×

Moszgjidhja e çështjeve me Serbinë, parajsë e vërtetë për keqqeverisjen e korrupsionin

28.02.2019 · Lëvizja për Bashkim



Bllokimi i dialogut “të vjetër” dhe mundësia e hapjes së një dialogu mbi baza të tjera i ka lënë nën hije të gjitha punët tjera të qeverisë e të institucioneve shtetërore. Kjo situatë më së shumti u ka konvenuar e po u konvenon atyre që janë mësuar me krim të organizuar, korrupsion, nepotizëm e dukuri të tjera të dëmshme për shtetin e qytetarët.

Përplasjet publike rreth marrëveshjes me Serbinë kanë lënë në margjina çështje shumë të rëndësishme e vitale për shtetin e për jetën e qytetarëve: në veri të vendit katër kryetarët serbë kanë dhënë dorëheqje dhe shteti me mekanizmat e vet nuk po ka guxim t’i organizojë zgjedhjet e reja, duke krijuar kështu terren për vakum joinstitucional e kaos të vërtetë atje; raportet e shtetit me “Bechtel&Enka” janë jotransparente dhe zakonisht në dëm të Kosovës; kontrata me “Contour Global” për “Kosovën e Re” konsiderohet si shumë e dëmshme e me pasoja afatgjata për Kosovën; keqmenaxhimi i ndërmarrjeve publike dhe pronës publike si dhe i buxhetit dhe i rezervave të shtetit kalojnë pothuajse në heshtje e të mos flasim sesi po shfrytëzohet kjo situatë për punësimet partiake e familjare, me të cilët janë mbushur institucionet e ndërmarrjet publike. Çështje të tilla të cilat prekin interesin e qytetarëve dhe e dëmtojnë jetën e tyre të përditshme ka shumë, ndërsa reagimi i publikut dhe debati publik është shumë i vogël, e kjo për shkak se krejt vëmendjen e publikut po e zë problematika me Serbinë.

Stërzgjatja e sabotimi i zgjidhjes së problemeve me Serbinë, të përcjella me retorika patriotike e populiste janë parajsë e vërtetë për keqqeverisjen, krimin e organizuar e korrupsionin, por po i kushtojnë e do t’i kushtojnë shumë Kosovës e qytetarëve të saj.

Prandaj, të gjitha institucionet shtetërore, të gjitha partitë politike e madje edhe intelektualët e shoqëria civile duhet t’i shtojnë përpjekjet në drejtim të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, si parakusht i kthimit të vëmendjes tek cilësia e qeverisjes, ekonomia, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit e tek jeta më e mirë të qytetarëve.

Lëvizja për Bashkim

Prishtinë, 28.2.2019