Të enjten deputetët e Kuvendit të Kosovës do të jenë para një sfide e presioni si kurrë ndonjëherë më parë. Në njërën anë, nëse Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi nuk votohet, deputetët kërcënohen me prishje të raporteve me ndërkombëtarët, me rrezikim të agjendave euro-atlantike e me liberalizim të vizave! Në anën tjetër, presioni disamujor nga opozita, i përcjellë me demonstrata, me gaz lotsjellës e me akuza për tradhti kombëtare, nëse Marrëveshja votohet!
Në të dyja rastet, ata që e ushtrojnë këtë presion nuk e kanë aspak parasysh interesin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj, por vetëm interesat e veta. Në rastin e parë janë në pyetje interesat e ndërkombëtarëve, e në rastin e dytë janë në lojë interesat partiake dhe lufta për pushtet.
Përkundër këtij presioni dhe këtyre interesave, deputetët e Kuvendit të Kosovës, në përputhje me mandatin e tyre, duhet ta kenë parasysh vetëm interesin afatgjatë të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
Lëvizja për Bashkim, duke qenë se e ka përcjellë hap pas hapi këtë proces dhe zhvillimet rreth tij, është e bindur se është në interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj që Marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi të mos ratifikohet dhe çështja të shkojë drejt një arbitrazhi ndërkombëtar.
Prandaj, Lëvizja për Bashkim do të votojë kundër ratifikimit të kësaj Marrëveshjeje.
Prishtinë, 10.8.2016
Lëvizja për Bashkim