×

​Të gjendet rruga ligjore për barnat

03.05.2011 · Aurora Bakalli



I nderuari Kryetar i Kuvendit,

Kabinet qeveritar,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Në emër të farmacistëve kosovarë dua ta shpreh shqetësimin e tyre për, siç thonë ata, “denigrimin e imazhit” të farmacistëve në Kosovë pas ngjarjeve të fundit.
Inspektimet që u bënë kohë më parë në barnatoret dhe depot e barnave rezultuan me konfiskim të barnave të padoganuara dhe gjobitje në vlerë prej 5.000 €. Para syve të qytetarit të rëndomtë kjo nënkuptoi se në barnatore paskan blerë barna të cilësisë së “dyshimtë” të cilat mund ta rrezikonin shëndetin e tyre.
Ndërkaq, farmacistët shpjegojnë se barnat e padoganuara në barnatoret e tyre kanë qenë ato të cilat përshkruhen nga mjekët dhe kërkohen nga qytetarët, por fatkeqësisht nuk janë të regjistruara nga Agjensioni Kosovar për Produkte Medicinale (AKPM). Duke parë kërkesën e qytetarëve dhe për të qenë në shërbimin e tyre, farmacistët ishin të detyruar për t’u pajisur edhe me këto barna, përndryshe qytetarët do të jenë të shtyrë të gjejnë zgjidhje nëpër “enklava” apo jashtë vendit.
Nga bisedat me farmacistë kam kuptuar se ndër barnat e paregjistruara janë: Nitroglicerina, Dopamina, Dobutamina, Diamoxi, Vitamina C, vitamina B dhe të tjera, preparate këto shumë të rëndësishme për shëndetin e të sëmurit. Në Kosovë janë të regjistruara rreth 500 preparate medicinale, ndërsa shtetet përreth kanë së paku dyfish më shumë barna të regjistruara, edhe pse sëmundshmëria konsiderohet të jete e ngjashme.
Ndërkaq, dilemat e mia personale janë disa!
Si janë përzgjedhur barnatoret që janë inspektuar? Pra, cilët kanë qenë ata farmacistë që pos gjobës së majme janë dashur të përballen edhe me petkun e “kontrabanduesit”? Përfaqësues të doganave thonë se këtë përzgjedhje e ka bërë njësia e inteligjencës. Ndërkaq, mendja ma thotë se nëse farmacistët ishin unikë për të hyrë në grevë, atëherë ky problem është i të gjithëve.
Dilemë tjetër është se pse aksione të tilla nuk janë ndërmarrë tash e 12 vite, ani pse shumica e barnave të paregjistruara kanë qarkulluar tërë këtë kohë në tregun tonë?
Barnat e konfiskuara një kohë janë dërguar për shfrytëzim në QKUK, dhe prej këtu del edhe dilema tjetër, se si këto barna nuk kanë qenë të sigurta për t’iu shitur pacientëve, megjithatë kanë qenë mjaft te mira për t’ua dhënë falas atyre!?
Dua të ritheksoj se greva e farmacistëve nuk pati për qëllim t’i dilte krah “kontrabandës” së barnave, por ajo kishte për qëllim që të bëjë trysni në organet gjegjëse që të gjendet sa më shpejtë rruga ligjore për t’i futur në treg këto preparate.
Konsideroj se sa më parë duhet të përpilohet lista prioritare e barnave të paregjistruara dhe përmes një udhëzimi administrativ të lejohet importimi i tyre me doganë derisa të regjistrohen nga AKPM-ja.