×

Fakulteti i edukimit duhet të jetë prioritet i qeverisë në fushën e arsimit

08.10.2012 · Shukri Klinaku



Motivi

Më 24 mars të vitit 2003 kryeministri dhe kryeparlamentari i atëhershëm i Kosovës morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Fakultetit të Edukimit në kuadër të UP-së. Sigurisht se po të pyeteshin këta krerë të shtetit për mënyrën e ndërtimit të këtij fakulteti, për strukturimin e tij dhe për pasojat që do të kishte kjo në arsimin e Kosovës, këta pushtetarë do t’i rrudhnin krahët. Kryeministri dhe kryeparlamentari vetëm duartrokisnin për një punë që e kishin kryer të tjerët. Mendoj se për përmbajtjen e FE-së jo që është dashur të dijë qeveria, por është dashur edhe të vendosë qeveria. Pajtohem se ekspertët duhet të kryejnë ekspertiza, por detyra e tyre është që pas ekspertizave, në vend të broshurave të stërngarkuara teorike, qeverisjes së vendit dhe mësimdhënësve të FE-së duhet t’ua servojnë një dokument të thjeshtë i cili do ta pasqyronte ekspertizën e tyre në këtë mënyrë: opsionet e reformimit të FE-së, me skema të thjeshta dhe përparësitë dhe mangësitë e secilit opsion. Pas kësaj qeveria do të duhej të vendoste për njërin nga opsionet. Ndryshe, ato broshurat e stërngarkuara, që mund të përmbajnë edhe studime me vlerë në shkencën e edukimit, nuk i ka lexuar ndonjë ministër i arsimit, nuk i ka lexuar ndonjë këshilltar i ministrit, nuk i ka lexuar as 1% e mësimdhënësve të FE-së; madje jam i sigurt që shumë shpesh ato broshura nuk lexohen nga të gjithë anëtarët e komisionit që “kanë marrë pjesë” në përpilimin e tyre. Ia vlen të kujtohen këto, sepse FE-ja sërish është duke u reformuar.

Si u ndërtua FE-ja?

Ishin vite të vështira ato të pasluftës. Prandaj matrapazët e jashtëm e të brendshëm i shfrytëzuan dhe derdhën mbi 10 milion euro për ta “ndërtuar” një fakultet. Mund të thotë dikush, po milionat ishin nga qeveria kanadeze. Po, por milionat e Kanadasë derdheshin si donacion për Kosovën dhe thuhej se po i pranon Kosova, se aty, në Prishtinë, po ndërtohet një fakultet i edukimit. E pra, ua them me gojën plot dhe mund të ballafaqohem për këtë me cilindo protagonist vendor që mori pjesë me KEDP-në e famshme të Tomit 1 (se më vonë do të na shfaqet edhe Tomi 2), se SHLP-ja ndërtoi kuadro më të mira sesa FE-ja e KEDP-së, se në SHLP kishte shumë më shumë rregull, madje se në SHLP kishte edhe shkumësa, tabela e laboratorë më shumë sesa në kohën e KEDP-së. Projekti i KEDP-së për FE-në ka shpenzuar së paku 12 milionë euro. MASHT-i më 2003 pat deklaruar me keqardhje: për juve mësimdhënësve të FE-së na vjen keq se rrogat nuk mund t’jua rrisim, sepse nuk mund të bëhet dallim nga fakultet tjera, por ndërtesën dhe kushtet laboratorike do t’i keni më të mirat. Pse nuk u ndërtua ndërtesa e FE-së me ato 12 milionë është temë tjetër, sigurisht edhe për hetuesinë. Në “ndërtimin” e FE-së morën pjesë edhe njerëz me dinjitet e njohës të çështjes, por atyre iu mbyt zëri nga matrapazët tanë dhe nga ata kanadezë.

Cila është gjendja e FE-së sot?

