×

Zgjedhjet serbe agresion ndaj Kosovës

04.04.2016 ·



Në bazë të zhvillimeve të deritanishme, shihet qartë që edhe kësaj radhe zgjedhjet për institucionet e Serbisë do të lejohen të mbahen edhe në Kosovë. Në parim, qytetarët e komunitetit serb në Kosovë, përderisa e kanë të garantuar dyshtetësinë, në një situatë të raporteve normale në mes të dy shteteve, do të mund të merrnin pjesë në zgjedhjet e shtetit serb. Mirëpo, sa i përket zgjedhjeve konkrete të Serbisë në Kosovë, Lëvizja për Bashkim konsideron se mbajtja e tyre nuk duhet të lejohet në asnjë mënyrë.

Duke i anashkaluar pengesat juridike për mbajtjen e tyre, siç është mungesa e rregullativës ligjore për këtë çështje, ne konsiderojmë se arsyeja kryesore dhe e patejkalueshme për moslejimin e tyre është thellësisht politike.

Problemi thelbësor me këto zgjedhje të Serbisë në Kosovë ka të bëjë me raportin midis dy vendeve. Mënyra se si i trajton Serbia këto zgjedhje përbën agresion ndaj Kosovës. Ajo, këtë votim nuk e konsideron si votim i qytetarëve të vet jashtë shtetit por, duke vazhduar ta trajtojë Kosovën si pjesë të vet, e konsideron si votim të qytetarëve të saj brenda shtetit serb. Duke u nisur nga kjo, zgjedhjet, më tepër se mekanizëm politik për ndikimin në gjendjen në Serbi, sa i përket raportit të forcave atje, shfrytëzohen për të arritur qëllime politike të Serbisë ndaj Kosovës.

Duke pasur parasysh këtë, Lëvizja për Bashkim e kundërshton fuqishëm mbajtjen e këtyre zgjedhjeve serbe në territorin e Republikës së Kosovës për aq kohë sa shteti serb nuk e ndërron qasjen e tij agresive ndaj shtetit tonë.

Prishtinë

4.4.2016

LËVIZJA PËR BASHKIM