×

​ Reciprocitet në të drejta - vetëvendosje nesër

26.03.2009 · Valon Murati



1.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga shumë shtete ishte dhe është një hap jo i parëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës dhe të popullit shqiptar drejt shkëputjes prej Serbisë. Sidoqoftë, kjo pavarësi erdhi me shumë kushtëzime dhe defekte që Kosovën e bëjnë një shtet jofunksional e të çalë. Këtu nuk po nënkuptoj situatën që u krijua në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe pas marrëveshjes për gjashtëpikëshin që e dëmtoi edhe për një shkallë më shumë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, e as faktin që misionet ndërkombëtare në Kosovë, e posaçërisht EULEX-i, janë shndërruar në misione neutrale ndaj statusit. Defektet në radhë të parë janë krijuar nga vetë dokumenti mbi të cilin funksionon Kosova si shtet: Pakoja e Ahtisarit. Përkundër faktit që ky dokument nuk u pranua nga shteti serb (i cili kishte dhe ka synime për tërë territorin e Kosovës, ose për më së shumti që mund të marrë në rrethana të favorshme për të) kjo nuk do të thotë se ai është i mirë për shqiptarët dhe Kosovën. Dhe kjo jo duke e përdorur logjikën se kompromisi i lë të pakënaqura të dy palët, por për shkak se në radhë të parë në rastin e Kosovës, ky kompromis nuk është kurrfarë baze për ta zgjidhur problemin shqiptaro-serb në Ballkan. Kjo Pako është pjesë e rregullimit tonë kushtetues-juridik, por duke e tejkaluar Kushtetutën e vendit (e cila në të vërtetë është produkt i saj) dhe kështu duke bërë shkeljen e parë të rëndë të parimit demokratik që kushtetuta (që do të duhej të ishte shprehje e vullnetit të popullit) duhet të jetë burimi juridik kryesor i sovranitetit të vendit dhe ligji suprem i një shteti. Më tej, kjo Pako, por edhe Kushtetuta, bëjnë shkelje të rënda të disa prej parimeve bazë të funksionimit të një shteti të pavarur dhe sovran. Në radhë të parë, popullit shqiptar që është kombi shumicë në Kosovë (me mbi 90%) nuk i njihet e drejta e kombit dhe rrjedhimisht i ndalohet vetëvendosja e jashtme. Si rrjedhim, Kosova është trajtuar si vend i komuniteteve përmes parimit shumë të mjegullt të multietnicitetit, ku shqiptarët janë njëri ndër komunitetet. Neni 1.3 sanksionon se Kosova nuk mund të bashkohet me ndonjë shtet tjetër, që në të vërtetë, duke ua mohuar shqiptarëve të drejtën e deklarimit politik për të ardhmen e tyre, është përpjekur që juridikisht ta sanksionojë ndalesën për çfarëdo përpjekjeje për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kjo pastaj sigurohet me mekanizmat që janë përcaktuar për ndryshimin e Kushtetutës, ku përveç 2/3 e deputetëve shqiptarë (“komunitetit shumicë”) për amendamentimin e Kushtetutës, nevojiten edhe 2/3 e deputetëve të “komuniteteve pakicë”. Kjo Pako ka defekte të tjera të rënda, siç janë decentralizimi etnik (i cili përveç që i rrit apetitet serbe në pjesët e brendshme të Kosovës, i jep një vulë juridike ndarjes së qytetit të Mitrovicës përmes krijimit të dy komunave), privilegjet për trashëgiminë fetare ortodokse (e cila shpeshherë është manipuluar, siç tregon rasti për urën në Vushtrri, që i takon periudhave të mëhershme historike, si atyre romake dhe asaj otomane) si dhe vetë mekanizmat e mbikëqyrjes ndërkombëtare, që kanë fuqi ekzekutive në shumë fusha, duke relativizuar jashtë mase fuqinë sovrane dhe ekzekutive të institucioneve të Kosovës. Këto e dëmtojnë rëndë vetëvendosjen e brendshme. Paradoksalisht, pra, me Pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën, shtetit të Kosovës i mungojnë dy prej atributeve themelore të një shteti: vetëvendosja e jashtme dhe ajo e brendshme. Dhe në këtë pikë, në mënyrën sesi funksionon shteti dhe cilat të drejta sovrane ai ka, Kosova është rast i veçantë (sui generis), por jo edhe në përpjekjet e saj për liri dhe vetëvendosje. Dhe përkundër pranimit të garniturës politike të Prishtinës, përkundër refuzimit të Beogradit dhe të serbëve, përkundër faktit se edhe bashkësia ndërkombëtare do të ketë problem të insistojë në realizimin e tij të plotë për shkak të qëndrimeve të Serbisë dhe të serbëve të Kosovës, Pakoja e Ahtisarit, ende është në gojën e politikanëve të Prishtinës dhe atyre ndërkombëtarë si diçka e shenjtë që nuk bën të preket.

