×

​Mosfunksionaliteti i shtetit të ri, zgjedhjet serbe në Kosovë dhe Lugina e Preshevës

14.04.2008 · Valon Murati



1. Një gjë është më se evidente që në ditët e para të krijimit të shtetit të Kosovës: funksionimi i këtij shteti në tërë territorin e tij do të jetë thembra e Akilit për stabilitetin dhe funksionalitetin e tij. Por për çdo vështrues të vëmendshëm të situatës politike kjo edhe nuk do të duhej të ishte befasi. Befasi kjo situatë si duket po shkakton vetëm tek rryma që e dominon sot skenën politike shqiptare në Kosovë. Në të vërtetë, mosfunksionalitetin dhe destabilizimin e vazhdueshëm ky shtet e ka të rrënjosur nga vetë “marrëveshja” që e ka krijuar, përkatësisht në atë që në opinion njihet si Pakoja e Ahtisaarit. Dhe për ta vështirësuar këtë situatë edhe më tej është kujdesur qeveria serbe dhe përfaqësuesit kryesorë politikë të serbëve të Kosovës, të cilët jo vetëm që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, jo vetëm që nuk i njohin institucionet e Kosovës, por për momentin, për ta ngritur ende pazarin, ata nuk e pranojnë asnjë pjesë të Pakos së Ahtisaarit. Në të vërtetë, Pakoja e Ahtisaarit dhe situata e krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës e ka shndërruar problemin shqiptaro-serb në një konflikt të brendshëm të nxehtë, të vazhdueshëm për Kosovën, me efekte të përhershme destabilizuese për të dhe e ka lënë të ngrirë konfliktin Kosovë-Serbi, sepse kjo e fundit vazhdon të ketë pretendime ndaj tërë territorit të Kosovës. Në këtë funksion, për ta mbajtur këtë konflikt të gjallë, ajo do të vazhdojë ta shfrytëzojë veriun e Kosovës dhe enklavat serbe në brendësi të Kosovës.

2. Sidoqoftë, serbët e Kosovës nuk janë problemi i vetëm, nuk janë burimi i vetëm i konfliktit të ngrirë Kosovë-Serbi, por janë dhe do të jenë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës të mbetur nën juridiksionin serb. Pra, dy janë faktorët që këtë konflikt nuk e kanë shuar dhe e lënë të hapur. E para është veriu i Kosovës dhe e dyta është Lugina e Preshevës. Pakoja e Ahtisaarit, me tërë mekanizmat që po i ngre, nuk do ta zgjidhë këtë problem, përkundrazi do ta lë të ziejë nga brenda, me rreziqe të mëdha për paqen, për raportet në mes të popujve dhe për demokracinë në Ballkan. Një ndër rreziqet kryesore është përpjekja për ta shmangur vendosjen e paraleles në mes të veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës. Vetëm duke e bërë krahasimin e tyre mund të vendosen bazat për zgjidhjen përfundimtare të kësaj situate të nderë. Si rezultat i trajtimit me të njëjtin kut, shpejt do të kuptohej se i vetmi parim i drejtë që i zgjidh raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe i shtendos marrëdhëniet në mes të dy popujve (gjithsesi të lodhur dhe të manipuluar me këto çështje të pazgjidhura) është zbatimi i parimit të vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje si për serbët në veriun e Kosovës, ashtu edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Dhe për të gjithë pjesët e të dy popujve që nuk do ta kishin të drejtën e vetëvendosjes për shkak të shkëputjes territoriale me kombin e vet dhe të të qenit pakicë aty ku jetojnë (serbët e Kosovës qendrore p.sh.), do të duhej të zbatoheshin standardet më të larta për të drejtat e pakicave. Në këtë rast, me një marrëveshje për zgjidhjen e këtyre problemeve do të eliminohej edhe rreziku, shpeshherë i paralajmëruar, i shkëmbimit të popullatave, që do të mbeteshin brenda kufijve të Kosovës, respektivisht Serbisë si pakica, sepse në natyrën e saj ky akt do të ishte jo vetëm johuman por dhe i panevojshëm në kushtet kur të dy shtetet (dhe popujt) do të merreshin vesh për zgjidhjen e problemeve kryesore që do të ishte burim i shtendosjes së marrëdhënieve të tyre dhe fillim i një ere të re e normale në marrëdhëniet e tyre.

3. Natyrisht, vetëm duke i përdorur mekanizmin e krahasimit, politika jonë do të duhej t’i përgjigjej edhe paralajmërimit për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Së pari, për të marrë pjesë serbët në zgjedhjet e përgjithshme në Serbi, përmes parimit të dyshtetësisë, do të ishte dashur të kërkohej që ata të pranonin shtetësinë e Kosovës dhe njëkohësisht shteti serb ta pranonte shtetin e Kosovës. Sa për krahasim, kroatët e Bosnjës dhe Hercegovinës marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Kroacisë dhe i kanë përfaqësuesit e vet atje, sepse këtë ua mundëson kushtetuta kroate. Por njëkohësisht ata e njohin shtetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, marrin pjesë në të gjitha institucionet e saj, lokale dhe qendrore, shteti kroat natyrisht që e njeh Bosnjë dhe Hercegovinën si shtet të pavarur, dhe mbi të gjitha, vetë kjo pjesëmarrje e kroatëve të Bosnjë dhe Hercegovinës në zgjedhjet kroate bëhet edhe me miratimin e Sarajevës zyrtare. Së dyti, do të duhej kërkuar që edhe shqiptarët e Preshevës, Bujanocit, Medvegjës, por pse jo edhe ata të Beogradit dhe kudo që jetojnë e punojnë shqiptarët në Serbi si qytetarë të shtetit serb, të kenë të drejtën ta marrin shtetësinë e Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, ato kanë karakter më të komplikuar, sepse drejtpërdrejt e cenojnë sovranitetin e shtetit të ri dhe të brishtë. Ndonëse tendencë e UNMIK-ut dhe të bashkësisë ndërkombëtare është që ato të mos mbahen të njëjtën ditë me ato që do të mbahen në Serbi, por të gjendet një kompromis, ku këto zgjedhje do të mbaheshin më vonë me bekimin e UNMIK-ut, në mënyrë që në një formë ose tjetrën, këto institucione të dala nga këto zgjedhje t’i përgjigjeshin edhe UNMIK-ut sipas Rezolutës 1244. Sidoqoftë, nëse këto zgjedhje mbahen, do të duhej kërkuar trajtim i njëjtë edhe për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë do të duhej bojkotuar zgjedhjet si lokale, ashtu edhe parlamentare në Serbi dhe njëkohësisht t’i bënin presion bashkësisë ndërkombëtare dhe shtetit serb, ashtu që zgjedhjet lokale që ata do t’i mbanin ndërkohë të ishin pjesë e sistemit politik dhe juridik të Kosovës, ose së paku këto komuna ta fitonin të njëjtën shkallë të decentralizimit dhe lidhjeve me Kosovën që serbëve të veriut të Kosovës iu lejohet me Pakon e Ahtisaarit. Sa do që tërë këto që u thanë duhet të jenë pjesë e një loje dhe presioni politik që duhet ta bëjnë edhe shqiptarët që t’i bëjnë të krahasueshme këto dy probleme, zgjidhja e vetme e drejtë është ajo që u theksua më lart: zbatimi i parimit të vetëvendosjes deri në shkëputje si për serbët në veri, ashtu edhe për shqiptarët në Luginë.

Prishtinë

14.4.2008