13.06.2018 · Lëvizja për Bashkim
Dje Qeveria e Republikës së Kosovës procedoi me implementimin e rritjes së pagave, kryesisht për stafin politik, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendimin e qeverisë nuk e konsideronte jokushtetues. Edhe kësaj radhe, ky veprim i qeverisë ka shqetësuar opinionin publik dhe ka dëshmuar për një qasje arrogante që ka kjo qeveri në të gjitha drejtimet.
Lëvizja për Bashkim konsideron se qeveria, para se të vendoste për zbatimin e këtij vendimi, do të duhej të reflektonte lidhur me reagimin e opinionit publik për këtë çështje. Ajo, së paku, nuk do të duhej të ndërmerrte këtë hap para se ta draftonte Ligjin për Qeverinë në të cilin do të kufizohej numri i ministrave, këshilltarëve e sidomos zëvendësministrave. Mos të harrojmë se kjo qeveri, në mënyrën më të papërgjegjshme, ka shtuar në rreth 80 numrin e zëvendësministrave, të cilët përveç barrës financiare janë edhe pengesë në efikasitetin e punës së ministrive. Gjithashtu, do të duhej të pritej edhe miratimi i Ligjit për Pagat që është në procedurë, i cili do të vendoste bazat edhe për pagat e stafit politik.
Për Lëvizjen për Bashkim është e papranueshme se si qeveria Haradinaj vendosi t’i rrisë pagat mbi nivelin e pagave të rajonit dhe në shpërputhje të plotë me situatën socio-ekonomike të vendit. Kjo qeveri po vazhdon të tregohet tërësisht e papërgjegjshme ndaj parasë publike dhe njëkohësisht po vazhdon të shpërblejë militantët partiak me poste zëvendësministrash, duke abuzuar kështu me buxhetin e shtetit. Fatkeqësisht, puna e deritashme e kësaj qeverie nuk na jep shpresë dhe arsye për të besuar se këto paga dhe këto shpërblime do të përkthehen në rezultate. Përkundrazi, sa më shumë të stimulohet keqqeverisja aq më të rënda do të jenë pasojat për vendin.
Lëvizja për Bashkim
Prishtinë, 13.6.2018