31.08.2012 · Agim Kuleta
Z. Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Që nga përfundimi i luftës Kosova vazhdon të shfrytëzojë kode të huaja telefonike. Në fillim ishte vazhdimi i validitetit të kodit të Serbisë, e më pastaj kjo u zgjerua edhe me kodin telefonik të Monakos dhe atë të Sllovenisë. Gjendja e tillë vazhdon të jetë edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pra, përkundër pavarësisë praktike nga Serbia, të arritur pas luftës çlirimtare të përkrahur nga forcat e NATO-s, dhe pavarësisë politike e juridike të filluar me shpalljen e pavarësisë, Kosova vazhdon të jetë e varur ende në disa fusha të tjera, midis të cilave edhe në atë të telekomunikacionit. Dhe atë jo për shkak të pamundësisë, paditurisë apo neglizhencës, por për shkak të mungesës së vullnetit.
Kosova që nga paslufta ka provuar ta fitojë të drejtën për kod të vetin telefonik, por kjo ka rezultuar e pamundur. Në fakt, natyra e arsyes së dështimit shpjegohet në mënyra të ndryshme nga protagonistë të ndryshëm, varësisht nga periudha për të cilën flitet. Unë, për të qenë sa më korrekt, do të mjaftohem me shpjegimin e tillë të rrethanave me të cilin sot pajtohen të gjithë.
Ajo që sot është e vërtetë e palëkundshme ka të bëjë me faktin që Republika e Kosovës edhe për një kohë të gjatë nuk do të mund të ketë kod telefonik ndërkombëtar të vetin. Arsye për këtë janë kriteret procedurale. Ndërkohë që mospërmbushja e këtyre kritereve është pasojë e drejtpërdrejt e mungesës së vullnetit politik nga ana e shteteve të ndryshme të botës. Në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara funksionon një agjenci me emrin Unioni Ndërkombëtar për Telekomunikacion, që njihet si ITU. Kjo agjenci është institucion kompetent për shpërndarjen e kodeve telefonike ndërkombëtare. Për të fituar kod të vetin telefonik një shtet duhet të jetë anëtar i OKB-së, e pastaj, me automatizëm, ai shtet do të ishte edhe anëtar i ITU-së. Pra, sot për sot, ky nuk është rasti i Kosovës. Megjithatë, ekziston edhe një rrugë tjetër procedurale, por që gjithashtu rezulton e mbyllur për Kosovën. Një shtet mund të fitojë kod të vetin telefonik edhe pa qenë anëtar i kësaj agjencie nëse për këtë bien dakord 2/3 e shteteve anëtare të saj. Duke pasur parasysh se arsyet të cilat e mbajnë Kosovën jashtë OKB-së janë të njëjta me ato të mosdhënies së kodit telefonik, shpresat për të na u hapur kjo rrugë janë zero.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Kosova, duke u gjendur në një situatë të tillë, midis izolimit dhe komunikimit, ka vendosur për të dytën. Dhe natyrisht që është përcaktuar për të vetmin opsion racional. Megjithatë, irracionale këtu vazhdon të mbetet zgjedhja e rrugës përmes së cilës mundësohet kjo dalje nga izolimi. Në Kosovë aktualisht operatorët telefonikë i përdorin këto kode: operatori “VALA” e përdor kodin e Monakos (+377), operatori “IPKO” atë të Sllovenisë (+386), ndërsa telefonia fikse e përdor kodin e Serbisë (+381). Pra, tri kode në një territor prej më pak se 11.000 km2, me një popullsi prej rreth 2 milion banorë. Kur këtë e krahasojmë me rastin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, ku të dyja e përdorin të njëjtin kod, pra kodin e përbashkët +1, e shohim vulgaritetin e kësaj gjendjeje në kuptimin e plotë të fjalës. Sa për saktësim, territori i përbashkët i SHBA-ve dhe Kanadasë përfshin 19.811.345 km2, që i bie rreth 1.800 herë më i madh se yni, ndërsa numri i përbashkët i popullsisë është 348.677.000 banorë, që i bie mbi 174 herë më i madh se yni. Megjithatë, kjo situatë absurde nuk do të ishte kaq dramatike sikur të mos përcillej me dëme të mëdha e të shumanshme për vendin. Numrin e madh të këtyre dëmeve të shkaktuara do të përpiqem t’i shpreh shkurtimisht, të përmbledhura në tri më kryesoret: dëmet në aspektin ekonomik, dëmet në aspektin politik dhe dëmet në fushën e sigurisë shtetërore.
