×

Menaxhimi i integruar i kufirit si ndihmues në sigurinë e përgjithshme të Kosovës

07.05.2001 · Aurora Bakalli



Një nga proceset e rëndësishme të sigurisë së Kosovës pa dyshim se është edhe sigurimi i kufijve administrativë të saj. Që të arrihet kjo Komisioni Evropian ka zhvilluar një koncept i cili është paraparë që të zbatohet edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, pjesë e së cilës është edhe Kosova. Ky koncept është Menaxhimi i Integruar i Kufirit (MIK), që sipas nocionit të Unionit Evropian nënkupton bashkërendimin dhe bashkëpunimin kombëtar dhe ndërkombëtar ndërmjet të gjitha autoriteteve kompetente të përfshira në sigurinë kufitare dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, si dhe vendosjen e një sistemi efikas të menaxhimit të kufirit, në mënyrë që të arrihet qëllimi i përgjithshëm i kufijve të hapur, por të kontrolluar mirë dhe të sigurt. Po e përsëris, kufijve të hapur, por të kontrolluar mirë.

Me këtë formë të menaxhimit të kufirit, Kosova do të duhej bërë bashkërendimin e punës ndërmjet doganave të saj, policisë kufitare dhe Agjencionit Veterinar dhe Fito-sanitar, të cilët të koordinuar do të lehtësonin lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Parimisht, për t’u realizuar ky koncept, medoemos çdo vend në Ballkan, e në mesin e tyre edhe Kosova, do te duhej hartuar strategji kombëtare dhe plan të veprimit për implementimin e menaxhimit të integruar të kufirit.
Kosova e ka një strategji lidhur me menaxhimin e integruar të kufirit, por se në implementimin e saj përveç një numri të theksuar të trajnimeve dhe të seminareve dhe përpjekjeve të ngadalshme për kompletimin e infrastrukturës ligjore, ende nuk mund të shihet një qasje serioze në jetësimin substancial të saj. Këtë e them duke e pasur parasysh rëndësinë e këtij koncepti në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të Kosovës në rend të parë, e më pastaj në ruajtjen e tregut nga produktet e mangëta në kualitete. Ta kujtojmë rastin e fundit me Jaffa Keksin të importuar nga Serbia, i cili në bazë të analizave të bëra nga instituti përkatës në Slloveni është konstatuar se në folien plastike ka përmbajte të dëmshme (sasi të mëdha të fotoiniciatorit benzofen dhe 4 - metilbenzofen) dhe se konsumimi i tij paraqet rrezik serioz për shëndetin. Të ndalemi dhe të mendojmë se pse kjo analizë për përmbajtjet e dëmshme të këtij produkti nuk është bërë nga institucionet tona për kontrollin e kualitetit të mallrave, por ajo është bërë nga një vend tjetër. A do të thotë kjo se ne realisht kemi një numër të konsiderueshëm të produkteve të cilat janë në qarkullim në tregun e Kosovës dhe se mund të jenë dëmtues seriozë të shëndetit të qytetarëve? E gjitha kjo shpie në dy përfundime: njëri do të ishte se dikasteret përkatëse, (në këtë rast AVUK-u) nuk paskan kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe infrastrukturore për t’i kryer këto detyra, gjë që sugjeron për një qasje joserioze në një fushë e cila pa dyshim është ndër më të rëndësishmet për sigurimin e vitalitetit të shëndetit të përgjithshëm të banorëve të Kosovës; dhe përfundimi tjetër se dikush ka bërë përllogaritje fitimprurëse nga mosfunksionimi i këtyre dikastereve kaq jetike për Kosovën, madje edhe nëse paguhet me çmimin e shëndetit të qytetarit.
Tanimë pa u bërë viti nga aprovimi i Ligjit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Integruar të Kufirit Shtetëror, do të bëhen ndryshime dhe plotësime, në mënyrë që i njëjti ligj të aprovohet në vitin 2011. Gjithashtu, pas një viti nga aprovimi i strategjisë për menaxhimin e integruar të kufirit, do të ketë ndryshime në këtë strategji dhe atë në drejtim të ndarjeve të qarta buxhetore dhe ndarjes së saktë të përgjegjësive, elemente të cilat kanë karakter bazik në fillimin e përpilimit të çdo strategjie. Kjo, as me pak e as më shumë, sugjeron për një paaftësi institucionale për të draftuar dokumente strategjike afatgjate.
Sistemi elektronik i BMS (Border Management Strategy), i ndërlidhur me regjistrin civil, me bazat e të dhënave të regjistrimit të automjeteve, si dhe me bazën e të dhënave për lëshimin e vizave, deri më tani ka mbetur vetëm një ide në letër. Derisa në të kundërtën, vlera e funksionalizimit të kësaj ideje do të ishte disa herë më e madhe kur si produkt final i kësaj do të ishte një Kosovë më e sigurt nga krimi i importuar, nga mallrat e pakontrolluara dhe, çka është më e rëndësishme, funksionalizimi i saj do të siguronte rrethana të përshtatshme për një shëndet të përgjithshëm më të mbrojtur në Kosovë.
Ndërkaq, edhe vërejtjet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian të vitit 2010 janë të shumta, ku sugjerohet që Kosova do të duhej shpejtuar procesin e implementimit të menaxhimit të integruar të kufirit dhe se deri më tani Kosova ende është në fazat e hershme të adresimit të sfidave që dalin nga menaxhimi i integruar i kufirit. Gjithashtu, baza ligjore ende nuk mundëson implementimin e nevojshëm të menaxhimit të integruar të kufirit, për faktin se ligji që rregullon këtë fushë nuk është implementuar në tërësi dhe mungojnë një numër i konsiderueshëm i udhëzimeve administrative. Autoritetet kosovare konsiderohet se nuk kanë kapacitete të mjaftueshme të planifikimit dhe se nuk janë në gjendje ta marrin pronësinë kur kemi të bëjmë me implementimin e sistemeve të teknologjisë informative. Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi ende nuk ka përfunduar dhe ka pasur një numër incidentesh në kufirin me Maqedoninë, gjë që sugjeron në mungesë të bashkëpunimit të policisë në mes të dy vendeve. Sugjerohet në përmirësimin e kapaciteteve të shërbimit doganor të Kosovës dhe të Policisë Kufitare në mënyrë që lufta kundër krimit ndërkufitar të intensifikohet. Kufijtë e Kosovës thuhet se nuk janë të sigurt sa duhet, këtë e tregojnë rastet e konsiderueshme të qarkullimit me dokumente të falsifikuara nga Kosova për në Evropë.
Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet sfida më e madhe. Jo vetëm porta 1 dhe 31, por i tërë kufiri verior nuk është nën mbikëqyrjen adekuate, gjë që paraqet shqetësim madhor për sigurinë e vendit në përgjithësi.

Aurora Bakalli,

Deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës