Kohët e fundit shteti i Kosovës dhe institucionet e ndryshme të tij, përfshirë qeverinë dhe ndërmarrjet publike, po përfundojnë në arbitrazhe ndërkombëtare, me ç‘rast po dëmtohet rëndë buxheti i Kosovës.
Ditëve të fundit Telekomi i Kosovës ka humbur në arbitrazh nga operatori virtual i telefonisë mobile Z-Mobile 26.5 milion euro (pa i llogaritur kamatat) për kinse moszbatim të kontratës, e cila gjithashtu ka qenë problematike dhe e dyshimtë që kur është nënshkruar.
Gjithashtu shtetit të Kosovës po i duhet të paguajë me qindra mijëra euro gati çdo muaj për mbrojtjen e tij në arbitrazh ndërkombëtar për procesin e privatizimit të PTK-së në kontestin e ngritur nga kompania AXOS. Edhe në këtë proces buxheti i Kosovës rrezikohet të humbasë miliona euro.
Deri më tani janë humbur me miliona euro në procese të ndryshme arbitrazhi ndërkombëtar.
Ajo që në fillim dukej se ishte shfaqje moskujdesi dhe papërvoje, duke i përfshirë institucionet e vendit në kontrata dhe procese të dyshimta privatizimi, çdoherë e më shumë po reflekton mundësi të përfshirjes së krimit të organizuar, me fokus zhvatjen e buxhetit të Kosovës dhe, në përgjithësi, të parasë publike. Viktimat kryesore të këtij krimi të supozuar janë tatimpaguesit e këtij vendi.
Lëvizja për Bashkim po i përcjell me shqetësim këto procese, të cilat po e godasin rëndë buxhetin e vendit dhe interesat e qytetarëve. Në këtë situatë Lëvizja për Bashkim e konsideron të domosdoshme ndërhyrjen e Prokurorisë së Shtetit. Andaj, ne i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe Prokurorit të Përgjithshëm që urgjentisht t’i fillojë hetimet për të gjitha rastet në të cilat shteti i Kosovës dhe institucionet e tij përfundojnë në arbitrazhe ndërkombëtare për shkak të kontratave të dyshimta, e ku po humben me dhjetëra miliona euro.
Lëvizja për Bashkim
22.12.2016