×

Jo shkëmbim por reciprocitet

26.01.2017 ·



Kohëve të fundit u riaktualizua çështja e shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Argumenti i përkrahësve të kësaj ideje është se në këtë mënyrë do ta zgjidhim problemin me Serbinë njëherë e mirë dhe Kosova do të lirohet nga një barrë e madhe e problemeve që vijnë si rezultat i mosdefinimit të kësaj çështjeje. Gjithashtu, si argument përdoret rreziku që, si pasojë e kolonizimit të veriut të Kosovës dhe shpopullimit të Kosovës Lindore, Kosova të mbetet pa të dy pjesët.

Lëvizja për Bashkim, edhe pse të dy argumentet i konsideron të qëndrueshme, nuk pajtohet me opsionin që ofrohet për zgjidhjen e problemit. Shkëmbimi i territoreve përveç që është i padrejtë, sepse përbën zgjidhje arbitrare që anashkalon vullnetin e banorëve të atyre pjesëve, në kontekstin aktual është edhe i pamundshëm. Prandaj, këto argumente duhet të na alarmojnë që këtij problemi t’i qasemi në mënyrë sa më reale dhe të drejtë.
Lëvizja për Bashkim insiston që qasja më e drejtë ndaj këtij problemi, në këtë kontekst, është zbatimi i parimit të reciprocitetit midis tri komunave të veriut dhe atyre të Kosovës Lindore. Shqiptarët duhet të ndalojnë së pranuari që zgjidhjet e problemeve në Ballkan të trajtohen me standarde të dyfishta, në të cilat, në çdo rast, të sakrifikuarit jemi ne, si në raport me serbët ashtu edhe në atë me maqedonasit. Për ta ndërtuar këtë qëndrim dhe për ta bërë atë të qëndrueshëm pavarësisht se kush është në pushtet, kërkohet arritja e konsensusit të të gjitha palëve në vend. Fatkeqësisht, deri më sot ka vetëm deklarata por asnjëherë gatishmëri reale për ta arritur këtë.

Prishtinë
26.1.2017

Lëvizja për Bashkim