Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot e dorëzoi në Kuvendin e Kosovës projektligjin i cili, pas miratimit në Kuvendin e Kosovës, do të krijojë bazën ligjore për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë ushtarake profesionale.
Lëvizja për Bashkim, është e vetëdijshme që opsioni më i mirë do të ishte transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese, ashtu siç është e vetëdijshme edhe që ky veprim përmes këtij procesi, për shkak të destruktivitetit të përfaqësuesve politikë të pakicës serbe, është pothuajse i pamundur për momentin. Prandaj, institucionet e Kosovës nuk duhet të lejojnë që shteti i Kosovës në vazhdimësi të mbetet peng i tekeve të forcave politike të cilat dirigjohen nga Beogradi, e që në rastin konkret kanë dalë hapur kundër formimit të ushtrisë së Kosovës. Situata e tanishme jo vetëm që e vë Kosovën në një situatë të pabarabartë me shtetet e tjera, por njëkohësisht edhe i degradon përpjekjet e ushtarëve dhe oficerëve të FSK-së për ta ngritur këtë mekanizëm në një ushtri, gjë për të cilën kanë punuar në vazhdimësi me përkushtim e sakrificë.
Në rrethanat aktuale, të paqartësive dhe një destabilizimi të vazhdueshëm në rajonin tonë, është e domosdoshme që Kosova të ketë ushtrinë e vet. Kjo bëhet edhe më e nevojshme duke pasur parasysh faktin që me statusin aktual FSK nuk mund të avancojë në bashkëpunimin institucional me NATO-n. Andaj, shfrytëzimi i të gjithë mekanizmave ligjor dhe veprimi me konsensus politik në këtë çështje është jo vetëm i domosdoshëm por edhe çështje urgjente.
Duke qenë kështu, Lëvizja për Bashkim përkrah nismën ligjore për ndërrimin e misionit të FSK-së dhe inkurajon të gjithë faktorët relevantë në këtë proces që ta bëjnë punën e tyre me përkushtim në mënyrë që ky proces të përfundojë me sukses.
Prishtinë
7.3.2017
Lëvizja për Bashkim