×

Demarkacioni duhet të shkoj në arbitrazh

17.05.2016 · Valon Murati



Intervista e kryetarit të LB, Valon Murati, për Koha Ditore:

KD: Lëvizja për Bashkim është pjesë e qeverisë, por jo gjithmonë është pajtuar me qëndrimet e ekzekutivit për çështje të rëndësishme, të cilat edhe u bënë shkaktare që vendi të futet në krizë politike. Fillimisht, cili është qëndrimi i Lëvizjes për Bashkim sa i përket demarkacionit me Malin e Zi. A duhet të ratifikohet kjo marrëveshje sipas versionit aktual, apo duhet ndryshuar?

Valon Murati: Çështja duket e komplikuar me një lloj kushtëzimi që Komisioni Evropian i ka bërë ratifikimit të marrëveshjes me çështjen e liberalizimit të vizave. Megjithatë besoj se po të kemi një konsensus politik sesi të procedohet, po ta kemi të qartë cilën rrugë po duam ta ndjekim, do të mund të kishim mirëkuptimin edhe të BE-së por edhe të Malit të Zi. Pas publikimit të raportit të komisionit ndërkombëtar të krijuar nga presidentja, Lëvizja për Bashkim, ka propozuar se çështja e demarkacionit duhet të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar, sepse edhe ne në vazhdimësi ashtu siç ka konstatuar edhe ky komision kemi pasur problem me transparencën e këtij procesi. Por në të gjitha variantet konsideroj se ka ardhur koha që procesi të bartet në kuvend dhe aty në fund të fundit të shterohen të gjitha debatet dhe mundësit për zgjidhjen e këtij problemi.

KD: Marrëveshja tjetër e cila shkaktoi bllokadë është ajo për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe? Cili qëndrimi juaj përkitazi me këtë marrëveshje, marrë parasysh edhe aktgjykimin e gjykatës kushtetues, e cila ka konstatuar se marrëveshja e parimeve të 25 gushtit prek kushtetutën e Kosovës në 24 nene?

Valon Murati: Lëvizja për Bashkim në mandatin e kaluar ka votuar kundër marrëveshjes së prillit 2013, e cila realisht e ka instaluar asociacionin në sistemin tonë juridik. Ne kemi votuar kundër, sepse kemi llogaritur dhe vazhdojmë të llogarisim se këto marrëveshje me Serbinë nuk janë rruga për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mes të dy vendeve dhe të dy popujve. Rrjedhimisht kemi qenë dhe jemi kundër themelimit të këtij asociacioni, por në anën tjetër jemi të vetëdijshëm se ai është pjesë e sistemit tonë juridik tani më me marrëveshjen e vitit 2013. Tani, pas vendimit të gjykatës kushtetuese, e cila jo që nuk e ka kontestuar krijimin e asociacionit por e ka rikonfirmuar se ai veç është pjesë e sistemit tonë juridik me marrëveshjen e prillit të vitit 2013 (e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës), mbetet që statuti i këtij asociacioni të themelohet në përputhje me kushtetutën dhe rekomandimet e gjykatës kushtetuese.

KD: Deri më tani kemi parë se dialogu me Serbinë nuk ka sjellë as normalizimin as integrimin e komunitetit serb në Kosovë. A e përkrahë LB këtë lloj të dialogut apo mendoni se duhet ndryshuar?

Valon Murati: Lëvizja për Bashkim, ka qenë subjekti i parë politik që nga viti 2010 që ka konstatuar se problemet me Serbinë duhet të zgjidhen përmes një dialogu politik. Edhe atëherë, e edhe tani jemi kundër bisedimeve teknike me Serbinë, por kemi qenë dhe jemi për bisedime politike, të cilat do ta shtronin rrugën e zgjidhjes së marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Ne jemi i vetmi subjekt i cili kemi hartuar platformë për zgjidhjen e çështjes shqiptaro-serbe dhe kemi bërë përpjekje që këtë platformë ta shtrojmë edhe me subjektet e tjera politike, por pa sukses. Madje duke qenë të vetëdijshëm se e kemi vështirë të imponojmë tërësisht platformën tonë, ne kemi insistuar që së paku subjektet politike të kenë një platformë për bisedimet, gjë që u pat refuzuar gjithashtu, andaj edhe patëm votuar në Kuvendin e Kosovës kundër rezolutës për bisedimet me Serbinë. Refuzimi për ndërtimin e një platforme për bisedime, ka dëmtuar rëndë cilësinë dhe rezultatin e këtyre bisedimeve. Ne edhe tani mendojmë se forcat politike duhet të ulen dhe të ndërtojnë një platformë serioze për bisedimet politike me Serbinë dhe në bazë të kësaj platforme të jetë reciprociteti dhe në to të përfshihet patjetër edhe pozita e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

KD: Gati dy vjet Kosova ka mbetur peng e krizës politike. LB pati dalë me një propozim zgjidhje, por dialogu pozitë-opozitë po mungon. Cila është rrugëdalja?

