×

Qasja e Qeverisë Kurti në arsim nuk sjell zgjidhje, por thellim të problemeve

14.10.2022 · Lëvizja për Bashkim



Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke u thirrur në “kompetencat dhe përgjegjësitë” që i ka, nxori vendim për plotësimin dhe ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor 2022-2023, ku parasheh edhe zëvendësimin e 22 ditëve të humbura gjatë kohës së grevës së mësimdhënësve. Pas këtij vendimi nuk vonoi shumë reagimi i SBASHK-ut, sipas të cilit, vendimi i ministres Nagavci ishte i ngutshëm dhe i njëanshëm, pasi që nuk e përfilli kontratën kolektive “ku thuhet qartë se orët e humbura të mësimit nga greva nuk zëvendësohen përveç nëse palët nënshkruese, pra MASHTI dhe SBASHK-u arrijnë marrëveshje të veçantë”.

Kjo sjellje e ministres Nagavci nuk është asgjë tjetër veçse vazhdim i betejës që kishte filluar në krye të herës kryeministri Kurti. Emërues i përbashkët i kësaj sjelljeje shpërfillëse është mendësia e imponimit të autoritetit të pakontestueshëm të kësaj qeverie, e vetëmjaftueshmërisë së saj dhe e shuarjes së çdo zëri, i cili do të mund të nxirrte në shesh pakënaqësitë e qytetarëve me këtë qeverisje. Nëse vërtet do ta kishte qëllim trajtimin e drejtë të çështjes së grevës dhe orëve të humbura, kjo qeveri do të duhej të sillej me kompetencë e përgjegjësi edhe ndaj nevojave të mësimdhënësve, e jo siç u soll - me fyerje e mospërfillje.

Kjo qasje e Qeverisë Kurti, nuk sjell zgjidhje, por thellim të problemeve. Nga çështje thjesht sociale, i shndërron ato në probleme politike dhe përmes tyre e përçan skajshmërisht shoqërinë. Sepse qëllimi nuk është qeverisja, por sundimi!

Lëvizja për Bashkim

Prishtinë, 14.10.2022