Dëmet në aspektin ekonomik: Shfrytëzimi i tri kodeve të huaja telefonike Kosovës i ka kushtuar me humbjen e qindra miliona eurove. Llojet e humbjeve ekonomike janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme, prandaj është e vështirë të llogaritet dhe të përcaktohet si shifër e saktë. Ato përfshijnë pagesat për shfrytëzim të kodit, pagesat për thirrjet e realizuara, lartësinë e çmimeve të shërbimeve që diktojnë reduktim të numrit të thirrjeve, e deri te mohimi i mundësisë për ekonomizim më të mirë të këtij biznesi.
Një fenomen tjetër që reflekton në papërshtatshmërinë e përdorimit të këtyre kodeve është edhe lëvizja e madhe e qytetarëve të Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë dhe anasjelltas (qoftë për turizëm, qoftë për biznes, qoftë për çështje private), gjë që ka bërë që intensiteti i komunikimit midis tyre përmes rrjetit telefonik të rritet, ndërkohë që kostoja e këtij komunikimi, për shkak të kodeve të ndryshme, është shumë e lartë. Shfrytëzimi i kodit të Republikës së Shqipërisë do t’i eliminonte këto dukuri. Madje, këtë qëndrim e kanë mbështetur publikisht edhe vetë zyrtarë të institucioneve të Kosovës, kompetentë për këtë çështje, siç është rasti i një anëtari të bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, i cili thotë: “Nëse shihet kjo si një interes nacional strategjik dhe të gjithë treguesit flasin për një leverdi mbarëkombëtare, shfrytëzimi i kodit të Shqipërisë do të ishte zgjidhje premtuese me kushtin që pajtohen këto dy administrata shtetërore”.
Ndërsa sa i përket kodit telefonik të Serbisë (+381), humbjet e Kosovës janë më të theksuara në fushën e pranimit të thirrjeve. Imagjinojeni numrin e thirrjeve prej diasporës së madhe shqiptare në familjet e tyre në Kosovë e përkthejeni këtë në para dhe do ta kuptoni se çfarë kontributi i japim ne rritjes së buxhetit të Republikës së Serbisë.
Dëmet në aspektin politik: Pasojat më të mëdha politike rrjedhin nga përdorimi i kodit telefonik të Serbisë. Sepse kjo, në vetvete, përmban pranimin vullnetar të të qenit pjesë e një tërësie me Serbinë. Pra, përbën pranimin e njëjtësisë me Serbinë pa qenë aspak i detyruar ta bësh këtë, dhe atë pikërisht në kohën kur është shumë e nevojshme që me të gjitha mjetet të përpiqemi ta arrijmë të kundërtën. Është e papranueshme që edhe pas 13 vitesh prej largimit të Serbisë dhe pas 4 vitesh prej shpalljes së pavarësisë, Kosova vazhdon ta përdorë kodin telefonik të Serbisë, kur dihet se çfarë krimesh ka bërë ky shtet në Kosovë dje, dhe dihen shumë mirë obstruksionet e vazhdueshme që i bën ndaj Kosovës sot, si në planin ekonomik, përmes bllokadave të ndryshme, ashtu edhe në atë politik, si brenda, ashtu edhe dhe jashtë vendit. Është e papranueshme që ta lejojmë situatën në të cilën secili qytetar i botës, në momentin që dëshiron të bëjë një thirrje në ndonjë qytet të Kosovës dhe interesohet për kodin që duhet ta shtypë, këto qytete ai do t’i shohë si qytete të Republikës së Serbisë. Problemi këtu shtrihet edhe më gjerë, pra, në fushën e internetit, përkatësisht shfrytëzimit të domain-it të Serbisë, pasojat e të cilit i kuptojnë të gjithë sapo ta hapin atë. Përfundimisht, është e pakuptueshme për mua se si është e mundur që deri më sot, midis kodit të Serbisë dhe atij të Republikës së Shqipërisë Kosova të përcaktohet ta shfrytëzojë të parin?
