×

Reciprociteti me Serbinë

04.06.2018 · Lëvizja për Bashkim



  • Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe e panegociueshme! Të vetmet probleme që kanë mbetur të pazgjidhura dhe që duhet të zgjidhen me dialog janë: Presheva, Bujanoci e Medvegja dhe Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku.
  • Nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, përderisa Serbia mbanë të shtypur dhe pa të drejta elementare Preshevën, Bujanocin e Medvegjën, mbanë të ndarë dhe vazhdon spastrimin etnik dhe kolonizimin e Mitrovicës si dhe bën obstruksione të vazhdueshme ndaj pavarësisë së Kosovës. Vetëm zgjidhja e drejtë dhe me reciprocitet ndërshtetëror të këtyre problemeve i shtendos raportet Kosovë-Serbi dhe vetëm pastaj mund të flitet për normalizim e zhvillim normal të të dyja vendeve.
  • Bisedimet me Serbinë duhet të riformatohen urgjentisht. Shtylla kryesore në bisedimet e ardhshme duhet të jetë reciprociteti në të drejta në mes të banorëve të komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në njërën anë, dhe Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, në anën tjetër.
  • Parimi i reciprocitetit kërkon që nëse serbët e Kosovës kanë vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës dhe të drejtën e votës së dyfishtë, edhe shqiptarët që jetojnë në Serbi të kenë në përqindje të njëjtë vende të garantuara në Kuvendin e Serbisë dhe të drejtën e votës së dyfishtë. Kjo duhet të përcillet edhe me jetësimin e të drejtave të tjera të shqiptarëve që Serbia duhet t’i zbatojë sipas modelit të zgjidhjeve që zbatohen në Kosovë për serbët, duke filluar me një fond të posaçëm për Kosovën Lindore, pastaj me organizimin gjyqësor dhe policor, e deri tek asociacioni i komunave shqiptare në Kosovën Lindore.
  • Ndarja e Mitrovicës dhe krijimi i komunës serbe të Mitrovicës Veriore ka qenë një gabim i madh dhe me pasoja të rënda. Në Mitrovicën e ndarë padrejtësisht duhet urgjentisht të kthehen shqiptarët e dëbuar në pronat e veta si hapi i parë për zgjidhjen e këtij problemi të rëndë për Kosovën dhe qytetarët e saj.
  • Problemi shqiptaro-serb ka zgjidhje. Për këtë duhet dije, guxim dhe vullnet. Kjo, në skenën tonë politike mungon. Prandaj, Lëvizja për Bashkim është e vetmja shpresë!