×

​Lëvizja për Bashkim mbështet protestën në Preshevë

10.05.2013 ·



Partitë politike shqiptare në Kosovën Lindore kanë paralajmëruar mbajtjen e një proteste gjithëpopullore në sheshin e Preshevës për të shprehur mospajtimin e tyre me mënyrën se si po trajtohen nga të gjithë faktorët vendosës.

Lëvizja për Bashkim shpreh mbështetjen e fuqishme për këtë nismë dhe konsideron se protesta të tilla, jo vetëm që është dashur të jenë të vazhdueshme deri më sot, por duhet të jenë të tilla deri në shtruarjen dhe zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës Lindore.

Lëvizja për Bashkim insiston se çështja e Kosovës Lindore është pjesë e problemit të pazgjidhur shqiptaro-serb dhe përderisa nga institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare nuk trajtohet si e tillë, nuk do të ketë zgjidhje të problemeve e normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

Kjo protestë dhe format e tjera të reagimit nga ana e shqiptarëve të Kosovës Lindore janë dëshmia më e mirë se qetësia e normalizimi nuk do të arrihen kurrë me marrëveshje gjysmake që i anashkalojnë problemet reale.

LËVIZJA PËR BASHKIM

Prishtinë,

10.5.2013