Serbia po e realizon edhe një projekt të saj shtetëror në veriun e Kosovës: atë të rrjetit hekurudhor të Serbisë!
Sot ajo edhe praktikisht e ka nisur qarkullimin e trenave në këtë pjesë të Kosovës!
I gjithë opinioni shqiptar është i shqetësuar dhe plot pezëm! Në të njëjtën kohë të gjithë i ka kapluar një gjendje stepjeje dhe pamundësie për t’u kundërpërgjigjur! Edhe qytetarët, edhe institucionet, edhe të gjitha partitë politike e madje edhe shoqëria civile të vetmen formë të reagimit e kanë ofshamën, sharjet e fajësimin e njëri-tjetrit për këtë gjendje!
Në realitet, gjendja e tillë nuk është pasojë e pamundësisë për t’iu përgjigjur politikës serbe, por është drejtpërdrejt pasojë e një politike të gabuar të ndjekur përgjithësisht që nga paslufta e këtej!
Shqiptarët, nëse duan vërtet t’i përgjigjen siç duhet Serbisë, apo nëse duan t’i realizojnë synimet e veta dhe të ecin përpara, duhet urgjentisht që përmes përfaqësuesve të vet të mblidhen e ta hartojnë platformën kombëtare për të dalë nga kjo situatë dhe për ta filluar një jetë të mirëfilltë politike e zhvillimore!
Përndryshe, treni është vetëm hyrje në synimet e përgjithshme të Serbisë ndaj Kosovës!
Kështu, siç jemi, të çorientuar dhe të përçarë, Serbia i realizon pa probleme të mëdha synimet e veta!
Lëvizja për Bashkim
14.1.2017