13.11.2009 · Agim Kuleta
Qytetarë të dashur të Obiliqit!
Për mua, takimi me ju sot është një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe një përgjegjësi e veçantë. Unë, ndaj komunës suaj kam një ndjesi të vecantë për shkak të padrejtësive që i janë bërë vazhdimisht asaj.
Unë, edhe sot para se të vijë këtu, sikur edhe shumë herë të tjera, mendova gjatë për këtë vend dhe ndjeva keqardhje të thellë për gjendjen në të cilën ndodhet. Është një vend ndaj të cilit qeveritë vazhdimisht janë kujdesur ta shfrytëzojnë por nuk janë kujdesur asnjëherë ta mbrojnë nga pasojat e këtij shfrytëzimi.
Në këto mendime të mia unë kurrë nuk kam mundur ta projektoj ndryshe Obiliqin përvecse si një shërbëtor, si një skllav të zi, të nxirë nga tymi dhe pluhuri, i cili shfrytëzohet nga të gjithë e ndaj të cilit nuk kujdeset askush. Me frytet e punës së të cilit ushqehemi të gjithë ne pa qenë kurrë mirënjohës në masën e mjaftueshme dhe pa e paguar kurrë cmimin që na takon. Ky vend, sot, është një vend i cili të jep shumë pak arsye për të qenë i lumtur por që të jep shumë më tepër mundësi se ato që janë shfrytëzuar deri më sot, për ta arritur këtë lumturi. Obiliqi sot, është një kurban i shoqërisë sonë. Dhe për këtë nuk jeni fajtorë ju. Për këtë fajtorë janë ata që kanë keqpërdorur besimin tuaj.
Qytetarë të nderuar të Obiliqit!
Në përgjithësi, njerëzit janë të prirë për të mbajtur në mend më shumë dështimet sesa sukseset. Dhe kjo është krejt e natyrshme, është krejt njerëzore. Ashtu sic mbahen mend më gjatë vuajtjet që shkaktohen nga sëmundjet sesa kënaqësia që ndjejmë nga momentet kur jemi mirë me shëndet. Kjo ndodhë pra edhe kur kemi më shumë suksese sesa dështime. Por, kur ndodhë që dështimet të jenë të mëdha dhe të vazhdueshme gjendja bëhet e padurueshme. Bëhet e padurueshme pikërisht ashtu sic është bërë e padurueshme për ju. Megjithatë, ajo edhe pse është e padurueshme nuk është e pashpresë. Ju e keni një derë prej nga mund të dilni nga kjo situatë. Keni edhe njerëz që e njohin rrugën për të dalë nga kjo errësirë, nga kjo mjegull e nga ky tym.
Në këtë vend kemi të bëjmë me tri gjëra:
Megjithatë, unë ju garantoj se edhe nën qeverisjen e Shukri Klinakut do të ketë dështime të mëdha. Por, për dallim prej praktikës së deritashme, kësaj radhe do të dështoj korrupsioni, do të dështoj vjedhja, do të dështoj keqpërdorimi. E kjo do të ndodhë sepse me 15 nëntor do të dështojnë ata që e kanë mbjellë dhe e kanë ushqyer vazhdimisht këtë sëmundje. Pas 15 nëntorit, dyert e komunës do të jenë të hapura për ju e jo për këto dukuri shkatërruese që na kanë molisur të gjithëve. Pas 15 nëntorit, do të dështojë korrupsioni dhe keq-qeverisja sepse komuna juaj do të qeveriset nga ju, e askush më mirë se ju nuk mund t’i menaxhojë punët tuaja. Ne, po e dëgjojmë zërin tuaj sot. Deri dje i kemi dëgjuar vetëm rënkimet, sepse zërin ua kanë ngulfatur pushtetarët. Dhe pa u përpjekur fare t’i mbajmë në mend këta zëra ne nuk do t’i harrojmë ata asnjëherë. Sepse do të jenë zëra që do të nxirren përditë nga ju e do të dëgjohen vazhdimisht nga ne.
Motra dhe vëllezër,
Ju vazhdimisht keni besuar fuqishëm në një ëndërr. Ju vazhdimisht keni besuar se një ditë qyteti juaj, komuna juaj do të jetë ndryshe nga ajo që ka qenë deri më sot. Që do të jetë një komunë më e pastër nga ndotjet e KEK-ut dhe më e pastër nga ndotjet e qeverisë si korrupsioni, vjedhja e keq-qeverisja. Dhe realizimin e kësaj ëndrre ua keni besuar të gjithë atyre njerëzve që deri më sot kanë udhëhequr me ju. Sot, një dekadë pas përfundimit të luftës ju jeni të zhgënjyer dhe buzë thyerjes ndërsa ëndrra juaj ka filluar të zbehet. Ëndrra juaj ka filluar të ju duket e paeralizueshme, e pamundur. Por unë, sot, ju them një gjë. Dhe do t’ju lutem të më besoni.
