×

​Provimi i maturës, si të bëhet më i mirë?

20.06.2011 · Shukri Klinaku



Është vështirë të rregullohet vetëm një segment i një çështjeje të madhe dhe të ndërlikuar pa një ndryshim rrënjësor të asaj çështjeje. Por sigurisht që nuk duhet të vajtojmë për secilin segment, e të mos angazhohemi për ndryshim pozitiv segmentar, vetëm pse nuk mund ta ndryshojmë tërësisht dhe shpejt çështjen. Flitet për segmentin “Provimi shtetëror i maturës në Kosovë”.

  • Dobësitë e provimit të maturës deri më tani
    • Dobësitë që i prodhon ligji
    • Dobësitë e administrimit
    • Dobësitë që i përmban testi i maturës
    • Dobësitë që kushtëzohen nga gjendja jonë objektive
  • Pasojat e këtyre dobësive
  • Çka duhet të ndryshohet në Provimin e maturës shtetërore?

Konsideroj se kishte disa dobësi të mëdha në zhvillimet e deritanishme të provimit shtetëror të maturës. Në zhvillimet e deritanishme të provimit shtetëror të maturës konsideroj se kishte disa dobësi të mëdha. Dobësitë do të mund të shquheshin si katër llojesh: dobësitë që i prodhon ligji, dobësitë e administrimit, dobësitë që i përmban testi i maturës dhe dobësitë që vijnë nga kushtet objektive.

Me ligj parashihet që provimi i maturës është eliminues, respektivisht vetëm nxënësi që merr së paku 50% të pikëve të mundshme e merr diplomën e shkollës së mesme. Të tjerët – ngelin. Kanë mundësi të riprovohen, por nxënësit që nuk e arrijnë ndonjëherë këtë prag, kot i kanë vijuar 12 – 13 vjet shkollë! Duke qenë se provimi është eliminues, nxit tendencën dhe dëshirën primitive të “ekzistencës” si bashkësi (si klasë, si shkollë, si komunë, e në fund edhe si shtet, kur është fjala për interesin ditor të ministrisë). Pra, nxënësi nuk motivohet (qoftë vetë, qoftë nga shkolla) që të punojë vetë dhe të sigurojë sa më shumë pikë, por para së gjithash motivohet për sigurim të kalimit të pragut për klasën etj. Edhe rangimi - pa eliminim - është i mjaftueshëm për diferencim gjatë procesit të regjistrimit të studentëve në universitetet publike. Fundja, testi është individual dhe duhet bërë çmos që të zhvillohet si i tillë që ta motivojë individin të arrijë maksimumin.

Ligji përcakton se Ministria e Arsimit duhet ta qeverisë provimin e maturës. Madje në praktikën e viteve të kaluara Ministria e ka kapur më fort provimin e maturës sesa e thotë ligji. Në ligj nuk thuhet shprehimisht se kryetar i Komisionit Qendror duhet të jetë njeriu i Ministrisë, ndërsa në praktikë kjo ka ndodhur. Sido që të jetë, kjo çështje mund të ndryshohet ashtu që njerëzit e Ministrisë së Arsimit, edhe nëse kanë të drejtë pjesëmarrjeje në zhvillimin e provimit të maturës, të mos jenë vendimmarrësit në proces. Me ligj mund të përcaktohet që provimin e mbanë një institucion i profesionalizuar (gjithësesi vendor, në mënyrë që të mos nxirren paratë tona jashtë). Në këtë mënyrë do të evitohej konflikti që ekziston sot në ligj, sipas të cilit Ministria organizon procesin mësimor dhe në fund, organizon provimin për vlerësimin e punës së vet.

Çështja e administrimit të provimit të maturës është problem i madh. Rrënjët e problemit shkojnë deri në ato përmasa, saqë bëhet problem politik. Edhe pse në masën më të madhe ky administrim varet nga politika e Ministrisë, përmirësimi i disa parametrave do të ndihmonte shumë që administrimi të bëhet më i mirë nga ky që e kemi parë deri më tani. Administrimi i dobët i deritanishëm i provimit të maturës është burim i deformimeve deri në atë masë, saqë nuk lejon identifikimin e dobësive në aspektet e tjera të provimit të maturës. Si përfundim, të gjitha mëkatet i vishen administrimit.

Çka është provimi shtetëror i maturës? Çka dëshirohet të arrihet me provimin shtetëror të maturës?

Sipas ligjit tonë për provimin e maturës, “Provimi i maturës shtetërore është proces i mbledhjes, përpunimit, analizimit, vlerësimit dhe i interpretimit të të dhënave me qëllim të përcaktimit të shkallës së zotërimit të objektivave të përcaktuara në programet shkollore”.

Ky përkufizim është i pamjaftueshëm. Me këtë fjali do të mund të përkufizohej edhe një mesatare në shkallë vendi e nxjerrë nga rezultati i dëftesave të të gjithë nxënësve. Konsideroj se qëllimi kryesor, në mos i vetmi, i një provimi shtetëror është standardizimi i arritjes në nivel shtetëror. Synim i largët i një provimi të tillë do të ishte njëjtësimi i shkollave të Republikës për nga cilësia, sepse sot ato janë shumë heterogjene dhe kjo paraqet problem. Me fjalë tjera, provimi i maturës ka për qëllim t’i rangojë nxënësit jo për nga notat që kanë marrë në ditar, por për nga rezultati që del nga një test i njëjtë për krejt maturantët e Republikës.

