×

Valon Murati: Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë do të mbahet mend për shown e Sheshelit e të Millosheviqit!

31.03.2016 · Valon Murati



Fatkeqësisht Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë do të mbahet mend për shown e Sheshelit e të Millosheviqit, për mos-dënimin e të dyve, dhe çka është më e keqja për mosshpalljen kriminale të një pjese të strukturave shtetërore dhe politike të shtetit serb që ishin përgjegjëse për krimet në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. Evoluimi i drejtësisë ndërkombëtare penale nga Tribunali i Nurembergut, kur u shpallën kriminale Partia Nacional-Socialiste Gjermane, Gestapoja dhe trupat SS dhe SD drejt përpjekjes për të kërkuar vetëm përgjegjësi individuale në shkeljet e drejtës humanitare ndërkombëtare jo vetëm që ka amnistuar garniturën e pushtetit serb, por fatkeqësisht ka krijuar përshtypjen e një përpjekjeje për balancimin e përgjegjësive nga të gjitha palët. Përderisa të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut të të gjitha palëve duhet të ndiqen, përpjekja për neutralitet në atë që ka ndodhur në luftërat në ish-Jugosllavi, me dashje a pa dashje amniston shtetin serb dhe e vështirëson jo vetëm pajtimin në mes të popujve, por edhe vetë demokratizimin e plotë të Serbisë dhe ballafaqimin e saj real me të kaluarën e vetë të hidhur. Po të ishin shpallur kriminale Partia Socialiste e Serbisë dhe Partia Radikale e Serbisë, besoj se sot rrethanat në Ballkan do të ishin të tjera dhe nuk do të merreshim me Sheshelin dhe lojën në të cilën e futi për më shumë se një dekadë ai krejt drejtësinë ndërkombëtare.