04.03.2013 · Aurora Bakalli
Të nderuar deputetë,
Sot po diskutohet një temë e ndjeshme por kur po trajtohet me ndjeshmëri nga ana e deputetëve po merr epitetin e patetizmit. Por, në fakt e vërteta është e tillë; pensionistët tanë sot me të ardhurat që kanë as nuk do të mund të mbijetonin sikur mos të ekzistonte ende familja tradicionale te ne. A nuk është kjo e dhembshme kur pensionistët e sotëm kanë punuar me vite dhe kanë paguar kontributet me vite të tëra, ndërsa kontributet e tyre janë konfiskuar nga Serbia? Edhe vetë Avokati i Popullit të Serbisë para një kohe pati deklaruar se ky borxh është rreth 1 miliard Euro, ndërsa nga të dhënat tjera supozohet se ky borxh mund të arrijë deri në 5 miliard Euro.
Disa raste që u fituan në Gjykatën Evropiane të Këshillit të Evropës bën që një eufori t’i përshkojë pensionistët, me të drejtë konsideroj unë, por fatkeqësisht pa adresë të saktë se ku duhet gjetur zgjidhja. Ky debat parlamentar konsideroj se na obligon ne si dputetë të gjejmë zgjidhje për këtë problem. Konsideroj se duhet të gjinden modalitete të cilat në mënyrë praktike dhe kolektive do të mundësonin kompensimin e pensionistëve tanë kontributpagues deri në vitin 1999.
Në këtë kontekst ne si Lëvizje për Bashkim propozojmë si mekanizëm kryesor që të bëhet padia e përbashkët e pensionistëve tanë në Gjykatën Evropiane të Këshillit të Evropës. Arsyea pse i japim përparësi një padie kolektive është për faktin se vetë procedurat gyqësore të drejtuara kësaj gjykate janë të kushtueshme gjë që do t’i privonte nga mundësia për padi shumë pensionistë; proceduarat marrin kohë deri në rezultatin përfundimtar; si dhe pasi për këto padi duhet edhe ekspertizë juridike që është shumë më vështirë të realizohet vecc e vecc. Nga ana tjetër, konsiderojmë se presioni politik duhet ushtruar në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ku duhet të kërkohet me këmbngulje që të bëhet kompensimi për këta pensionistë.
Ju faleminderit!