×

Konsensus për bisedimet me Serbinë

11.01.2017 ·



Seanca e djeshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur në lidhje me arrestimin e Ramush Haradinajt, jo vetëm që dështoi në qëllimin e vet, por edhe një herë nxori në pah një të vërtetë të hidhur për nivelin politik në vendin tonë. Përmbajtësisht, që nga fillimi e deri në fund, dominonin dy huqje të mëdha. E para, debati shumë pak ishte i orientuar në temën që ishte në rend të ditës, gjë që rezultoi natyrshëm edhe me dështimin e nxjerrjes së një rezolute për këtë çështje; ndërsa huqja e dytë kishte të bënte me kërkesën lidhur me bisedimet me Serbinë, përkatësisht motivin për ndërprerjen apo riformatimin e tyre. Aty kërkohej që të ndërpriten bisedimet deri sa të pastrohen listat e Serbisë nga emrat e luftëtarëve të UÇK-së.

Lëvizja për Bashkim, qysh para fillimit të bisedimeve me Serbinë e ka theksuar nevojën e një qasjeje serioze për këtë çështje shumë të rëndësishme për Kosovën. Madje, se si duhet t’i qasemi këtyre bisedimeve subjekteve tjera politike ua ka ofruar edhe platformën e shkruar qysh në vitin 2010, në të cilën parashtrohen çështjet që duhet të bisedohen dhe parimi që duhet të aplikohet. Të kërkosh ndërprerjen e bisedimeve për shkak të urdhërarresteve të Serbisë është vazhdimësi e një qasjeje joserioze për një çështje kaq serioze! Bisedimet duhet të riformatohen, jo për shkak të një liste, por për shkak se si të tilla nuk i kanë shtruar për zgjidhje çështjet e mbetura me Serbinë, moszgjidhja e të cilave prodhon çdo ditë probleme të tilla të fragmentuara.
Ne, si Lëvizje për Bashkim, edhe një herë i ftojmë të gjitha forcat politike që të ulemi dhe të arrijmë një konsensus për çështjet kryesore kombëtare, duke përfshirë edhe çështjen e bisedimeve me Serbinë. Në të kundërtën, gjithmonë do të vazhdojmë të merremi me pasojat e moszgjidhjes së drejtë të tyre, pa arritur ndonjë rezultat në këtë drejtim.

Prishtinë
11.1.2017

Lëvizja për Bashkim