×

Bisedimet Kosovë-Serbi

27.10.2008 ·



Zhvillimi i pritshëm i situatës rreth bisedimeve të reja Kosovë-Serbi ka filluar të marrë formë e zhvillim krejt të padëshirueshëm dhe në kundërshtim me interesat e popullit shqiptar në Kosovë dhe në tri komunat shqiptare nën Serbi: Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Sipas njoftimeve të para, takimi i parë i liderëve kosovarë me të dërguarin e OKB-së për ndërmjetësim në dialogun e ardhshëm Prishtinë-Beograd, Andrew Ladley, në lidhje me “ndarjen administrative” të veriut të Kosovës, ka përfunduar njëanshmërisht nga ana e liderëve kosovarë.

Ky refuzim dhe ky “rebelizëm” nuk i duhet Kosovës në këto momente; ky refuzim dhe ky “rebelizëm” është shumë i rrezikshëm dhe me pasoja; ky refuzim dhe ky “rebelizëm” është vetëm hedhje hi syve të publikut për zgjidhjen alla-serbe të çështjes së veriut të Kosovës e me gjerë.

Në vend të refuzimit liderët shqiptarë do të duhej të përgatiteshin për një takim të tillë me një strategji të gjithanshme për zgjidhjen e problemit shqiptaro-serb, e jo të përpiqen t’i injorojnë problemet ekzistuese.

Problemi i veriut të Kosovës (edhe i enklavave në brendësi) ekziston dhe nuk guxon të injorohet. Refuzimi i bisedimeve do të ketë pasoja shumë të rënda për popullin e Kosovës, përkundër “patriotizmit” të përfaqësuesve tanë. Dhe ato pasoja do të jenë:

  • Serbia do të merret vesh edhe pa përfaqësuesit e Kosovës me OKB-në për “ndarjen funksionale” të veriut (konfederalizim i Kosovës) dhe institucionet e Kosovës nuk kanë mekanizma t’i kundërvihen një marrëveshjeje të tillë;
  • Problemi i enklavave (në mos qoftë subjekt i marrëveshjes OKB-Serbi) do të mbetej në stadin e tanishëm;
  • Problemi i Preshevës, Bujanocit e Medvegjës do të mbetej akoma i padiskutueshëm.

Interesi strategjik i Kosovës kërkon zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptaro-serb. Kjo zgjidhje do t’i kontribuonte të dy vendeve për një zhvillim normal.

Interesi strategjik i Kosovës do të duhej të mbështetej në realitetet e pamohueshme:

  • Presheva, Bujanoci e Medvegja janë të banuara me shumicë shqiptare dhe kanë vazhdimësi territoriale më Kosovën;
  • Veriu i Kosovës (pa Mitrovicën) është i banuar me shumicë serbe dhe ka vazhdimësi territoriale me Serbinë;
  • Serbët në brendësi të Kosovës janë pakicë kombëtare dhe duhet t’i gëzojnë të drejtat e pakicës sipas konventave ndërkombëtare.

Në qoftë se ndonjëra palë nuk është e gatshme sot të bëhet zgjidhja më e mirë (ridefinimi i kufijve Kosovë-Serbi) në bazë të këtij realiteti, atëherë, si veriu i Kosovës, ashtu edhe Presheva, Bujanoci e Medvegja duhet të gëzojnë të drejta të njëjta.

Me një strategji të tillë të qartë, e cila do të shqyrtohej dhe do të miratohej nga të gjitha forcat politike të Kosovës, përfaqësuesit e Kosovës do të hynin në bisedime pa frikë dhe do të dilnin fitimtarë, pikërisht për shkak të drejtësisë së çështjes.