×

Pritjet e gjata ne QKUK

14.06.2012 · Aurora Bakalli



I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë, kabinet qeveritar,

Institucionet publike shëndetësore në vend janë duke u degraduar çdo ditë e më shumë. Gjendja në këto institucione është tejet shqetësuese. Mungesa e madhe e barnave dhe materialit shpenzues, laboratori jashtëzakonisht i varfër, mosfunksionimi i aparaturës ekzistuese, listat e gjata të pritjes janë vetëm disa nga problemet në këto institucione.

Si shkas për këtë diskutim kam marrë mosfunksionimin e aparatit të koronarografisë të kabinetit të kardiologjisë invazive tash e tre muaj. Dhe nuk është hera e parë që kjo aparaturë e shtrenjtë në QKUK nuk funksionon në periudha disamujore. Një pyetje që nuk kam përgjigje është se përse duhen periudha të stërzgjatura për rifunksionalizimin e saj?

Çfarë ngjet me të sëmurët që kanë nevojë t’i nënshtrohen kësaj procedure? Ata duhet të presin gjatë e gjatë deri sa QKUK të arrijë ta rifutë në përdorim këtë aparat, ndërsa pacientët më fatlumë me status më të mirë social i kanë dyert të hapura qoftë në institucionet e bollshme private shëndetësore që e ofrojnë këtë shërbim të shtrenjtë shëndetësor, qoftë edhe të orientohen jashtë vendit.

Përderisa në institucionet publike pothuajse asgjë nuk funksionon apo funksionon me shumë vështirësi, në institucionet private, përkundrazi, krijohet terren i favorshëm që gjithçka të funksionojë lehtësisht. Madje, me anë të një udhëzimi administrativ të lëshuar këtë vit nga MeSH, janë bërë lehtësime tepër të mëdha për leje pune në Kosovë të mjekëve që vijnë nga vendet tjera, duke mos kërkuar praktikisht kurrfarë kriteresh nga ata. Këta mjekë veprimtarinë e tyre e kryejnë në institucionet private në vend, ndërkohë që asnjëherë nuk sillen ekspertë nga jashtë në institucionet publike për ta aftësuar kuadrin vendor, posaçërisht për lëmenjtë deficitarë; gjë që qartazi dëshmon qëllimin për përfitime materiale në hallka të ndryshme dhe assesi për ngritjen e nivelit shëndetësor në vend. Një politikë e tillë, në kushte krejtësisht të pabarabarta të konkurrencës, konsideroj se në aftat të gjatë do të ndikojë në rënie edhe më të madhe të nivelit të shëndetësisë kosovare.

Në media shohim se përditë inaugurohen spitale moderne private të ashtuquajtura amerikane, gjermane, turke etj., ndërsa nga QKUK na shfaqen vetëm lajme tronditëse.

Nuk është se personalisht kam ndonjë gjë kundër zhvillimit të sektorit privat shëndetësor, por sidomos në mungesë të sigurimeve shëndetësore, luksin e këtyre institucioneve mund ta gëzojnë vetëm një pjesë e vogël e popullatës sonë. Ndërkohë kush duhet të mendojë për shumicën e popullatës së varfër te ne? Ata duhen të përballen me kaosin marramendës në institucionet publike në vend.

Nuk e di se kujt i konvenon një gjë e tillë, por popullit të Kosovës sigurisht që jo. Pakënaqësia e popullatës në raport me shëndetësinë e vendit vërehet në bisedë me çdo qytetar që ballafaqohet me nevojën për shërbime shëndetësore.

Edhe sa duhet të pritet që kjo çështje kaq e ndjeshme të trajtohet me prioritet?

Prandaj, si deputete e Kuvendit të Kosovës, nga kjo foltore i bëj thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë të punojnë seriozisht, sepse është koha e fundit për ta shpëtuar shëndetësinë në vend.

Ju faleminderit!

Aurora Bakalli

Deputete e Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë,

14.6.2012