Në fakultetin e Edukimit ka më së shumti mësimdhënës të angazhuar pa tituj shkencorë dhe universitarë. Përkundër faktit se në disa programe të këtij fakulteti synojnë të regjistrohen mijëra maturantë, përsëri FE-ja vuan nga mungesa e studentëve të mirë. Në këtë fakultet gati gjysma e semestrit veror për shumicën e studentëve kalohet pa mbajtur mësim (zyrtarisht), sepse tash e 10 vite qeverisësit e fakultetit nuk e dinë çka të bëjnë me orët mësimore në fakultet kur studentët shkojnë në shkolla për praktikë profesionale. Në FE, së paku sa herë është ndërruar dekanati është ndërruar edhe plan-programi, kështu që në çdo vit FE-ja punoi me disa plan-programe. Trajtimi i mësimdhënësve të SHLP-ve si mësimdhënës të rendit të dytë, apo edhe më keq, bëri që në FE të vërshojnë “mësimdhënës” që edhe sot pas shumë vitesh nuk janë bërë mësimdhënës. Madje, udhëheqjet e FE-së (të gjitha) në mënyrë kundër-statutare dhe të papërgjegjshme i kanë diskriminuar dhe i diskriminojnë edhe sot mësimdhënësit e ish-SHLP-ve si kuadro që nuk bëjnë pjesë në FE, edhe pse statuti i UP-së dhe kontratat e tyre të punës e saktësojnë që ata janë me të drejta të plota në FE.

FE duhet të ndryshojë, por këtë duhet ta diktojë shteti, e jo Agjencia e Akreditimit!

Tashmë dy vite është folur se FE-ja nuk mund të akreditohet nga Agjencia e Akreditimit e Kosovës pa u reformuar, siç paska shkruar në raport kjo agjenci. Pajtohem se FE-ja duhet të reformohet. Por konsideroj se Agjencia e Akreditimit nuk është institucioni që duhet ta diktojë këtë proces. Kjo për dy arsye kryesore: e para, kjo çështje është me rëndësi kombëtare dhe prandaj duhet të merret qeveria me të, dhe e dyta, Agjencia është tejet (multi)jokompetente për tu marrë me një çështje të tillë.

Si është duke u transformuar FE-ja sot?

SHLP-të në Kosovë i kanë formuar për rreth 50 vjet mësimdhënësit e shkollës fillore dhe edukatorët për ciklin parashkollor. Ndërsa fakultetet tjera i kanë ndërtuar mësimdhënësit e shkollës së mesme. Sigurisht se për kohën, ky strukturim ka qenë i pranueshëm dhe i suksesshëm. FE-ja, “e ndërtuar” pas luftës, nuk bëri ndonjë gjë në strukturim të UP-së lidhur me formimin e mësimdhënësve. Përsëri FE-ja formonte (dhe formon edhe sot) tërësisht mësimdhënësit e parafillores dhe fillores (tash me strukturimin e ri të arsimit parauniversitar, i bie mësimdhënësit e fillores dhe mësimdhënësit e shkollës së mesme të ulët), ndërsa mësimdhënësit e shkollës së mesme të lartë (klasët prej 10 deri në 12) formohen tërësisht në fakultetet tjera të UP-së. Tash, për reformim të FE-së, në pikën 2 të vendimit të MASHT-it të datës 16 korrik 2012 thuhet: “Aftësimi akademik për mësimdhënësit e rinj të bëhet në fakultetet (departamentet) përkatëse, ndërsa aftësimi pedagogjik dhe praktik të bëhet në Fakultetin e Edukimit për të gjitha nivelet dhe profilet arsimore, përfshirë këtu edhe arsimin profesional”. Ndërsa neni vijues precizon se “mësimdhënësit lëndorë” duhet ta përmbyllin një arsim universitar të gradës master (me 300 ECTS) për tu bërë qoftë mësimdhënës i shkollës së mesme të lartë, qoftë mësimdhënës i shkollës së mesme të ulët (arsimtar)! Ndërsa për edukatorët dhe mësuesit e fillores (klasat 1-5) tërësisht formohen në fakultetin e edukimit me diplomë 4-vjeçare (240 ECTS).

Si janë të formuara komisionet e MASHT-it për reformim të FE-së?

Dy të këqijat kryesore të komisioneve të MASHT-it për reformim të FE-së, por edhe për çështje tjera, janë: e para, formohen doemos me njerëz të partisë dhe, e dyta, formohen me çelës. Në krye të të gjitha komisioneve vendoset një njeri që për emblemë dalluese e ka emblemën e partisë në pushtet (ka prej tyre që kanë uzurpuar disa komisione shtetërore, edhe atë për një kohë të gjatë). Dua të theksoj se e keqja nuk qëndron se është vendosur në krye të komisionit njeriu i partisë në pushtet, por se nuk shikohet se a ka partia më të mirë se ai; apo nëse nuk ka partia, a ka Kosova më të mirë se ai. Në vendimin e MASHT-it të datës 16 korrik 2012 për reformimin e FE-ve, në pikën 7 thuhet katërçipërisht se komisioni për ndryshimet do të formohet nga përfaqësuesit e menaxhmentit të FE-së dhe menaxhmentit të UP-së. A thua nuk e di MASHT-i luftën e papastër të grupeve për ardhje në krye të fakulteteve të UP-së? E pra, unë personalisht e di që shumica e fakulteteve kanë menaxhment jo të pastër, sepse kanë ardhur në krye pas një lufte jo të pastër. Por kjo është temë tjetër e madhe. Këtu dua të them vetëm se MASHT-i nuk duhet që me vendim t’ia garantojë vazhdimësinë papastërtisë. Ndërsa në rastin konkret, ky vendim i ndërtimit të komisionit me çelës, sjell edhe të keqen tjetër: një menaxher i fakultetit apo i universitetit edhe mund të jetë i pastër, por sa është në gjendje të kontribuojë në komisionin për reformim të FE-së?! Këta menaxherë mund të jenë ekspertë të fushave tjera, apo edhe të mos jenë ekspertë fare.

Opsioni që unë e konsideroj si më të mirin për FE-në

Konsideroj se opsioni më i mirë, më funksional dhe më dobiprurës për mësimdhënësit, nxënësit, universitetet publike dhe shoqërinë tonë, do të ishte ky opsion i reformimit të FE-së:

  • Në kuadër të universiteteve publike vetëm fakultetet e edukimit të formojnë mësimdhënës parauniversitarë.
  • Fakulteti i edukimit formon komplet (dijen akademike dhe pedagogjike) edukatorët për ciklin parashkollor, mësuesit e fillores dhe mësimdhënësit e shkollës së mesme të ulët.
  • Mësimdhënësit e shkollës së mesme të lartë formohen vetëm në aspektin pedagogjik në fakultetin e edukimit, pasi të kenë marrë kandidatët një diplomë (me së paku 180 ECTS) në një nga fakultetet tjera. Këta të diplomuar në fakultetin e edukimit do të fitonin diplomën master brenda dy viteve (120 ECTS). Ia vlen të shqyrtohet që ky formim pedagogjik të zgjasë vetëm 1 vit (60 ETCS), pa pretenduar në titullin master.

Përfundimi: FE-ja, për ndërtim të mësimdhënësve parauniversitarë, të funksionojë me këto programe studimi:

  • Programi parafillor;
  • Programi fillor;
  • Programi i letërsisë dhe gjuhëve;
  • Programi matematikë – informatikë;
  • Programi i shkencave natyrore;
  • Programi i shkencave shoqërore;
  • Programi i arteve;
  • Programi shëndeti dhe ambienti;
  • Programi master.

Anët e forta të këtij opsioni

Me këtë opsion fakultetet tjera nuk ngatërrohen më me planprograme për formim të mësimdhënësve. Këto fakultete shikojnë para vetëm për arritje sa më të mëdha akademike të studentëve të tyre. Nëse aplikohet varianti i MASHT-it (sipas vendimit të 16 korrikut të 2012) fakultetet tjera përsëri do të jenë të ngatërruara me departamente arsimore, për formim të mësimdhënësve, sepse korniza e korrikulës së re kërkon mësimdhënës më shumë se dy lëndorë. Kjo do të thotë se FSHMN-ja duhet ta ketë doemos një program, i cili dihet paraprakisht se e formon “lëndën e parë” për FE-në. Kjo është ngatërresë. Madje ngatërresat janë të shumta dhe të rrezikshme, të cilat për pasojë të fundit do ta kenë mësim-nxënien e vogël të studentëve të këtij programi.