Unë do t’ju them se problemi nuk është te ëndrra juaj; problemi është te ata që ju kanë premtuar realizimin e saj e nuk e kanë bërë atë deri më sot;
Unë do t’ju them se ëndrra juaj për një jetë më të mirë nuk është një ëndërr e parealizueshme, por ata që ju kanë premtuar realizimin e saj, me paaftësinë e jondershmërinë e tyre kanë bërë që kjo ëndërr të duket e tillë.
Unë do t’ju them se ëndrra juaj për ditë më të bardha nuk është një ëndërr e pamundur, por ajo do të mbetet e tillë përderisa fatin e saj nuk e merrni në duart tuaja por e leni në duart e atyre që kanë ëndrra të ndryshme nga ato tuajat.
Prandaj, duke qenë se ëndrra juaj nuk është një ëndërr e parealizueshme dhe e pamundur, unë, sot, nga ky vend ju ftoj të mos hiqni dorë kurrë nga ajo. Ju ftoj të kërkoni me këmbëngulje realizimin e ëndrrës së njëjtë por tani nga njerëz të ndryshëm. Ju ftoj të mos hiqni dorë nga ëndrra juaj por të hiqni dorë nga njerëzit që ju kanë gënjyer se do ta bëjnë atë realitet. Të heqni dorë nga ata njerëz që ju kanë bërë të besoni se politika është gënjeshtër. Ndërkohë që e vërteta është se politika nuk është gënjeshtër por ka politikanë që gënjëjnë dhe e bëjnë politikën të duket e tillë.
Ju, qytetarë të nderuar të Obiliqit, e keni rastin e vecantë, për dallim nga komunat tjera që të zgjedhni për kryetar dhe qeveri njerëz që vijnë nga një subjekt i ri politik. Ju keni rastin e vecantë të zgjedhni një kryetar dhe një qeveri që do t’ia kthente kuptimin e vërtetë politikës, të zgjedhni një kryetar dhe një qeveri që do ta kthente respektin e qytetarit për pushtetin dhe respektin e pushtetit për qytetarin, të zgjedhni një kryetar dhe një qeveri që do t’ia kthente dinjitetin dhe krenarinë qytetarit dhe komunës suaj. Dhe në fund, të zgjedhni një kryetar dhe një qeveri që do të bënte që ëndrra juaj e deritanishme të mos vazhdojë të mbetet vetëm ëndërr.
Zonja dhe zotërinj,
Unë dhe disa shokë të mi që sot veprojmë në kuadër të Lëvizjes për Bashkim, Shukri Klinakun e kemi pasur profesor. Atëkohë, që ishte kohë e pushtimit të rëndë, megjithëse ishte profesor i Astronomisë, ai më shumë se për qiellin na fliste për tokën; më shumë se për yjet na fliste për njerëzit; më tepër i interesonte fati i miliona shqiptarëve sesa i miliarda yjeve…na foli për gjendjen e rëndë në të cilën ndodheshim si komb dhe na ofroi zgjidhje për të dalë nga ajo gjendje. Na tha se kjo kërkon sakrificë, se kjo kërkon edhe gjakun tonë, edhe jetën tonë. Dhe ne i besuam. Ne ia besuam jetën tonë këtij njeriu. Dhe, megjithë vuajtjet që patëm gjatë ecjes sonë në rrugën që ai na mësoi, ne, në çdo sekondë të jetës sonë, i kemi qenë mirënjohës atij dhe krenarë me veten për vendimin që morëm për t’i besuar atij.
Edhe sot, megjithëse njeri i shkencës, duke parë që ju, bashkëqytetarët e tij ndodheni në një gjendje të rëndë e me probleme të mëdha, ky njeri nuk mundi t’ia lejoj vetes të mbyllej në kabinetin e tij dhe të merrej me shkencë. Ky njeri, nuk mundi t’ia lejojë vetes që të merrej me zgjidhjen e problemeve të fizikës në kohën kur ju, bashkëqytetarët e tij, sot, më shumë se kurrë, keni nevojë për ndihmën e tij në zgjidhjen e problemeve elementare jetësore. Ai ishte vazhdimisht këtu duke folur për gjendjen e rëndë dhe duke ofruar zgjidhje për të dalë nga ajo. Edhe prej jush po kërkon besimin ashtu sic e kërkonte dikur nga ne. Ne, atëherë, ja falëm këtë besim dhe sot jemi krenarë për këtë. Unë ju ftojë që edhe ju ta bëni këtë dhe jam i sigurtë se, jo vetëm që nuk do të pendoheni, por në çdo sekond të jetës suaj do të jeni krenarë për vendimin që keni marrë.
Faleminderit!
Agim Kuleta