Valon Murati: Ne si LB kemi ardhur në përfundim se mungesa e komunikimit në mes të forcave politike e ka dëmtuar dhe po vazhdon ta dëmtojë vendin. Komunikimi është i domosdoshëm për mirëmbajtjen e një sistemi demokratik dhe për fuqizimin e tij. Si rezultat unë kam bërë publik një plan sesi e shohim ne daljen nga kriza. Dhe komunikimi e dialogu janë në thelb të këtij propozimi. E para kam propozuar të thirret një tryezë e partive politike në të cilën do të debatohet për reformën zgjedhore. Ne konsiderojmë, se edhe tensionet politike të dy viteve të fundit kanë për burim një garniturë politike që del nga një sistem zgjedhor me shumë probleme, andaj është jetike për demokracinë në vend dhe legjitimitetin e institucioneve një reformë zgjedhore të mirëfilltë. Pjesë të kësaj reforme konsiderojmë se duhet të jetë trajtimi serioz i mbylljes së listave, çështja e pragut zgjedhor, zgjedhja e presidentit nga qytetarët, zgjerimi i mundësive për votim nga diaspora si dhe pastrimi i listave. Pjesa tjetër e propozimit ka të bëjë me instalimin e Tryezës së Liderëve e cila do të trajtonte çështjet më të ndjeshme në vend si bisedimet me Serbinë dhe do të bënte përpjekje të ndërtonte një platformë konsesuale duke përfshirë aty edhe të çështjen e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, do të trajtonte nevojën për ndryshime kushtetuese për të bërë një shtet më efikas dhe do të përpiqej të gjente rrugën për këto ndryshime e çështje të tjera me interes vital shtetëror dhe kombëtar në mënyrë që të mos vijmë në një situatë të tillë çfarë erdhëm me dy marrëveshjet e fundit. Në anën tjetër nëse ne si shoqëri dhe si subjekte politike nuk pajtohemi të kemi një tryezë të tillë dhe një veprim konsesual për çështje të mëdha, duhet të mësohemi se ai i cili fiton zgjedhjet dhe ka shumicën parlamentare do t’i çojë përpara agjendat e veta me shumicën e votave të cilën e ka. Demokracia i ka dy rrugë, ose ajo e konsensusit, ose kur ai nuk funksionon ajo e votës dhe legjitimitetit të saj, sado e dhimbshme dhe papëlqyeshme që mund të na duket kur jemi kundër por jemi pakicë politike.

KD: A mund të vazhdojë Kosova kështu deri në përfundimin e mandatit të kësaj qeverie, apo duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme?

Valon Murati: Unë e konsideroj se para çfarëdo debati për zgjedhje të reja, ne do të duhej ta shtronim me urgjencë nevojën e reformës zgjedhore dhe t’i shtroheshim punës për ta realizuar atë. Vetëm pas një reforme serioze zgjedhore, dhe e cila do të ishte gjithashtu fryt i një konsensusi politik, do të mund të flitej për afatin e zgjedhjeve, apo për mundësin e zgjedhjeve të reja. Çfarëdo zgjedhjesh të parakohshme me këtë sistem zgjedhor, nuk do të prodhonin ndonjë cilësi të re politike e cila pastaj do të reflektonte edhe në cilësinë e funksionimit të institucioneve. Madje reforma zgjedhore është e domosdoshme edhe për të pasur stabilitet politik në të ardhmen.

KD: Si e vlerësoni punën e deritashme në krye të Ministrisë së Diasporës. Cili është funksioni i saj dhe pse ka nevojë të jetë ministri e jo, ta zëmë, departament pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme?