Përpiluesit e testit të maturës, të udhëhequr nga fakti se nuk kuptohet në thelb qëllimi i provimit të maturës dhe nga administrimi i dobët i tij, e bëjnë edhe një gabim tjetër: përpilojnë teste me kërkesa të larta; me fjalë tjera, përpilojnë teste të vështira dhe pa kriter. Çka ndodh pastaj? Një nxënës i pesave, i cili vendos që në këto rrethana të gjejë qetësi dhe ta plotësojë vetë testin – dështon! Dështon, sepse nuk e gjen qetësinë e nevojshme dhe dështon, sepse testi është i përpiluar dhe i administruar për zgjidhje kolektive. Në fund edhe parametrat që i nxjerr provimi nuk janë arritje individuale e nxënësit, por në rastin më të mirë është vlerësim kolektiv i klasës.

Edhe fakti se, me gjithë dobësitë e administrimit në favor të zgjidhjeve kolektive, provimin e kanë kaluar vetëm 42% e maturantëve tregon se testi është i vështirë. Shifra 42% është shifra e publikuar nga Komisioni Qendror i Maturës Shtetërore, ndryshe sipas disa fakteve që kam, rezultati real nuk arrinë shifrën 30%.

Sigurisht, nëse do të flisnim në mënyrë dëshirore, apo siç dimë shpesh të themi, nëse duam ta bëjmë testin si në Evropë (në Perëndim), e dimë që na mungojnë disa kushte objektive. Mirëpo kjo nuk do të thotë që të mbesim gjithnjë në formën stereotipe, shumë të vjetër, të plotësimit të testit në letër dhe me laps, të grumbulluar në një vend dhe të ruajtur nga disa administratorë, që sigurisht se nuk mund t’i zbatojnë “rregullat e zhvillimit të testit” njësoj. Mënyra e administrimit të deritanishëm të testit të maturës nuk ndryshon shumë nga mënyra e testimit të nxënësve në klasë gjatë procesit mësimor.

Pasoja më e madhe, më e dhimbshme dhe më afatgjate është gjurma që lë ky provim te maturantët, d.m.th., te brezi që zyrtarisht “po aftësohet” për … Për çka? Për ato deformime që bëhen në provimin e pjekurisë? Paramendojeni një maturant shembullor me më pak se 60 pikë dhe një maturant të dyshave të falur me mbi 80 pikë. Të parit ia kemi pjekur se puna nuk vlerësohet, të dytit i kemi treguar se vjedhja dhe shkelja e rregullave shpërblehen në këtë jetë.

Pasoja tjetër e madhe është se provimi shtetëror i maturës i organizuar në këtë mënyrë nuk e arrin ndonjë nga qëllimet apo synimet që i ka.

Pra, në mënyrën se si zhvillohet provimi shtetëror i maturës deri më sot, zhvillohet sa për ta përmbushur formalisht një obligim ligjor dhe sa për të gëlltitur qindra mijëra euro.

Nëse njeriu pajtohet se ekzistojnë këto dobësi dhe nëse vendos për t’i mënjanuar ato, atëherë është e lehtë. Pra, duhet të ndryshohet ligji, duhet që administrimi të bëhet më serioz, duhet përpiluar testi i maturës me parametra të studiuar dhe të provuar dhe në fund, të shikohet mundësia e përdorimit të teknologjisë bashkëkohore në zhvillimin e provimit.

Ligji duhet ta precizojë qëllimin e provimit shtetëror të maturës. Duhet të theksojë se provimi nuk është eliminues, por vetëm rangues. Natyrisht që mund të ketë edhe ndryshime tjera në ligj, të cilat do ta përmirësonin provimin e maturës.

Përpilimi i testit të maturës duhet të ndërrojë rrënjësisht. Konsideroj se çdo test përgjithësisht duhet të jetë i atij niveli, në mënyrë që nxënësi mesatar (i notës 3) ta kalojë provimin e materies mësimore për të cilën testohet. Çka do të thotë kjo për provimin shtetëror të maturës? Merret një shkollë mesatare e Kosovës. Për shembull, le të jetë e tillë një shkollë e Vushtrrisë. Përpilohet një test i tillë që nxënësit mesatarë të kësaj shkolle ta kalojnë pa vështirësi; pra nxënësi me tresha (3) i Vushtrrisë duhet të sigurojë 50% të pikëve. Me kësi testi dhe me një administrim objektiv bëhet një rangim meritor. Niveli i testit sigurisht që nuk do të mbetej gjithnjë i njëjtë, por këtë nivel duhet ngritur në përputhje me ngritjen e cilësisë së gjithmbarshme të arsimit në nivel të republikës, që do të thotë se ngrihet shumë ngadalë.

Konsideroj se kushtet tona objektive janë përmirësuar dhe lejojnë që në zhvillimin e provimit shtetëror të maturës të përdoret më shumë teknologjia informatike. Shpenzimet materiale duhet të jenë të përafërta me këto që bëhen tani.


Shukri Klinaku

(autori është anëtar i KP të Lëvizjes për Bashkim)