Dëmi në aspektin e sigurisë shtetërore: Dihet që sistemet telekomunikuese mund të shfrytëzohen nga institucione të ndryshme të sigurisë së një shteti për kryerjen e detyrave të veta shtetërore. Kjo do të thotë që shtetet përkatëse mund ta shfrytëzojnë dhe ta kontrollojnë edhe pjesën e rrjetit të tyre të zgjeruar në Kosovë. Kjo përbën cenim të drejtpërdrejtë dhe të rëndë të sigurisë sonë shtetërore.
Për t’jua demonstruar rëndësinë e kësaj çështjeje dua t’jua përmend një rast që ka ndodhur midis dy shteteve me demokraci shumë të zhvilluar dhe marrëdhënie reciproke shumë të mira.
Vite më parë, kur qeveria gjermane kishte aksione në Deutche Telecom, kjo kompani tentoi ta blinte një operator privat në SHBA. Me këtë rast pati ndërhyrë Kongresi amerikan dhe e pat penguar realizimin e kësaj shitblerjeje. Motivi i vetëm i kësaj ndërhyrjeje kishte qenë: cenimi i sigurisë kombëtare. Sepse merrej në konsideratë se Deutche Telecom-i mund të kontrollohej nga qeveria gjermane.
Pra, këto janë disa nga dëmet, gjithsesi shumë të mëdha, që i shkaktohen e do të vazhdojnë t’i shkaktohen vendit tonë nëse ne sot do të vazhdojmë ta ruajmë këtë gjendje të pakuptimtë në fushën e telekomunikacionit.
Të nderuar deputetë,
Kjo nuk është hera e parë që kjo çështje ngrihet në këtë institucion dhe unë nuk jam zyrtari i vetëm që e bëj këtë gjë. Megjithatë, gjendja vazhdon të jetë e pandryshueshme. Dhe ndonjë argument serioz për mosndryshimin e kësaj gjendjeje, të paktën deri më sot, nuk kam arritur ta dëgjoj.
Një përpjekje për argumentim, në një nga seancat e mëhershme u artikulua përmes fjalëve: “Nuk kemi të bëjmë këtu vetëm me çështje patriotike, por kemi të bëjmë me çështje komerciale”. Ta them të drejtën, për mua kjo ishte një përpjekje shumë sipërfaqësore për argumentim dhe si e tillë tingëllonte edhe shumë ofenduese. Në fakt, pikërisht ky argument, pra aspekti ekonomik i çështjes, është ndër argumentet më të fuqishme në favor të kodit +355. Përveç kësaj, ky qëndrim ishte edhe kontradiktor. Sepse nënkuptonte se të qenit patriotit qenka qëndrim komercialisht i dëmshëm. Ndërkohë, duke qenë se një patriot është i tillë vetëm për arsye se mendon dhe përpiqet për të mirën e vendit të tij, duke përfshirë këtu pashmangshmërisht edhe zhvillimin e tij ekonomik, atëherë, si mund ta pranojmë konstatimin se çështja patriotike dhe ajo e zhvillimit ekonomik janë në kontradiktë me njëra-tjetrën?