2.

Siç e thashë në fillim, ky plan, zbatohet apo jo, nuk do të arrijë ta zgjidhë çështjen shqiptaro-serbe në Ballkan. Dhe nyja gordiane për zgjidhjen e kësaj çështjeje është zgjidhja e problemit të tri komunave serbe në veriun e Kosovës dhe të tri komunave shqiptare që ndodhen nën sundimin serb. Pakoja e Ahtisarit edhe kur i trajton këto probleme, në thelbin e vet e ka një qasje të gabueshme (atë të Kosovës Lindore as nuk ka bërë përpjekje ta trajtojë për shkak të parimeve të Grupit të Kontaktit!). Së pari, sipas mendimit të Lëvizjes për Bashkim, duke i trajtuar të gjitha etnitë në Kosovë si komunitete, përveçqë shqiptarët janë diskriminuar, dhe serbët si pakicë në pjesët e brendshme të Kosovës janë privilegjuar, edhe serbët e tri komunave të veriut janë diskriminuar. Sipas mendimit tonë, serbët në pjesët e tjera të Kosovës, duke përfshirë pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, duhet të trajtohen si pakicë, ndërsa në veriun e Kosovës, për shkak se janë shumicë dërrmuese dhe kanë lidhje të pashkëputur territoriale me Serbinë (dhe popullin serb në Republikën e Serbisë), duhet të trajtohen si komb. Njëkohësisht, Lëvizja për Bashkim konsideron se shqiptarët në Kosovën Lindore, për shkak se janë shumicë dhe kanë lidhshmëri të pashkëputur territoriale me Kosovën dhe me pjesët e popullit shqiptar në Kosovë, nuk mund të trajtohen si pakicë kombëtare, por si komb. Në këtë frymë, te dyja këto popullata duhet t’i gëzojnë të drejtat e njëjta, përfshirë edhe të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje, që është një e drejtë inherente e çdo kombi. Në këtë funksion ne mendojmë se duhet të përcaktohet qartë interesi kombëtar i Kosovës. Dhe në këtë drejtim sipas bindjes sonë interesi kombëtar i yni nuk janë tri komunat serbe në veri të Kosovës, por tri komunat shqiptare që gjenden nën sundimin serb. Veriu i Kosovës mund të jetë interes shtetëror, por atëherë është interes hegjemonist, që në periudha afatgjata do të na sjell vetëm kokëçarje. Gjithsesi ne jemi për një debat të gjerë në shoqërinë tonë, për të përcaktuar sa më drejtë cilat janë interesat tonë kombëtarë. Lëvizja për Bashkim, duke e pasur të qartë se në këto rrethana politike, presioni ndërkombëtar është i madh për mosndryshim të kufijve, por edhe interesi i Serbisë (e cila në një të ardhme të afërt nuk pritet t’i pranojë realitetet politike të krijuara në Kosovë, por do të përpiqet që vetë të krijojë realitete të tjera aty ku ka mundësi) për të gllabëruar sa më shumë territor të Kosovës nuk është shuar, mendon se ky problem duhet të fillojë të zgjidhet përmes presionit që duhet ta ushtrojë politika shqiptare në Tiranë, Prishtinë, por sidomos ajo në Preshevë e Bujanoc ndaj Beogradit dhe ndërkombëtarëve, për zbatimin të parimit të reciprocitetit për të drejtat e serbëve në veri të Kosovës (jo të atyre të brendësi të Kosovës, sepse ata janë pakicë kombëtare) me ato të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Zbatimi i reciprocitetit, përveç që do ta shtronte rrugën për relaksimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, do të krijonte mundësit që në momentin e përshtatshëm ndërkombëtarë kjo zgjidhje të përfundojë me vetëvendosje të të dy popujve, që në të vërtetë do ta shënonte edhe fundin e konfliktit shqiptaro-serb në Ballkan. Qëndrimi ynë konsiston jo në konceptin e shkëmbimit të territoreve, me ç’rast territori do ta kishte rëndësinë primare, por në konceptin e vetëvendosjes së popujve, ku njeriu dhe interesat e tij janë në qendër të vëmendjes dhe të interesit. Në këtë kontekst Lëvizja për Bashkim edhe njëherë konfirmon qëndrimin e saj se problemi i veriut të Mitrovicës duhet të zgjidhet përmes presionit që duhet t’i bëhet bashkësisë ndërkombëtare për t’i kthyer shqiptarët në pronat e tyre, e të cilët atje para dëbimit kanë qenë shumicë. Ky presion është shumë parimor, sepse Prishtina zyrtare, duke e qenë e hapur për kthimin e pakicës serbe dhe të tjerëve në pjesët e tjera të Kosovës, edhe këtu do ta shtrinte parimin e reciprocitetit: e drejta e pronës dhe e kthimit është një e drejtë e universale që duhet të vlejë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim të përkatësisë etnike. Me kthimin e shqiptarëve në pronat e veta, ata duke qenë shumicë, do të ndikonin që ajo pjesë e qytetit të integrohej menjëherë në sistemin politiko-juridik të Kosovës. Mirëpo, nëse vazhdon ky trend i presioneve ndaj shqiptarëve për t’i shitur pronat e veta, si dhe indolenca e qeverisë sonë për t’u marrë seriozisht me këtë problem, edhe pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës rrezikon të humbasë në një afat më të gjatë.