Me këtë opsion evitohet rreziku i mbetjes pa arsimtarë (mësimdhënës të ciklit të mesëm së ulët). Sepse, me opsionin që edhe mësimdhënësi i shkollës së mesme të ulët pas studimeve themelore në një fakultet, të shkojë ta bëjë masterin në fakultet të edukimit për t’u bërë mësimdhënës i shkollës së mesme të ulët, Kosova do të mbetet pa këtë profil mësimdhënësi. Secili do të mendojë: po u bëra master, nuk ndalem më arsimtar. Prandaj, nuk orientohet fare në këtë rrugë. Është luks i madh të mendohet se mësimdhënësi me master duhet të japë mësim në shkollën e mesme të ulët.

Me këtë opsion evitohet vonesa e formimit të arsimtarëve, sepse ata formohen për 4 vjet dhe jo për 5. Kosova ka mungesë arsimtarësh të kualifikuar.

Me këtë opsion evitohet mundësia që shumë studentë pa e përmbyllur masterin të fillojnë punë dhe të mbesin të pambaruar deri në fund, sepse 5 vite studimi janë shumë. Me variantin e vendimit të 16 korrikut 2012 rritet numri i mësimdhënësve të punësuar të pakualifikuar.

Me këtë opsion harmonizohen shumë më lehtë kontingjenti i mësimdhënësve që tanimë janë në shërbim me mësimdhënësit që do të formohen. Me variantin e vendimit të 16 korrikut 2012 do të ketë ngatërresa shumë të mëdha, edhe të pazgjidhshme me harmonizimin e kontingjentit të mësimdhënësve në shërbim me mësimdhënësit që do të formohen.

Me këtë opsion nuk ka nevojë për lëvizje të kuadrove nëpër fakultete, siç e ka njërin prej problemeve opsioni i vendimit të 16 korrikut 2012.

Çfarë duhet të bëjë MASHT-i për ta shpëtuar reformën e FE-së?

Konsideroj se MASHT-i, për ta kryer punën e vet me përgjegjësi, duhet t’i bëjë këta hapa për ta shpëtuar dhe ridrejtuar reformën e FE-së (dhe pjesës së UP-së që ka të bëjë me të):

e para, të shpallë prioritet të vetin reformimin e FE-së, pra të merret shumë më seriozisht me këtë punë;

e dyta, t’i shpërndajë komisionet e deritanishme të formuara për këtë punë dhe të formojë komisione të mirëfillta ekspertësh, jo doemos me anëtarë partiakë dhe kurrsesi me anëtarë me çelës. Këto komisione pas studimit duhet të përgatisin opsionet e propozimet dhe mbështetjet për to, e jo të marrin vendime;

e treta, ministri me bashkëpunëtorët t’i caktojë qysh tani afatet kohore për jetësimin e të gjitha segmenteve të reformës;

e katërta, kur ta përmbyllin komisionet punën, ministri merr opsionet dhe propozimet e qarta prej tyre dhe shkon e vendos me qeverinë se cilin opsion ta jetësojë.

Mund të thotë dikush: si, kjo qeveri të vendosë për reformën e edukimit?! Po, pikërisht kjo, edhe pse shihet se është me të meta, por është qeveri. Duhet të vendosë qeveria dhe për këtë duhet të mos trembet ndonjë ekspert apo mësimdhënës. Duhet të vendosë qeveria për këto dy arsye kryesore: e para, ajo e ka përgjegjësinë se si do të formohet trupi prej 28000 mësimdhënësish, të cilët mësojnë trupin prej 500.000 nxënësve dhe, e dyta, e cila duhet t’i qetësojë të gjithë ekspertët dhe gojëkëqijtë, qeveria do të vendosë për njërin nga opsionin e studiuara nga ekspertët.

Prof. asistent Dr. Shukri Klinaku

(Autori është mësimdhënës në FE të UP-së)

Prishtinë, 8.10.2012