×

​Edhe njëherë për bisedimet Kosovë-Serbi

21.01.2014 · Avni Klinaku



(Bisedimet Kosovë-Serbi, ashtu siç i ka zhvilluar Hashim Thaçi, kanë prodhuar rezultate shumë të dëmshme dhe me pasoja afatgjate për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi. Kosovës i është shtuar jofunksionaliteti; Mitrovica padrejtësisht është ndarë edhe juridikisht në Mitrovicën Jugore dhe atë Veriore e Presheva, Bujanoci i Medvegja kanë mbetur të patrajtuara me gjithë shtypjen e madhe nga Serbia që po e përjetojnë shqiptarët autokton në këto komuna).

Kur punët nuk shkojnë mirë, e, për më tepër, kur ato shkojnë keq, gjithmonë njerëzit kërkojnë me të drejtë ta gjejnë fajtorin. Në rastin e bisedimeve me Serbinë gjetja e fajtorit nuk është e vështirë, sepse përgjegjësin për bisedimet e ka marrë mbi supe, pothuajse i vetmuar Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi.

Gabimi i parë i Hashimit

Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi edhe në rastin e bisedimeve Kosovë-Serbi nuk u soll si burrështetas. Ai, përpara këtij interesi madhor të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi nuk u konsultua dhe nuk hapi debat me forcat politike në Kosovë, pastaj i injoroi plotësisht shqiptarët e Kosovës Lindore dhe nuk u konsultua fare me Tiranën zyrtare. Si rrjedhojë, në lidhje me bisedimet me Serbinë u thelluan edhe më tepër përplasjet e brendshme të spektrit politik shqiptar. Në këto rrethana, secili subjekt politik në Kosovë, në mungesë të një konsensusi kombëtar, mbrojti interesat e ngushta partiake dhe Kosova shkoi në bisedime e papërgatitur, pa platformë politike për bisedimet dhe pa orientim të qartë në raport me bisedimet. Madje në këtë stihi debati qëllimisht dhe gabimisht u orientua në përplasjen PDK-LVV se a duhet të bisedojmë apo jo me Serbinë në vend që të bisedohet për interesin tonë kombëtar, për platformën tonë politike për bisedimet, për përbërjen e ekipit negociator etj.

Gabimi i dytë i Hashimit

Kryeministri i Kosovës u ulë në tavolinën e bisedimeve me një agjendë të huaj, e cila kishte si synim akomodimin e serbëve në Kosovën e pavarur dhe nuk merrej fare me interesat e shqiptarëve, me ndarjen e padrejtë të Mitrovicës e me Kosovën Lindore. Pra, në vend të bisedohej për problemet e mbetura të pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë, bisedimet u zhvilluan për thellimin e privilegjeve për serbët e Kosovës. Në këtë pozicionim të gabuar të Kosovës, Hashim Thaçi detyrohej të bënte lëshim pas lëshim.

Gabimi i tretë i Hashimit

Të gjitha lëshimet që po i bën Kryeministri i Kosovës në Bruksel po përpiqet t’i arsyetojë me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ky është një orientim krejtësisht i gabuar! Nuk mund dhe nuk duhet të ishin normale marrëdhëniet me Serbinë kur Serbia dhe serbët kanë ndarë, spastruar etnikisht dhe e mbajnë me forcë pjesën veriore të Mitrovicës; nuk mund dhe nuk duhet të ishin normale marrëdhëniet me Serbinë kur Serbia mbanë me forcë dhe shtyp pa mëshirë shqiptarët e Kosovës Lindore; nuk mund dhe nuk do të duhej të ishin normale marrëdhëniet me Serbinë kur Serbia i bën obstruksione të vazhdueshme Kosovës në skenën ndërkombëtare, etj.

***

Kosova e përfaqësuar nga Kryeministri i saj, z. Hashim Thaçi duke qenë e papërgatitur mbrojti një pozicion të gabuar: ajo në Bruksel mundohej ta mbronte Pakon e Ahtisarit, për të cilën ekziston një pajtueshmëri e përgjithshme në Kosovë se ka qenë një kompromis i dhimbshëm. Kompromisi i Pakos së Ahtisarit dihet botërisht se i është bërë Serbisë (heshtja e çështjes së Kosovës Lindore) dhe serbëve të Kosovës (decentralizimi etnik, ndarja e Mitrovicës dhe serbizimi i saj, vendet e garantuara me fuqi bllokuese të Kuvendit të Kosovës, etj.). Në këtë zhvillim negativ të ngjarjeve për Kosovën, të ulesh dhe t’i rinegocosh këto kompromise me Serbinë, përbën një premisë që do të qonte pashmangshëm në lëshime të reja ndaj Serbisë “së dëmtuar”. Dhe lëshimet erdhën! Fondi për veriun, asociacioni i komunave me kompetenca të zgjeruar, zinxhiri komandues i policisë, etj. janë lëshime të reja që tejkalojnë edhe pakon e Ahtisarit.