×

​Sulmet mbi mantelbardhët – të patolerueshme

06.06.2013 · Aurora Bakalli



Arsyeja për çka po marrë fjalën sot është sulmi fizik që është deklaruar dje ndaj doktoreshës-kirurges në QKUK. Kjo nuk është hera e parë në Kosovën e pasluftës të kemi dëgjuar ngjarje të tilla të shëmtuara.

Të nderuar deputetë, të nderuar qytetarë, të sulmohet një punëtor shëndetësor në vendin e vet të punës nga një familjar i të sëmurit është dukuri vërtet e shëmtuar, ndërkaq bëhet edhe më e shëmtuar kur sulmi bëhet ndaj një doktoreshe nga pala e gjinisë së kundërt (të paktën kjo nuk ka qenë karakteristikë e shqiptarëve).

Denigrimi i figurës së mjekut dhe mantelbardhit që ndodhi vitet e fundit në shoqërinë tonë janë nxitësit kryesor të sjelljeve të tilla të qytetarëve.

Neglizhenca e qeverive në vazhdimësi ndaj sistemit publik shëndetësor dhe skamja që kanë krijuar në këto institucione kanë denigruar spitalin e bashkë me të edhe mantelbardhin. Kronikat e zeza që në vazhdimësi emetohen në mediat tona për mantelbardhët kosovarë bëjnë që qytetari që i qaset institucionit shëndetësor të ketë paragjykim ende pa shkelur brenda.

Qytetari që kërkon ndihmë në këto institucione duhet të jetë koshient se nuk është fajtor mantelbardhi për mosfunksionimin e sistemit shëndetësor, nuk është fajtor mantelbardhi për barërat që duhen blerë, nuk është fajtor mantelbardhit për mungesën e aparatur në spitale. Qytetari (qoftë i sëmurë apo familjar i të sëmurit) duhet ta dijë se edhe në spitale, si në çdo institucion tjetër, ekzistojnë rregullat e shtëpisë të cilave duhen t’u përmbahen, një ndër të cilat është orari i caktuar se kur u jepen informata familjarëve për gjendjen shëndetësore të të sëmurit.

Me këtë rast në asnjë mënyrë nuk dua t’i amnistoj mantelbardhët, apo të kërkoj imunitet për ta, por sulmi fizik është i patolerueshëm. Të dashur qytetarë, nëse keni vërejtje ndaj shërbimeve shëndetësore që ju ofrohen denoncojini rastet në organet gjegjëse, por edhe një herë ju bëj thirrje mos sulmoni fizikisht mantelbardhin, sepse kështu vetë JU jeni duke ia dhënë goditjen e fundit këtij institucioni edhe ashtu të brishtë të vendit tonë.

Ju faleminderit.

Aurora Bakalli, deputete e LB-së Kuvendin e Kosovës

Prishtinë, 6.6.2013