3.

Zgjidhja e problemit shqiptaro-serb, në të vërtetë do të thoshte edhe fundi i Pakos së Ahtisarit dhe rregullimit të sotëm politiko-juridik të Kosovës. Në atë rast, problemet e serbëve të mbetur në Kosovë do të duhej të zgjidheshin ashtu siç zgjidhen problemet e pakicave në të gjitha vendet demokratike – përmes zbatimit të normave më të larta për të drejtat e pakicave dhe të njeriut dhe sidomos përmes zbatimit konsekuent të parimit të mosdiskriminimit. Ne jemi me forcë kundër çdo zgjidhjeje që do të përfundonte me transferim të popullatës (shpeshherë argumentohet se në rast të shkëputjes së veriut të Kosovës për serbët e brendisë nuk ka perspektivë në Kosovë, gjë që është spekulim i pastër dhe paragjykim i bazuar në konceptet e urrejtjes ndëretnike si burim i konfliktit, e jo i shovinizmit serbomadh), sepse ky koncept në thelbin e tij është johuman. Duke e pasur parasysh gjithnjë specifikën dhe ndjeshmërinë politike të pozitës së pakicës serbe, serbët përfundimisht do të shndërroheshin në një pakicë pa privilegje në Kosovë, në një pakicë normale, gjë që do t’iu mundësonte në rrethanat e reja të relaksuara politike, integrim më të lehtë në institucionet e Kosovës. Sidoqoftë, në aspektin e të drejtave njësoj do të duheshin trajtuar edhe pakicat joserbe në Kosovë. Zgjidhja e këtij problemi në të vërtetë është parakusht edhe për dy procese të tjera. Së pari, nuk mund të mendohet se Serbia vërtet do të demokratizohet, vërtet do të deshonivizohet pa pranimin e humbjes së Kosovës dhe zgjidhjes së çështjes shqiptaro-serbe. Vetëm në ato rrethana do të krijoheshin kushtet për relaksimin e shoqërisë serbe, lirimin nga demonët e së kaluarës dhe përfundimisht marrjen me vetveten. Kjo çka sot konsiderohet si demokratizim i Serbisë, është vetëm një iluzion, edhe atë një iluzion i rrezikshëm për Serbinë e vërtetë demokratike dhe për paqen e stabilitetin në rajon. Gjithashtu, pa u zgjidhur ky problem as Kosova nuk do të arrijë të konsolidojë demokracinë e saj dhe shtetin ligjor. Kjo situatë në mënyrë indirekte do të ndikojë në situatën socio-ekonomike. Gjithashtu, ky kontekst politik (mungesa e sovranitetit në një pjesë të Kosovës, telashet me serbët e Kosovës dhe me Serbinë) do të prodhojë çdoherë justifikime të garniturave politike për dështimet e tyre në fushën e funksionimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe progresit ekonomik, arsimor, shëndetësor e social. Dhe me zgjidhjen e çështjes shqiptaro-serbe mbi të gjitha do të krijoheshin kushtet që shqiptarët në Kosovë ta fitojnë të drejtën kryesore që u takon, atë të kombit për ta realizuar të drejtën e vetëvendosjes. Në këto rrethana është krejtësisht e drejtë sovrane e shqiptarëve si shumicë dërrmuese të përcaktohen se a janë që Kosova të vazhdojë të qëndrojë si shtet i pavarur, sovran e demokratik, apo të bashkohet me Republikën e Shqipërisë, për ta bërë një hap të rëndësishëm drejt realizimit të bashkimit kombëtar të shqiptarëve në Ballkan.

Prishtinë, 26.3.2009