×

​Ndryshimet e politikave fiskale në funksion të prodhimit vendor

10.04.2013 · Aurora Bakalli



Të nderuar deputetë,

Në vazhdim do t’i prezantoj pikëpamjet e ekspertëve të ekonomisë së Lëvizjes për Bashkim lidhur me temën të cilën po e debatojmë sot.

Është me rëndësi të kuptohet se gjatë përpilimit të politikave tatimore bëhen përpjekjet e gjetjes së mënyrave për mbledhjen e sa më shumë tatimeve, por që ato të jenë sa më pak të dhembshme për paguesit e tyre. Tatimet e mbledhura shfrytëzohen për funksionimin e institucioneve qeveritare të cilat punojnë në zhvillimin e politikave të shtetit. E njëra nga këto politika është edhe politika ekonomike të cilën Qeveria e Kosovës do të duhej ta bënte me qëllim të zhvillimit të vendit. Por, ndonjëherë ndodh që të njëjtat të bëhen pikërisht pengesë e zhvillimit të politikave të duhura ekonomike.

Politikat aktuale tatimore në Kosovë janë mjaft të moderuara. TVSH-ja është 16%, që e stimulon importin dhe është më e ulëta në rajon. Tatimet në të ardhura janë ‘progresive të moderuara’, gjë që më shumë i favorizon ata që kanë paga më të mëdha se sa ata me paga më të ulëta. Tatimet të cilat paguhen në kufi, si TVSH-ja, reinbursohet më pastaj nga vetë konsumatorët tek shitësit dhe prodhuesit.

Tani do të fokusohem me shqyrtimin e atyre tatimeve të cilat janë vendimtare në politika tregtare dhe fiskale. Tatimi prej 10% në dogana - Lidhur me këtë kemi bërë një analizë gjysmë empirike, duke u nisur së pari nga fakti që të gjithë e dimë që aktualisht kemi 2.2 miliard euro importe, duke abstrahuar këtu 47% të tregtisë me vendet e CEFTA me të cilat nuk paguhet 10% dogana, atëherë mbetet që për 1,13 miliard euro importe mblidhen 10% të tatimit doganor, e nëse kësaj ia shtojmë të dhënat statistikore që diku rreth 20% të këtyre importeve janë repromaterial, atëherë del se miliona euro do të duhej humbur nga buxheti i Kosovës në rast lirimi imediat të bizneseve nga këto tatime. Këtë sigurisht që vështirë do ta pranonte ndonjë shtet në rajon dhe në botë, pra që përnjëherë t’i shkaktojë vetës mungesa në buxhet me një sasi, sipas vlerësimit tonë, prej rreth 5 deri në 10%. Kjo do të shkaktonte mos-funksionimin e disa prej dikastereve të cilat edhe ashtu janë gjysmëfunksionale.

Por çfarë propozojmë ne si Lëvizje për Bashkim se mund të bëhet në këtë drejtim?

Pa dyshim se një reformë e politikave tatimore duhet bërë në kuptimin që së pari të caktohen sektorët prioritarë të ekonomisë dhe pastaj për këta sektorë të shfrytëzohen modelet e lirimit nga tatimet. Kjo do t’i zvogëlonte humbjet buxhetore të përnjëhershme dhe do t’i jepte mundësi zhvillimit të sektorëve të cilët kanë përparësi konkurruese me rajonin apo edhe më gjerë. Kjo do të thotë se këto kompani mund të prodhojnë për të eksportuar, e me këtë edhe do të ndikonin në zgjerimin e bazës ekonomike të Kosovës. Është me rëndësi se të gjitha këto tatime do të mund të formuloheshin në atë mënyrë që do t’iu ndihmonin bizneseve të cilat kanë kapacitet zgjerimi. Mirëpo, kjo assesi nuk do të thotë se kompanitë më të dobëta do të duhet lënë anash. Për këto kompani Qeveria do të duhej krijuar fonde të veçanta nga suficiti i buxhetit me të cilat do t’i financonte ato me norma shumë të ulëta të interesit. Kjo do të krijonte një hapësirë të mirë që këto kompani, pasi të jenë treguar të suksesshme, të lirohen nga tatimet të cilat pengojnë në zhvillimin e tyre dhe në eksportim të produkteve të tyre.

Një tjetër reformë do të mund të ishte rritja e TVSH-së (apo hapja e fluktimit të TVSH-së, p.sh 6-20%) për disa produkte si dhe vendosja e një TVSH-je të përshkallëzuar që do të kishte një rol të rëndësishëm në ofrimin e mundësive të zhvillimit të kompanive kosovare. Pra, kompanitë do të mund të paguanin TVSH më të ulët për disa makineri prodhuese, makineri pune dhe për lëndë të parë. Nga ana tjetër TVSH-ja e rritur sigurisht që do ta vështirësonte pozitën e konsumatorit për disa nga produktet e konsumit të zgjatur (produktet e luksit) por që në të njëjtën kohë do ta zvogëlonte mundësinë e qasjes së produkteve nga importi në Kosovë me nivel fluksi të tanishëm. Kjo do ta stimulonte produktin vendor, i cili me këtë reformë tatimore do të dilte më i lirë në treg. Kjo rritje e TVSH-së për disa nga produktet gjithashtu do të mund t’i balanconte humbjet të cilat do të mund të shkaktoheshin me aplikimin e TVSH-së së përshkallëzuar.

Dhe krejt në fund, duhet theksuar se tanimë janë bërë disa përpjekje për lehtësime tatimore të cilat janë përfshirë në ligjin i cili liron nga tatimet disa nga sektorët dhe disa nga makineritë. Ky ligj mundëson lirime nga tatimet të produkteve të cilat përdoren për mirëqenie të përgjithshme si: automjete dhe makineri të cilat përdoren për raste urgjente, si dhe për raste të veçanta, pra që nuk përdoren shpesh, që kanë kosto të mëdha dhe nuk ofrojnë profit të madh (p.sh makina për ndërtim të urave të mëdha, të digave etj). Pra, në këtë ligj nuk hasim lirime për produktet të cilat do të mund të ndihmonin rritjen e kapacitetit prodhues të vendit për eksport.

Si përfundim, ne si Lëvizje për Bashkim konsiderojmë se çështjet e ngritura dhe rekomandimet që dalin nga ky debat janë të rëndësishme për zhvillimin e prodhimtarisë, por që këto reforma të propozuara do të duhej të bëhen me formë të moderuar dhe të balancuar, në mënyrë që të mos shkaktohen dëme për Kosovën. Pra, çdo orientim i përnjëhershëm në cilindo drejtim, qoftë në mbledhjen e numrit sa më të madh të tatimeve, apo në të kundërtën, në heqjen e tyre në mënyrë imediate, do të shkakton dëme që vështirë do të mund të rikuperoheshin.



Ju faleminderit!

Aurora Bakalli, deputete e LB-së në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë, 10.4.2013