Përndryshe, nëse dikush vazhdon të mendojë se ky zëvendësim i kodeve është komercialisht i pafavorshëm, unë, nga nevoja për ta sqaruar veten, e kam të pamundur të qëndroj pa e pyetur atë: për kë është i pafavorshëm ekonomikisht shfrytëzimi i një kodi në vend të tre të tillëve? Për qytetarët? Për Monakon, Slloveninë e Serbinë? Apo për një numër të kufizuar individësh të lidhur me këtë biznes? Dhe përgjigjja e sinqertë në këtë pyetje do ta zbardhte një realitet vërtet të pakëndshëm e të pandershëm.
Këto që thashë mund të tingëllojnë të vrazhda, por e kam të pamundur të ndihem komod kur ndeshem me faktin që kjo situatë qytetarëve të këtij vendi (e edhe mua si njëri nga ta) i ka kushtuar e po i kushton qindra miliona euro humbje prej përfundimit të luftës e këtej. Këto qindra miliona të humbura janë qindra shkolla moderne të humbura, apo qindra qendra mjekësore të pabëra; janë qindra miliona investime të humbura në infrastrukturë e mbështetje në fushën e bujqësisë, ekonomisë, kulturës. Apo për t’u shprehur krejt thjesht, me vrazhdësinë e së vërtetës, janë qindra miliona euro që një popull i varfër e krenar i Ballkanit ua fal miliarderëve të vuajtur të botës.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Duke i pasur parasysh argumentet që i shpalosa para jush, konsideroj që pesha e tyre është e mjaftueshme për ta pasur të qartë vendimin e drejtë. Prandaj, ju ftoj që ta votoni këtë mocion, sepse në këtë mënyrë, sado pak, do të kontribuojmë që t’ua bëjmë qytetarëve tanë jetën më të lehtë.
I ftoj gjithashtu, në mënyrë të veçantë, ata deputetë që janë të bindur se ky hap është shumë i favorshëm për vendin tonë, por që kanë rezerva të natyrave të ndryshme për mundësinë e realizimit të tij, që të përmbahen nga vetëcensurimi dhe ta votojnë atë. Është e drejtë e secilit prej nesh të mos pranojë ta privojë veten nga përpjekja për diçka më të mirë. Është e drejtë dhe detyrë e secilit prej nesh të përpiqemi për ekonomizim të jetës së qytetarëve tanë. Nëse të tjerët përpiqen të na pengojnë në këtë qëllim elementar, atëherë të përpiqemi ne së bashku ta eliminojmë atë pengesë me vullnet, me vendosmëri dhe përmes forcës së argumenteve.
Sa i përket tekstit të Projektrezolutës, jam përpjekur që ai të mos jetë i ngurtë e joracional. Ajo që kërkohet aty, mendoj se është krejtësisht brenda kornizave të së mundshmes dhe në kuadër të obligimeve që i kemi si institucione për t’u përpjekur për zgjidhje më të mira. Prandaj, në këtë frymë, dua ta inkurajoj edhe Qeverinë e Kosovës që të jetë më e guximshme dhe ta bëjë këtë hap për të mirën e qytetarëve tanë. Në qoftë se nuk ka pengesa për Monakon, Slloveninë e Serbinë, kodet e të cilave i shfrytëzon sot Kosova, pse një pengesë e tillë të ekzistojë për Republikën e Shqipërisë? Kriteret e dyfishta nuk duhet të pranohen si të mirëqena, por me vendosmëri dhe argumente duhet të kërkohet që për këtë çështje të ndryshohet qasja eventuale negative e instancave kompetente.
Tani, në vazhdim, ju lutem më lejoni ta lexoj tekstin e mocionit:
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 6, paragrafi 1 dhe të nenit 52, pika 2, të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Në seancën plenare të datës 30 gusht 2012, miratoi këtë:
R E Z O L U T Ë
Faleminderit për vëmendjen!
Agim Kuleta, Deputet i LB-së në Kuvendin e Kosovës