×

​Bakalli, LB: Pa përkufizimin e luftës si çlirimtare dhe pa beneficionet për veteranët e luftës ne nuk e votojmë këtë ligj

08.12.2011 · Aurora Bakalli



Të nderuar deputetë,

Më lejoni që në pika të shkurtëra të shprehë pikëpamjet tona, si Lëvizje për Bashkim, sa i përket projektligjit që e kemi sot para vetes për shqyrtim të dytë.

Unë personalisht kam qenë pjesë e Grupit Punues për amendamentimin e këtij ligji pothuajse deri në fazën finale, mirëpo amendamentet tona u kritikuan nga FMN-ja, gjë që ka ndikuar në tërheqjen e amendamenteve të cilat konsideroj se kanë qenë substanciale për këtë ligj. Mendoj se amendamentet të cilat kanë ngelur, janë më shumë kozmetike se sa që ndërrojnë ndonjë gjë në thelb.

Vërejtjet tona kryesore janë tri:

  • Si te emërtimi i ligjit ashtu edhe te përkufizimet është hequr termi “Lufta çlirimtare e Kosovës”.
  • Vërejtja e dytë ka të bëjë me Nenin 12 ku parashihet që beneficionet e veteranëve të rregullohen me ligj të veçantë. Kjo për ne është krejtësisht e papranueshme. Në amendamentimin e parë që e kemi bërë kemi paraparë që beneficionet të parashihen me këtë ligj dhe të realizohen më së voni deri në janar 2015, pas verifikimit të numrit të veteranëve.
  • Neni 25 (Beneficionet subjekt i vështirësive fiskale) ku parashihet se në rast të krizave fiskale në buxhetin e vendit, Qeveria do të ketë autoritetin që të reduktojë apo eliminojë beneficionet e siguruara me këtë ligj, konsiderojmë se duhet të fshihet tërësisht. Në rast të krizave fiskale është e kuptueshme që shteti mund të bëjë reduktime, por nuk është e drejtë që këto reduktime potenciale të bëhen në kurriz të kategorive sociale, siç është paraparë në marrëveshjen në mes të FMN-së dhe Qeverisë.

Ne besojmë se me inkorporimin e këtij nocioni në ligj, njëherë e përgjithmonë, edhe në skenën ndërkombëtare do të qartësohej lufta e popullit shqiptar, si luftë çlirimtare.

Në përkufizim do të theksohej se lufta çlirimtare e Kosovës ka qenë e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe më pas do të përkufizohej edhe periudha kohore.

Ndërkaq si përvojat kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare tregojnë se veteranët dhe kategoritë e tjera të dala nga lufta i atribuohen luftës që është zhvilluar, si rrjedhojë, ekzistojnë veteranë të Luftës Nacionalçlirimtare, veteranë të Luftës së Parë Botërore, Luftës së Dytë Botërore, Luftës së Vietnamit, Irakut, Afganistanit etj.

Si përfundim, ne si Lëvizje për Bashkim, nuk do ta votojmë ligjin në formën e tanishme sepse konsiderojmë se veteranët duhet të jenë të përfshirë në ligj, jo vetëm për statusin e tyre, por edhe për beneficionet që dalin nga ky ligj.

Konsiderojmë se Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të kategorive të dala nga lufta do të duhej të punonte intensivisht dhe pas daljes së numrit të saktë, të bëhej ligji i plotë me përfshirje të të gjitha kategorive të dala nga lufta çlirimtare e Kosovës.

Ju faleminderit!

Prishtinë,

8.12.2011