29.03.2012 · Shukri Klinaku
Motivi
Prej janarit, së paku një herë në javë, më kanë pyetur nxënësit lidhur me Provimin shtetëror të maturës. Pyetjet janë të shumta dhe të ndryshme. Është i arsyeshëm preokupimi i tyre. Por si është e mundur që drejtori të mos e dijë përgjigjen?!
Tashmë jemi mësuar me një praktikë jo të mirë të Ministrisë së Arsimit (MASHT) lidhur me ndryshimet në strukturën e Provimit të maturës dhe mënyrës së administrimit të tij, të cilat ndryshime bëhen aty kah fundi i vitit shkollor dhe aplikohen në fund të atij viti shkollor. Konkretisht, për Provimin e sivjetmë të maturës kohën e fundit janë mbajtur shumë punëtori dhe janë bërë shumë vërejtje për ndryshime të mundshme rreth strukturës dhe mënyrës së administrimit. Mirëpo jemi në fund të marsit; edhe një muaj e gjysmë maturantët përfundojnë vitin mësimor dhe nuk ka informacion se çka dhe si do të ndryshojë ky provim, krahasuar me atë të vitit 2011.
“Njoftimi me kohë!”
Të gjithë udhëheqësit e institucioneve tona e kanë në majë të gjuhës fjalinë: “Ju informojmë me kohë”. E vërteta është se shumica e institucioneve vonohen me informacionin apo me veprimin publik që janë të obliguara ligjërisht t’i bëjnë. Kjo praktikë jo e mirë e informimit me vonesë e ka përcjellë MASHT-in në vazhdimësi në këto 12 vitet e shkuara. Përjashtim bën informacioni lidhur me “pushimet” nga i ftohti në shkurtin e këtij viti dhe udhëzimet për kompensimin e tij, të cilat janë bërë me kohë. Çka është me e keqja, në të gjitha vitet deri më tani MASHT-i është vonuar me përgatitjet dhe me informimin rreth Provimit shtetëror të maturës. Sidomos është vonuar shumë në ato vite kur ka pasur ndryshime në strukturë të provimit dhe në mënyrën e administrimit.
Ndryshimet duhet kumtuar tani - për Provimin e maturës 2013!
Sivjet janë paralajmëruar shumë ndryshime. Janë mbajtur disa punëtori nga të cilat janë nxjerrë disa përfundime. Por lajm shkollat nuk kanë. Të nderuarit në MASHT mund të thonë: provimi është provim; përgatituni Ju – qoftë mësimdhënës, qoftë nxënës! Por kjo nuk është në rregull. Sepse nxënësi i një shkolle profesionale pyet se në cilat lëndë do të testohet. Pyet: a kam pyetje të fizikës? Çfarë t’i thotë drejtoria? Pastaj, nuk dihet data e provimit. Edhe për këtë nxënësit pyesin pandërprerë. Njësoj, edhe para dy vitesh, kur kishte ndërruar rrënjësisht struktura e Provimit të maturës, informimi ka qenë bërë shumë vonë. Edhe ndërrimet në mënyrën e administrimit duhet t’i dinë me kohë edhe personeli mësimor, edhe nxënësit.
Si përfundim: konsideroj se Provimi shtetëror i maturës për vitin 2012 duhet të organizohet njëjtë sikur në vitin 2011, sepse tashmë është vonë për ndonjë ndryshim.
Ndryshimet që janë planifikuar për këtë vit të stërhollohen e të studiohen edhe pak muaj, pastaj të bëhet informimi mbi to dhe mbi aplikimin e tyre për vitin 2013.
Prishtinë
29.3.2012