedimeve të jetë edhe çështja e statusit ka qenë shumë real. Mirëpo, me shpalljen e pavarësisë dhe me njohjen e saj nga shtetet kryesore të involvuara në këtë proces, frika nga këto dy gjëra tanimë është irracionale.

Pra, përfundimisht, kemi të bëjmë me një ÇËSHTJE POLITIKE MIDIS DY SHTETESH.

SI TË ADRESOHET KJO ÇËSHTJE?

Për Lëvizjen për Bashkim, të jem i sinqertë, kjo dilemë nuk ka ekzistuar kurrë. Qysh në vitin 2010, ne kemi nxjerrë një platformë për zgjidhjen e këtij problemi shqiptaro-serb. Koncepti i kësaj platforme qëndron në dy parime të palëkundshme dhe të pa alternativë: zgjidhja duhet të bazohet në reciprocitet dhe ajo duhet të arrihet përmes bisedimeve politike. Për të qenë sa më racional në këtë drejtim, unë këtu do t’i shpalosja vetëm shtyllat kryesore mbi të cilat është e ndërtuar ajo.

  • Bisedimet duhet të jenë politike dhe ato duhet të zhvillohen në mes të dy shteteve;
  • Pavarësia e Kosovës është e panegociueshme;
  • Bisedimet duhet të zhvillohen për çështjet e pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhjet duhet të bëhen mbi bazën e reciprocitetit: të gjitha të drejtat që do të mund t’i përfitonin tri komunat veriore të Kosovës – Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, duhet t’i gëzojnë edhe tri Komunat e Kosovës Lindore – Preshevë, Bujanoc e Medvegjë;
  • Pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës dhe fshatrat shqiptare përreth saj nuk mund të jenë temë e bisedimeve. Atje është kryer spastrimi etnik i shqiptarëve dhe ata duhet të kthehen në pronat e veta.

Siç e dimë, Kuvendi e miratoi një rezolutë rreth bisedimeve politike Kosovë-Serbi. E meta më e madhe e kësaj rezolute është mungesa e një klauzole e cila do të obligonte Qeverinë e Kosovës që, në konsultim me forcat tjera politike, të hartonte një platformë politike për këto bisedime, e cila pastaj do të aprovohej në Kuvend. Kam frikë se një rezolutë e tillë çfarë është miratuar, përbën një çek blanko që Kuvendi ia ka nënshkruar Qeverisë, dhe e cila pastaj mund t’ia vendosë shumën vetë sipas dëshirës. Konsideroj se kjo është gjë e rrezikshme. Prandaj, këtu do ta rishprehja atë që si subjekt politik e kemi shprehur disa herë, që rreziku Kosovës nuk i vjen nga bisedimet politike, por nga mungesa e platformës për këto bisedime. Për më tepër, bisedimet politike janë të domosdoshme për arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare për çështjet e mbetura pezull midis Republikës së Kosovës e Republikës së Serbisë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nuk mund t’i interesojë Serbisë më tepër se Kosovës zgjidhja e këtyre problemeve, kur dihet se pasojat e tyre po i bart shumë më tepër dhe shumë më drejtpërdrejt Kosova sesa Serbia. Prandaj edhe bisedimet janë shumë më tepër në favorin tonë, sesa të Serbisë.

Sa i përket propozimit të Zëvendëskryeministrit për një traktat të paqes me Serbinë, të cilin e përmendi edhe sot, në këtë tryezë, mendoj se nuk ka asgjë të keqe në qoftë se ky traktat do të vinte si rezultat i zgjidhjes të problemeve me Serbinë. Normalizimi i marrëdhënieve dhe traktati i paqes do të ishte i pakuptimtë dhe i paqëndrueshëm nëse ndërtohet mbi heshtjen e problemeve. Sepse këto probleme, herët a vonë, do të shpërthenin përsëri, dhe, rrjedhimisht, këto traktate do të bëheshin të padobishme dhe këto marrëdhënie do të mbeteshin jonormale.

Faleminderit për vëmendjen!

Prishtinë

29.10.2012