Valon Murati: Vlerësimin duhet ta japin të tjerët, por atë që mund të them është se së bashku me bashkëpunëtorët e mi të kabinetit politik dhe të stafit të administratës civile jemi duke bërë një angazhim maksimal në kuadër të kufizimeve buxhetore që kemi si dikaster. Me kufizimet e cekura ne mbulojmë dhe jemi të angazhuar në një sërë fushash të gjera si arsimi, kultura, aktivitetet sportive, regjistrimi i diasporës, investimet nga diaspora etj. Ne gjithashtu merremi edhe me çështje që jo domosdo mund t’i zgjidhim sepse nuk janë pjesë e përgjegjësisë sonë direkte, por shërbejmë si avokatë të atyre problemeve tek institucionet e tjera, si p.sh. çështja e sigurimeve kufitare, pritjet në kufi, problemet administrative në nxjerrjen e dokumenteve personale etj. Për shkak të raportit shumë intensiv që ne vazhdojmë të kemi me diasporën dhe për shkak se diaspora jonë është jashtëzakonisht e madhe në raport me numrin e banorëve të Kosovës, konsideroj se është e arsyeshme që Kosova të ketë Ministri të Diasporës. Duhet të theksoj se edhe shtete të tjera me diasporë të madhe si Republika e Irlandës, Armenia, Izraeli etj. kanë ministri të diasporës, përderisa Kroacia ka një agjenci shtetërore që merret me kroatët jashtë shtetit.

KD: Cili është roli i diasporës në Kosovë?

Valon Murati: Roli i diasporës është jashtëzakonisht i madh. Diaspora ka qenë një ndër shtyllat e rëndësishme të përpjekjeve tona për liri dhe vazhdon të jetë ndër shtyllat e mbijetesës sonë socio-ekonomike. Duhet ta theksoj se vetëm vitin e kaluar sipas BQK-së shuma e remitancave nga diaspora është mbi 750 milion euro. Gjithashtu, ndonëse nuk kemi statistika të sakta, por nga puna në terren del se edhe një pjesë e konsiderueshme e atyre që trajtohen si investime të huaja, janë investime nga diaspora. Diaspora vazhdon të jetë e interesuar të investojë në Kosovë, dhe ne së bashku edhe me dikasteret e tjera qeveritare po punojmë që përmes krijimit të mekanizmave të duhur, përmes politikave të duhura fiskale e mbi të gjitha përmes angazhimit për një sundim më efikas të ligjit të krijojmë kushte që biznesmenët tanë të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Përveç investimeve, diaspora sot ka kapacitete që në Kosovë të sjellë edhe dije, ekspertizë dhe kulturën aq të nevojshme të punës. Kështu që ne në Ministrinë e Diasporës jemi të interesuar që diaspora nga një mirëmbajtëse e mbijetesës socio-ekonomike të shndërrohet në partner të zhvillimit të vendit në të gjitha fushat dhe me fitim të dyanshëm.

KD: Kosova vazhdon të renditet në mesin e vendeve me krimin e korrupsionin më të lartë. Sipas jush, çka tregon fakti se shumica e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit lidhen me pushtet dhe politikë?

Valon Murati: Për nga natyra e tij krimi i organizuar dhe korrupsioni jo vetëm tek ne por në tërë botën janë të ndërlidhur me politikën dhe pushtetin. Andaj funksionimi efikas i organeve të drejtësisë, e sidomos prokurorisë dhe gjyqësisë është jetike për një vend ku do të sundojë ligji. Deri më tani vlerësoj se sistemi i drejtësisë ka qenë larg performancës së nevojshme. Kohëve të fundit veprimet e prokurorisë së Kosovës japin shpresë për një luftim më të madh dhe më efikas të krimit dhe korrupsionit. Vënia para drejtësisë e politikanëve dhe pushtetarëve jo përmes spektakleve por përmes proceseve të ndërtuara mirë është një domosdoshmëri për të disiplinuar edhe politikën dhe për të vetëdijesuar të gjithë ata që janë dhe që duan të futen në politikë se marrja me politikë dhe përgjegjësitë politike janë marrje me interesat e publikut dhe përgjegjësi publike andaj duhet ta kuptojnë se politika nuk është vendi ku njeriu mund të bëhet milioner.

KD: Së shpejti pritet edhe funksionalizimi i gjykatës speciale, e cila do të merret me krimet e supozuara të UÇK-së. Cili është pozicioni i LB-së për këtë çështje?

Valon Murati: Deputeti i Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës ka votuar kundër formimit të Gjykatës Speciale dhe qëndrimi ynë publik kundër gjykatës ka qenë publik dhe parimor. Ne nuk jemi të mos gjurmohen dhe dënohen krimet e luftës, por konsiderojmë se është një prej padrejtësive më të mëdha që Kosovës, të vetmes nga të gjitha shtetet që dolën nga ish-Jugosllavia dhe e cila pësoi aq shumë viktima nga Serbia t’i krijohet një tribunal i tillë. Në anën tjetër ky tribunal po ndërtohet mbi një karakter të çuditshëm etnik vetëm për shqiptarët (ndonëse nuk thuhet por kjo nënkuptohet), përderisa një pjesë e mirë e krimeve të luftës në Kosovë kundër shqiptarëve e të kryer nga ushtria dhe policia serbe kanë mbetur të pandriçuara dhe të pazbuluara.

KD: Sa është e rrezikuar Kosova nga ekstremizmi islamik?

Valon Murati: Po jetojmë në një kohë të ekstremizmave, ku jo vetëm Kosova por edhe bota e këtu edhe Evropa po rrezikohet nga ekstremizmat e të gjitha natyrave. Sot si rezultat i kësaj situate po jemi dëshmitarë të ndryshimit gradual edhe të hartës politike në Evropë me forca të reja ekstremiste nga të gjitha krahët që po i afrohen pushtetit. Në këtë drejtim edhe Kosova nuk është imune, por vazhdoj të besoj se rreziku nga ekstremizmi islamik në këtë rast është më i vogël sesa që perceptohet. Kjo nuk nënkupton se duhet të flemë mendjen, dhe se nuk ka rrezik, përkundrazi mobilizimi duhet të jetë serioz si në fushën e funksionimit të sundimit të ligjit, po ashtu edhe në atë të zhvillimit ekonomik dhe fuqizimit të sistemit arsimor, si tri shtyllat kryesore të luftës kundër çfarëdo ekstremizmi. Kam përshtypjen se deri më tani organet e rendit në këtë drejtim kanë bërë një punë të mirë, dhe mbetet që kjo të përcillet edhe me angazhimin në sferat e tjera që i theksova.

KD: A mbetet ende synim politik i LB-së bashkimi kombëtar dhe si mendoni se mund të arrihet kjo?

Valon Murati: Lëvizja për Bashkim synim programor e ka bashkimin kombëtar. Sidoqoftë realizimin e këtij qëllimi e mendojmë se arrihet si një proces e jo me një akt. Dy elemente janë të rëndësishme në këtë proces. Njëra ka të bëjë me integrimet kombëtare në të gjitha sferat e të cilat nuk nënkuptojnë ndryshim kufijsh dhe tjetra ka të bëjë me domosdonë e ndryshimeve kushtetuese për t’u lejuar referendumi për bashkim (me kushtetutën aktuale bashkimi është i ndaluar dhe njëkohësisht ndryshimet kushtetuese janë shumë vështirë të realizueshme për shkak se nevojiten edhe 2/3 e votave të deputetëve të pakicave, përfshirë ata të pakicës serbe). Përderisa për integrime kërkohet vullnet politik i garniturave politike në Tiranë dhe Prishtinë, dhe mundësia për ta realizuar integrimin është më i madh dhe pa ndonjë telash juridik e kushtetues, ndryshimi kushtetutës është problem jashtëzakonisht i madh sepse ka ardhur edhe si presion i bashkësisë ndërkombëtare. Për ta realizuar këtë të fundit, ne si LB kemi pas insistuar se duhet një marrëveshje e re politike me Serbinë e cila do të përfshinte zgjidhjen me reciprocitet për tri komunat në veri në njërën anë dhe Preshevën, Medvegjën e Bujanocin në anën tjetër. Një marrëveshje e tillë e re që do të kishte karakter ndërkombëtar, do të mund të shtronte rrugën për një ndryshim të kushtetutës dhe krijimit të kushteve që populli shqiptar në Kosovë të vendos nëse dëshiron që Kosova të bashkohet me Republikën e Shqipërisë ose jo. Krejt kjo e shtron domosdonë e forcimit të plotë të sovranitetit të Kosovës sepse vetëm atëherë mund të krijohen kushtet që Kosova të vendos për fatin e bashkimit me Republikën e Shqipërisë. E në rrugën e fuqizimit të sovranitetit të shtetit të Kosovës përqendrimi në zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër korrupsionit për ne është shumë i rëndësishëm. Në këto rrethana rrugë tjetër bashkimi nuk ka vetëm përmes shtetit të Kosovës, fuqizimit të sovranitetit të saj përmes heqjes së pengesave të brendshme dhe të jashtme dhe përqendrimit në zhvillim ekonomik.